ISKSH mblodhi 193 vula mjekësh, me të cilat “vulosi” 3.7 miliard lekë vjedhje

    457
    Edhe pse Zyra Anti-korrupsion në Kryeministri, drejtuar nga njeriu “korrupsion” Ergys Hoxha, i kapur në qarkullim me automjet me targa false dhe reagim të dhunshëm ndaj policisë rrugore, e fshehu prej 1 viti raportin e kontrollit mbi skandalin e rimbursimit fiktiv të ilaçeve të pacientëve me sëmundje të rënda, që realizohej nëpërmjet farmacive të Ministrit Beqja, të Zv/drejtorit të ISKSH Sokol Skuraj, të familjarëve të disa ministrave e shtetarëve të tjerë, duke përdorur receta false ilaçesh, duket se skandali nuk ka përmasat e vjedhjes së publikuar në vlerën 1.5 miliard lekë, por mbi dy herë më tepër. Telegraf ka vijuar investigimin e këtij skandali të publikuar i cili përsëri është tentuar të mbahet i fshehtë nga shteti, duke hartuar një raport po fiktiv mbi përmasat e tij. Sipas dokumenteve të rimbursimit, rezulton se Zyra Anti-korrupsion në Kryeministri, në raportin e saj nuk ka deklaruar vjedhjen reale, por e ka përgjysmuar atë në 1.5 miliard lekë, kur vjedhja në fakt është 3.7 miliard lekë. 
    Vjedhja nuk është 1.5 miliard lekë, deri tani rezultojnë 3.7 miliard lekë, mendohet se janë më tepër se vjedhja e Bankës së Shtetit
    Siç e publikuam dje, skandali nuk u zbulua nga shteti, por prej presionit të 193 denoncimeve të bëra nga mjekët që u ishin vjedhur dhe u përdoreshin vulat nga “”banda Beqja” dhe nga 97 farmacistë, të cilëve u kërkohej të përdornin receta e rimbursime fiktive, me urdhër e “këshilla shoqërore” të bëra prej zv/drejtorit të ISKSH, zotit Sokol Skuraj, i cili e nisi këtë aktivitet abuzimi, duke përdorur emrin e Ministrit Beqja dhe emrin e një deputeti që e ka emëruar në atë detyrë si “”sekser”” të besuar e “produktiv”. Realisht nuk janë 4 farmaci të Skurajt, 7 farmaci të Ministrit Beqja dhe 5 farmaci të babait të një ministri që lufton krimin e rrugës dhe atë ekonomik deri tek telat e energjisë elektrike që lidhin familjet me ndihmë ekonomike sa një abone autobusi, por janë 53 farmaci të përfshira në skandalin e vjedhjes së fondeve të rimbursimit, duke mos shitur asnjë “kokërr” ilaçi në farmacitë e grupit “Beqja-Skuraj”, ku dërgoheshin dhe shlyheshin fiktivisht recetat që nuk janë 1.5 miliard lekë sa thotë raporti i Zyrës Anti-korrupsion në Kryeministri, por 3.7 miliard lekë vjedhje, të zbuluar deri tani. Burime nga prokuroria e cila ka marrë në dorë dosjen e zezë të këtij krimi financiar shtetëror, konfirmojnë se vjedhja me rimbursimet fiktive të ilaçeve mund të kalojë edhe vlerën e 9 miliard lekëve ose 2 miliard lekë më tepër se sa vjedhja e bërë në Bankën e Shtetit, zbuluar në 25 korrik 2014. Sipas hetimeve të deritanishme të bëra prej prokurorisë, rezulton se Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ka dorëzuar në Prokurori një “dosje sekrete”, ku deklarohen vetëm 4 farmaci të përfshira në skandalin e ilaçeve, por faktikisht, prokuroria deri tani ka zbuluar se janë afro 13 herë më tepër, të gjitha pronë ose biznes i shtetarëve, që nga Ministri Beqja, zv/drejtori i ISKSH Skuraj e deri tek familjarë ministrash, deputetësh, krye-policësh, krye-doganierësh, shefa mjekësie, shefa tatimesh e klientë të tyre. Sipas burimeve të “Telegraf” ka nisur hetimi prej drejtësisë, për procesin e rimbursimit që prej janarit të vitit 2014, kohë kur ministria “Beqja” ka nisur edhe zbatimin e skemës së re “rilindëse” të ribursimit të ilaçeve, duke pretenduar se