Ja kush e vjedh energjinë elektrike në Korçë

    485
    Sigal

    28 të arrestuar, 7 procedime penale, mes tyre dhe një faturiste

    Deri më tani Bar-kafe, dyqane, furra buke, punishte, frigoriferë, mullinj, pika karburanti, stalla lopësh, lavazhe dhe kopshte private furnizoheshin me energji elektrike të vjedhur

     KORÇË- Deri më tani mjaft lokale, kryesisht bar-kafe, dyqane, furra buke, punishte, frigoriferë, mullinj, pika karburanti, stalla lopësh, lavazhe, kopshte private etj., furnizoheshin me energji elektrike të vjedhur. Duket se kjo kategori biznesmenësh kishin qenë të privilegjuar e të paprekshëm nga ligji. Vjedhjen e energjisë elektrike e realizonin ose nëpërmjet ndërhyrjeve në matësit elektrik, ose duke krijuar një lidhje tjetër jashtë sahatit, ku gjithkush mund ta shihte lidhjen e dyfishtë, por askush nuk i shqetësonte vjedhësit e energjisë elektrike, gjë që tregon se këta biznesmenë kanë qenë të përkrahur nga njerëz me pushtet, pasi në të kundërt nuk mund të ndodhte kurrsesi kështu. Sipas të gjitha gjasave, biznesmenët e lokaleve, dyqaneve etj., toleroheshin, pasi dikush mund të përfitonte prej tyre, ose njiheshin si militantë të flaktë të një partie apo të një tjetre. Në rastet e ndërhyrjeve në matësit elektrikë ka patur edhe dyshime se mund t’u jetë ofruar ndihmë edhe nga vetë elektricistët ose persona të tjerë njohës të këtij profesioni. Gjithsesi, mbi të gjitha këto raste, tashmë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë është duke hetuar. Operacionet e OSHEE-së janë duke vijuar, ndaj pritet të ketë edhe arrestime apo procedime të tjera penale. Në lidhje me këtë çështje, burime pranë Drejtorisë së Policisë të qarkut Korçë bënë të ditur se deri më tani ka patur 28 arrestime dhe 7 procedime penale, numri gjithsej shkon në 35 persona. Arrestimet i përkasin periudhës tetor –nëntor të këtij viti, ndërsa dy arrestime janë kryer gjatë muajit shtator.

     Biznesmenët e lokaleve

    Deri më tani, gjithnjë sipas burimeve të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë, janë arrestuar ose proceduar penalisht 8 biznesmenë lokalesh dhe dyqanesh. Me përjashtim të një rasti që i përket një lokali në fshatin Buçimas të Pogradecit, gjitha rastet e tjera janë zbuluar në qytetin e Korçës. Kjo tregon se Korça ka qenë më e favorizuara në vjedhjen e energjisë elektrike. Përballë këtij fakti vihet re gjithashtu se këtë “fat” nuk e kanë patur biznesmenët e qytetit të Ersekës, të Bilishtit, të Pogradecit të Maliqit apo të Leskovikut. Duket se në qytetin e Korçës vjedhjet mund të kenë qenë të ndikuara edhe nga njohjet, miqësitë apo ryshfetet, por siç e theksuam edhe më sipër, tashmë i mbetet Prokurorisë zbardhja e plotë e të gjitha rasteve. Madje, jo vetëm kaq, në qytetin e Korçës ka patur edhe biznesmenë të tillë që përveç furnizimit të lokalit me energji elektrike të vjedhur, në të njëjtën kohë furnizonin edhe banesën dhe ndonjë aktivitet tjetër të tyren.

     Pika karburanti

    Ndërkaq burime të Drejtorisë së Policisë, të ofruara nëpërmjet komunikatës për shtyp, na bëjnë të njohura fakte të tilla që na tregojnë se vjedhja e energjisë elektrike nuk ndodhte vetëm në bar-kafetë dhe dyqanet, por edhe në aktivitete të tjera siç janë edhe pikat e karburanteve. Kështu për shembull, gjatë periudhës tetor-nëntor në fshatin Buçimas të rrethit Pogradec u arrestuan dy pronarë pikash karburanti, të cilët kishin kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Një pronar tjetër, përsëri posedues i një pike karburanti u arrestua në qytetin e Pogradecit. Njoftimi i Drejtorisë së Policisë, pohonte: “Më datë 05.11.2014, u bë kapja arrestimi në flagrancë i shtetasit G. B, vjeç 57 banues në lagjen 1 Pogradec, pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur energji elektrike në mënyrë të paligjshme, për të furnizuar një pallat, një punishte druri dhe tre dyqane në pronësi të tij, edhe pse në datë 31.10.2014 nga ana e OSHEE i është ndërprerë energjia si debitor. Materialet i kaluan Prokurorisë, neni 137/1 i Kodit Penal”.

