Ibrahim Torba*/ Skandali, Policia ushtarake shet materiale të rrezikshme ushtarake

    458
    Sigal

    Mbetjet radioaktive të Bazës Ajrore Kuçovë rrezikojnë jetën e njerëzve. Ja pikat më të ndotura

    Që ka mbetje radioaktive në Bazën Ajrore Kuçovë kjo dihet nga të gjithë ata që kanë punuar dhe punojnë në këtë Bazë. Të gjitha pikat e ndotura janë të identifikuara nga një institucion i specializuar. Unë dy herë kam shoqëruar grupin e Institutit të Fizikës Bërthamore që ka kryer matjet e nivelit të rrezatimit në këtë Bazë. Pjesa më e ndotur është ish-Uzina e Aviacionit që ndodhet në Perondi.

    Gjatë matjeve u konstatua se pikat më të ndotura ishin këto:

    – Ish-magazina e pjesëve rikupero, që ndodhet në pjesën jug-perëndimore të uzinës. Hapësira e fundit e kësaj magazine, që është ngjitur me gardhin e banorëve të fshatit, ka vetëm disa mbetje dhe nuk shërben më si magazinë. Ambienti i kësaj magazine ka një rrezatim shumë të lartë. Unë nuk jam specialist i kësaj fushe që t’ju them shifra, por nga specialistët, gjendja në këtë ambient u konsiderua alarmante. Më e keqja është se ky ambient vërtet është në ruajtje, por aty futen fëmijë. Në mes mbeturinave të këtij ambienti, pranë dritares, ishte një pajisje e vogël që tregonte mbetje radiumi dhe që kishte një nivel shumë të lartë rrezatimi. Materialet, që ka patur kjo magazinë, janë zhvendosur në një tjetër magazinë që ndodhet pranë sektorit të saldimit. Të gjitha materialet e magazinës kanë një rrezatim radioaktiv shumë të lartë. Edhe sheshi para kësaj magazine, në drejtim të dritares, është i ndotur në një shkallë të lartë.

    – Gjithashtu e ndotur është komplet godina dykatëshe, ku kryhej riparimi i pajimeve speciale të avionit. Të gjitha stendat e kontrollit si dhe të gjitha agregatet që ndodhen aty janë të ndotura. Rrezatim shumë të lartë ka në katin e parë, ku kryhej riparimi dhe kolaudimi i bombolave zjarrfikëse të avionëve. Sapo futesh në korridorin e katit të parë janë disa materiale që kanë nivel shumë të lartë ndotje, sidomos një gjenerator i madh.

    – Pas godinës dykatëshe ndodhet një godinë e vogël që ka rrezatimin më të lartë nga të gjitha ambientet.

    – Ambient tjetër me rrezatim të lartë është sektori i riparimit të bombolave të oksigjenit që ndodhet në afërsi të magazinës së lëndës së parë.

    – Të gjitha magazinat, ku më shumë dhe ku më pak, kanë rrezatim radioaktiv.

    Përgjithësisht, e gjithë pjesa e ish-Uzinës së Aviacionit që ndodhet në Perondi është e ndotur dhe ka rrezatim të lartë radioaktiv. Kjo nuk është gjë e re, që e them unë për herë të parë. Kjo është e dokumentuar.

    Përveç këtyre ambienteve u bënë matje edhe në aeroplanë dhe në ambiente të tjera të Bazës. U çmontuan nga një avion MIG-19 të gjitha pjesët që paraqesin rrezatim: instrumentet e kabinës, shënjestra, doreza e komandimit, doreza e gazit, pajisja e oksigjenit, të gjithë çelësat AMR. U hoqën radiot, bombolat e oksigjenit etj, edhe të gjitha këto u futën në një fuçi në pritje që t’i marrë Instituti për të eksperimentuar pastrimin e tyre. Nuk u veprua më tutje dhe fuçia me materiale ka mbetur te gryka e tunelit.

    Gjate punës në ambientet e Uzinës në Perondi dhe sidomos gjatë inventarëve, ku njerëzit ishin të detyruar të rrinin në këto ambiente për shumë orë, ata ankoheshin për dhimbje koke. Faji gjithmonë i vihej ambientit me lagështi, sepse nuk dinim se punonim në ambient radioaktiv dhe kalonim nëpër duar materiale të ndotura.