kishte shtuar edhe 63 ilaçe të reja për pacientët me sëmundjeve të rënda, me vlerë rimbursimi 5.1 milionë euro, të cilat mund të jenë këto që janë vjedhur me letra false. Mendohet, se këtu ka nisur edhe skenari i vjedhjes së fondeve të rimburimit, duke bërë letra furnizimi false me ilaçe, në farmacitë që kontrolloheshin prej atyre që kishin vulat dhe firmat e të drejtës së vendim-marrjes dhe ekzekutimit të rimbursimit. Sipas informacionit që ka në dispozicion prokuroria, rezulton se që prej janarit 2014, pikërisht 53 farmacitë ku realizohej vjedhja gjigande e fondeve të rimbursimit me ilaçe që nuk hynin as në Shqipëri, nuk ishin kontrolluar asnjëherë as nga “Urdhri Farmacistit”, as nga Ministria e Shëndetësisë, as nga tatimet e doganat. Pse? Sepse ishin të “tutorëve” që kanë futur në kthetra Ministrinë e Shëndetësisë dhe tregun e ilaçeve, me çmimet e të cilave zhvatin shqiptarët, madje edhe me ilaçe të skaduara që prej 15 vitesh, të cilat futen në Shqipëri me garanci të falsifikuar. Siç e kemi theksuar dje në gazetën “Telegraf” ky skandal është bërë me ilaçe sëmundjesh të rënda, vlera e të cilave shkonte deri në 100 mijë lekë të reja. Këto ilaçe nuk ishin në farmaci, nuk jepeshin me rimbursim për pacientët, por ishin në çeqet që likuidonte ISKSH dhe ministria e shëndetësisë për llogari të farmacive të bosëve të SKSH e të ministrisë së shëndetësisë. Vetëm një fakt. Ilaçet kancerogjene, sipas hetimeve të deritanishëm që ka bërë prokuroria, kushtojnë nga 50 mijë, deri në 100 mijë lekë të reja për një cikël kurimi 3-4 mujor, ilaçe që i sipas letrave false është rimbursuar, sikur i ka shitur vetëm një nga farmacitë e zv/drejtorit të ISKSH, Sokol Skuraj, vlera e vjedhur e të cilës arrin në 500 mijë euro brenda 9 muajve të fundit të vitit 2014! 
    Një vit mashtrim: Skuraj i ISKSH mblodhi dhe përdori ilegalisht 193 vula mjekësh me pretekstin se “do t’i pajiste me vula të reja”
    Zv/drejtori i ISKSH, Sokol Skuraj, ka deklaruar dje në prokurori, se urdhrin për të mbledhur vulat e mjekëve e ka marrë gojarisht nga ministri Ilir Beqja, i cili sipas Skurajt, i ka dhënë të drejtën të përcaktoj emrat e mjekëve që do t’u merreshin vulat, për t’i ndërruar me vula të reja. Por nuk ka qenë ky qëllimi marrjes së vulave, por skema për të vjedhur fondet e rimbursimit të ilaçeve me vula e firma mjekësh të cilëve u ishin marrë vulat, duke i mashtruar për gjoja pajisje me vula të reja. Zv/drejtori i ISKSH Sokol Skuraj, pronari i disa farmacive në Tiranë, në Elbasan, Durrës, Pogradec e Korçë, ka mbledhur jo 80, por 193 vula mjekësh që kanë të drejtë lëshimi recetash rimbursimi ilaçesh, të cilët njihen nga farmacitë. Që tregtojnë edhe ilaçe me rimbursim. Çfarë ndodhi? Në periudhën dhjetor 2013-prill 2014, duke përdorur vulat e mbledhura, të cilat në dosjet e ISKSH rezultojnë “të asgjësuara me komision”, janë bërë receta ilaçesh me rimbursim, për 3.7 miliardë lekë ilaçe që nuk janë futur fare në vendin tonë as si letra dogane e as si sasi. Vetëm “insulina” psh., sipas konstataimit të OBSH është futur në sasi 2 herë më tepër se sa kërkesa që ka krejt numri i pacientëve që vuan nga diabeti. Me zbulimin e skandalit të rimbursimit të farmacive që shërbenin si “lavatriçe” rimbursimi për ilaçet që vidheshin. Me nisjen e kontrollit nga Kryeministria, farmacitë e klanit “Beqja-Skuraj” e kanë ndërprerë kontratën me ISKSH dhe e kanë rilidhur një muaj më pas, pasi kontrolli kishte përfunduar. 
    Sigal