     Frigoriferë, mullinj dhe furra buke

    Tashmë për shkak të informacionit të plotë të ofruar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Korçës, mund të krijojmë një ide të qartë se si vjedhja e energjisë elektrike kishte përfshirë të gjitha llojet e bizneseve që operojnë në qarkun e Korçës. Madje në ditët në vijim ka mundësi që të tjera biznese të bien në rrjetën e policisë, pasi, nga sa shihet, biznesmenët mësonin nga njëri-tjetrin dhe vidhnin energji elektrike në çdo orë të ditës dhe të natës. Gjatë periudhës kohore të përmendur më sipër, u arrestua nga policia një pronar frigoriferi në fshatin Belorta të Korçës. Në lidhje me këtë arrestim, burime të policisë bënë të ditur se më datë 30.10.2014, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F.H, vjeç 52, në fshatin Belorta, pasi në biznesin e tij “Frigorifer”, në fshatin Belorta, është kapur në flagrancë duke vjedhur energji elektrike, pasi kishte dëmtuar dy vulat e brendshme të sahatit matës. Materialet i kaluan Prokurorisë , neni 137/2 i K. Penal. Gjatë kësaj kohe u arrestua edhe një pronar mulliri në fshatin Vreshtas të Korçës dhe një pronar furrë buke në fshatin Zvezdë të Korçës. Nga sa më sipër, duket se vetëm pjesa më e varfër e shoqërisë nuk e vidhte energjinë elektrike, pasi kjo shtresë është më e pambrojtura në rast se shkel ligjit, sepse duhet të jesh edhe ligj, edhe Maliq në të njëjtën kohë.

     Stallë lopësh, lavazhe dhe kopshte

    Gjithsesi, se deri në ç’përmasa ka shkuar vjedhja e energjisë nuk mund ta themi dot, një tablo më të plotë mund ta kemi vetëm atëherë kur operacione të tilla të kenë përfunduar. Megjithatë, kush ka mundur e ka vjedhur energjinë elektrike pa paguar asnjë qindarkë. Vjedhja e energjisë ka qenë e shtrirë edhe në lavazhe, edhe në stalla lopësh, ashtu sikurse edhe në kopshte private. Që të gjitha këto i mësojmë nga burimet policore. Kështu, mund të përmendim arrestimin e një shtetasi, pronar të një stalle lopësh, banues në Mborje të Korçës, i cili e merrte energjinë direkt nga transformatori, pa hyrë te sahati. E njëjta gjë ndodhte edhe te një lavazh në lagjen nr. 10 të Korçës. Ndërsa për një rast tjetër, kemi këtë informacion: “Më datë 14.11.2014, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L.Q, vjeç 38, banues në fshatin Buçimas. Pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga punonjësit e OSHEE-së, në ndërtesën e tij të përshtatur si kopsht për fëmijë, në Buçimas, është konstatuar lidhje e paligjshme jashtë sahatit matës të energjisë elektrike. Materialet i kaluan Prokurorisë, neni 137/1 i Kodit Penal”. Vjedhje e energjisë elektrike u zbulua edhe në 11 banesa.

     Elektricistë të arrestuar

    Sipas burime të policisë, deri më tani janë arrestuar 5 elektriciste dhe një faturuese. Më konkretisht, po sjellim njoftimin e policisë: “Më datë 10.11.2014, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: D. Xh, vjeç 52, banuese në lagjen 16 Korçë, me detyrë faturuese e energjisë elektrike. Po kështu u arrestua G. G, vjeç 30, banues ne lagjen 2 Korçë, pronar i një lokali “Bar-Kafe”, ndërsa më datë 01.11.2014, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: Xhemal Cenolli, vjeç 51, banues në fshatin Vashtëmi, me detyrë elektricist pranë OSHEE Korçë, Refik Fero, vjeç 64, banues në fshatin Pojan, me detyrë elektricist, pranë OSHEE, Devoll. Çlirim Pilinci, vjeç 37, banues në Potgorie, me detyrë elektricist pranë OSHEE, Korçë. Edmond Mullalli, vjeç 32, banues në fshatin Dishnicë, me detyrë elektricist, pranë OSHEE, Devoll dhe Miri Seidolli, vjeç 43, banues në Voskop, me detyrë elektricist, pranë OSHEE, Devoll. Ndalimi i tyre u bë pasi në detyrën e elektricistëve pranë OSHEE Korçë e Devoll, kanë përpiluar procesverbale fiktive për ndërprerjen e energjisë elektrike, për bizneset private në qytetin e Korçës e Devollit, ndërkohë që realisht këta punonjës nuk kanë bërë ndërprerjen reale të energjisë elektrike. Materialet i kaluan Prokurorisë, neni 248 i Kodit Penal”. Të gjitha rastet e mësipërme tregojnë qartë se më të varfrit përpiqen të paguajnë, më të pasurit përpiqen të vjedhin, këta të fundit gjejnë edhe përkrahjen e punonjësve të OSHEE.

    Vepror Hasani