Invalidët, Ksera: Skeme të re për ndihmë ekonomike

    389
    Sigal

    MINISTRIA E PUNËS/Viti 2013 do të jetë viti i një skemë të re të aplikimit për  ndihmën ndaj personave me aftësi të kufizuar

    Ministri i Punës Spiro Ksera ka deklaruar se viti 2013 do të jetë viti i një skemë të re të aplikimit për ndihmën ekonomike dhe ndihmën ndaj personave me aftësi të kufizuar duke shmangur abuzimet që janë hasur deri tani. ‘Viti 2013 të jetë viti i aplikimit të një skeme të re, ku të gjitha problematikat që ne kemi evidentuar prej vitesh tani të minimizohen. Pra skema do jetë më transparente dhe do të evidentojë të gjitha ato familje që me të vërtetë kanë nevojë për t’u ndihmuar”,- tha Ksera. Ministri Ksera deklaroi se mirëkupton protestat e personave me aftësi të kufizuara për marrjen e ndihmës, por siguroi se gjatë vitit 2013 nuk do të ketë problematika. “Komisionet mjeko-ligjore të caktimit të aftësisë së kufizuar kishin rritur në mënyrë të jashtëzakonshme numrin e përfituesve gjë që ne nuk e kishim parashikuar në buxhetin tonë. Por, për disa ditë thesaret do të vijojnë dhe problematikat që kemi pasur jo për fatin e qeverisë gjatë vitit 2012 nuk do i kemi më, siguroi ministri. Spiro Ksera gjatë deklaratës për bilancin e punës për vitin 2012 ka thënë se është arritur të ulet numri i të varfërve dhe është rritur numri i të punësuarve, ndërsa objektiv mbetet rritja e masës së ndihmës ekonomike për familje në masën 5.6%, ulja e papunësisë nën nivelin 13% dhe mbështetje për rritjen e të ardhurave për pensionistët. Synimi ynë për 2013 është ulja e papunësisë nën nivelin 13% dhe rritja e punësimit, ku vetëm nga programet aktive të Ministrisë së Punës gjatë 2013 do të punësohen 16 mijë persona. Edhe gjatë 2013 do të vazhdojë politika për rritjen e të ardhurave për 549 mijë pensionistë, e cila do të jetë mesatarisht në masën 3-4% ne qytet dhe 5% në fshat; Këtë vit do të rikonstruktohen Qendra polivalente në Poliçan, Qendra e Aftësisë së Kufizuar në Tepelenë dhe Qendra për Pritjen e Romëve në Kombinat të Tiranës. Në 2013-n do të përfundojë procesi i hartimit të Strategjisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale 2013-2020. Gjatë 2013 do të fillojë mbështetja e fëmijëve rom që ndjekin arsimin e detyrueshëm me paketa ushqimore pranë institucioneve arsimore.  Do të vazhdojë puna për ngritjen e institucioneve në nivel vendor dhe qendror të parashikuara në Ligjin “Për mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” dhe ligjin “për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje”.  Formimi profesional do të mbetet prioritet, ku parashikojmë çeljen e kurseve të reja në profesionet që janë më të kërkuara në treg, për të përgatitur punëkërkues të kualifikuar të gatshëm të thithen nga tregu i punës. Gjatë 2013-s do të certifikohen 9,000 persona, ku prioritet do t’i jepet grupeve në nevojë të cilët përfitojnë trajtim me tarifa të reduktuara.  Evidentimi dhe zbardhja e punës në të zezë, mbrojtja e fëmijëve nga puna dhe garantimi i kushteve të sigurisë në vendin e punës për çdo punëmarrës do të jetë në qendër të 16.500 inspektimeve që do të ushtrojë gjatë 2013 ISHP. Në 2013 do të firmosen marrëveshjet e negociuara me gjatë vende në fushën e sigurimeve shoqërore dhe do të vazhdojnë përpjekjet për çeljen e negociatave edhe me vendet e tjera, kryesisht me ato ku numri i emigrantëve shqiptar është më i madh, me Italinë dhe Greqinë.