Irena Islami & Dëshira Huqi/ Strategjia e zhvillimit të KLSH-së, zbatimi dhe monitorimi i saj

    453
    Sigal

    Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përgatitur, në bashkëpunim me ekspertët e SIGMA-s (Programi “Mbështetje për Përmirësim në Qeverisje dhe Menaxhim”, i financuar nga BE dhe OECD), strategjinë e tij të zhvillimit për periudhën 2013-2017. Institucioni synon realizimin e misionit të tij, i cili është informimi i publikut dhe i Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me përdorimin e burimeve me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë nga pushteti qendror dhe lokal dhe nga njësitë e tjera publike, si dhe nxitja e përgjegjshmërisë në të gjithë sektorin publik, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së dhe me standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t, duke kontribuar për qeverisjen e mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit.

    Strategjia e KLSH-së

    Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të realizuar këtë mision, e mbështet veprimtarinë e tij mbi vlera dhe parime të tilla si pavarësia, objektiviteti, integriteti, përgjegjshmëria, profesionalizmi, interesi publik, bashkëpunimi dhe transparenca. Puna për hartimin e strategjisë filloi që në vitin 2012 dhe përfshiu të gjithë punonjësit e KLSH-së. U diskutuan temat e rëndësishme që duhen prekur, tendencat e reja për vitet ne vijim, mundësitë dhe burimet për realizimin e strategjisë, përfshirja e palëve të interesit dhe bashkëpunëtorëve jashtë KLSH-së, analiza e risqeve, etj. Pas përthithjes së mendimit të këtij auditori të gjerë, u realizua nga Grupi i Punës për hartimin e strategjisë në bashkëpunim me drejtuesit e lartë të KLSH-së dhe ekspertët e SIGMA, Strategjia finale e zhvillimit të Institucionit. Strategjia e KLSH-së është në të njëjtën linjë me strategjinë e INTOSAI-it dhe EUROSAI-t, sepse misioni i SAI-ve (Institucionet Supreme te Auditimit) është kudo i njëjtë, sigurimi i përdorimit sa  me të mirë të parasë publike dhe përmirësimi i qeverisjes, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit.

    Strategjia e KLSH-së është bërë tashmë publike jo vetëm për audituesit e saj, por edhe për publikun e gjerë (gjendet në  faqen zyrtare të KLSH-së dhe është botuar në gjuhën shqipe dhe angleze në një botim të veçantë). Në strategjinë e institucionit janë vendosur 6 objektiva kryesore, si zhvillimi i kapacitetit institucional të KLSH, rritja e kapaciteteve audituese dhe e cilësisë së auditimit, përmirësimi i cilësisë dhe shtimi i numrit të auditimeve të performancës, zhvillimi dhe konsolidimi i auditimeve të Teknologjisë së   Informacionit dhe përdorimi i TI në auditim, rritja e kontributit të KLSH-së për qeverisjen e mirë, nëpërmjet  luftës kundër korrupsionit, si dhe rritja e ndikimit të rolit të KLSH-së përmes komunikimit dhe bashkëpunimit.

    Strategjia e KLSH-së është shoqëruar me planin konkret të veprimit për zbatimin e saj për vitet 2013-2017. Mbështetur në objektivat strategjike të përcaktuar në planin e veprimit afat-mesëm, KLSH, nëpërmjet aktivizimit të të gjithë strukturave të tij, ka hartuar planin e detajuar të veprimit  për vitin 2013 dhe 2014. Stafi auditues, me profesionalizëm ka përzgjedhur fushat dhe subjektet e auditimit, duke komunikuar me të gjitha palët e interesit dhe duke marrë parasysh të gjithë faktorët, duke bërë analizën  e riskut, duke menaxhuar pritshmëritë dhe kërkesat e publikut, duke bërë zgjedhje të menduara mirë dhe transparente.

    Së shpejti, KLSH do të fillojë nga hartimi i draftit të parë të planit të veprimit për vitin 2015, duke propozuar për këtë vit një model të strukturuar mirë, që do të shërbejë si bazë për të gjitha departamentet, sepse rregullat dhe sistemet janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër.

    Eksperienca e këtyre 18 muajve në këtë drejtim na ka ndihmuar që të shikojmë gjërat më qartë dhe të dimë të përcaktojmë drejt balancat ndërmjet fokusit të vendosur në strategjinë afat-mesme dhe fleksibilitetit, që do të thotë: A ka gjëra që duhet të ndryshojmë, që nuk mund të realizohen dhe që mund të zëvendësohen në planet tona konkrete vjetore? A kemi stafin e nevojshëm dhe kompetent? A ka tema aktuale emergjente që duhen përfshirë në tematikën e auditimit, që nuk ekzistonin në momentin e hartimit të strategjisë afat-mesme, etj…? Përgjigja është sigurisht pozitive. Të gjitha mangësitë e vërejtura dhe aktivitetet e  realizuara sjellin kërkesën për të parashikuar me imtësi zhvillimet. Puna parashikuese të jep mundësinë të përshtatesh me ndryshimet që sjell koha. Ne kemi kuptuar që duhet të jemi të saktë dhe të vendosur në punën tonë, por edhe fleksibël, në mënyrë që institucioni të arrijë objektivat e vendosura. Është evidente që suksesi i strategjisë është i lidhur edhe me monitorimin e vazhdueshëm të realizimit të objektivave afat-shkurtra për të kaluar në ato afat-mesme. Në KLSH ekziston struktura përgjegjëse për monitorimin e implementimit të strategjisë, që raporton në mënyrë direkte tek Kryetari i KLSH-së. Në vlerësim të faktit që kjo strategji duhet të funksionojë si një sistem i tërë, drejtuesi i institucionit i jep tonin dhe ritmin sistemit, dhe e ka nën vëzhgim atë për të arritur rezultatet e duhura. Nga analiza e deritanishme, rezulton se KLSH ka përmbushur aktivitetet kryesore të përcaktuara në strategji, si rritjen e kapaciteteve audituese dhe, për rrjedhojë, rritjen e cilësisë së punës në auditim, rritjen e numrit të auditimeve, shtimin e ndjeshëm të numrit të ditëve të trajnimit për çdo auditues, rritjen e transparencës me publikun (janë publikuar deri tani 24 botime që reflektojnë punën e institucionit), pjesëmarrjen në grupe të përbashkëta pune me SAI-et partnere (si ËGEA dhe TFA &E), etj.  Si konkluzion, mund të themi se një strategji afat-mesme zhvillimi do të ketë rezultate pozitive,vetëm nëse është e strukturuar mirë, gjithëpërfshirëse, e fokusuar tek impakti, cilësia, transparenca, gjuha e thjeshtë dhe angazhimi i vazhdueshëm i të gjithë stafit. Strategjia e KLSH i plotëson këto karakteristika.