    Këtë ndoshta nuk e dinte askush deri atëherë, por që kur u konstatua u morën masa që të kufizohen lëvizjet dhe të shmanget puna në këto ambiente, si dhe të vazhdohej bashkëpunimi me Institutin e Fizikës Bërthamore. Gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve situata ndryshoi dhe gjërat mbetën siç ishin.

    Lëvizje të dyshimta, shitblerjet e Policisë Ushtarake

    Vendosa t’i bëj publike ato që unë di për këtë problem, sepse po shikoj që po kryhen disa lëvizje materialesh të këtyre magazinave dhe kjo lëvizje bëhet nga njerëz që kanë informacion të plotë për gjendjen. Ngarkohen makina ushtarake tip IVECO nga Policia Ushtarake me materiale të këtyre magazinave dhe nuk dihet destinacioni i tyre.  Fakti që Policia ushtarake kryen detyra që nuk rrjedhin nga misioni që ajo ka, përbën shkelje ligjore. Mua më shqetëson fakti që materiale të ndotura të magazinave të Bazës Ajrore Kuçovë po marrin rrugët. Kjo përbën krim. Jam i bindur që këto materiale merren për t’u shitur. Policia ushtarake është shndërruar në ndërmarrje shitblerje të materialeve ushtarake.  Po jap një  shembull. Është marrë një sasi shumë e madhe amianti. Ky material është në gjendje plotësisht të degraduar dhe është e pamundur të futesh e të rrish për disa sekonda në ambientin, ku ishte magazinuar. Ky është material kancerogjen. U bëj thirrje drejtuesve të Policisë Ushtarake, komandantit të saj kolonel Xh. Z. dhe shefit të krimeve A. M., nëse nuk e kanë shitur akoma, ta kthejnë aty ku e morën që ky amiant të trajtohet nga specialistët si të gjitha materialet e rrezikshme dhe të asgjësohet. Në qoftë se e kanë shitur, duhet të dinë se kanë shitur vdekjen me lekë dhe dikush e ka blerë vdekjen me lekë. Kjo vlen edhe për shumë materiale të tjera që kanë marrë.

    Lëvizja e këtyre materialeve, normalisht, duhet të bëhet me miratim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Miratimi i tij është marrë, kur ai u gjend para faktit të kryer, pasi materialet e kishin gjetur vendin. Një veprim i tillë nga komandanti i Policisë Ushtarake Xh. Z. dhe nga Shefi i Krimeve A. M. e ka fyer pozicionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, por si duket, jo Jeronimin.

    Unë nuk besoj kurrë që ky njeri të mos dijë detyrat e tij, apo të mos dijë misionin dhe detyrat e Policisë Ushtarake. Miratimi i tij për lëvizjen e materialeve, një pjesë e tyre shumë të rrezikshme, e implikon direkt atë në këtë veprimtari kriminale.

    Para se të firmoste, gjeneralit ia kanë turbulluar mendjen ca pyetje:

    -Përse Policia Ushtarake del jashtë misionit të saj?

    -Përse i do Policia Ushtarake këto materiale?

    -Cili është destinacioni i këtyre materialeve?

    -Përse është bërë lëvizja e materialeve para se të kërkohet miratimi?

    -Kush e ka bërë përzgjedhjen e materialeve?

    Nuk e kanë lënë shumë të vazhdojë me këto lloj pyetjesh, sepse direkt i treguan vlerën e tyre dhe gjenerali mbylli sytë dhe firmosi.

    A e dinte gjenerali rrezikun që mbartin këto materiale?

    Me sy mbyllur gjenerali nënshkroi bashkëpunimin me bandën më të rrezikshme të FA, me hajdutë të lindur, të konvertuar në Rilindas.

    Janë transportuar materiale në datat 11.02.2014, 19.02.2014, 11.03.2014, 17.03.2014, gjithsej, 7 IVECO.

    Është domosdoshmëri rivlerësimi i menjëhershëm i situatës në këtë zonë, si dhe grumbullimi i materialeve të marra nga këto ambiente, me qëllim që t’i nënshtrohen një kontrolli nga specialistet përkatës. Kjo zonë duhet të ketë një status të veçante, ku të mos depërtojnë dot hajdutë të tillë që për përfitime personale shkaktojnë dëme të pallogaritshme, rrezikojnë edhe jetë njerëzish. Këta njerëz duhen ndëshkuar!

      *Ish-oficer në Bazën Ajrore Kuçovë, si dhe ish-punonjës civil po aty