GJON NEÇAJ/VAJZAT E FSHATIT TIM…

    469
    Sigal

    Në sytë e shkruar u rrezon rrezja e dielli,
    Ne flokët e lëshuar tufalakët e ahave në Kaki.
    Kur qeshin,
    qukat në faqe kuqlojnë si petalet e shebojës;
    Buzët e tyre kokrra bojliash në majë të qershive.

    Shpesh djemtë hutohen dhe nuk i hanë bojliat,
    Ndonëse gjithë diten mrizojnë bjeshkëve të vendlindjes.
    ————-

    I VRARË, MBASE JO I VDEKUR…

    Unë, Robinson i vetmuar mbeta,
    Në jetën e pasosur të këtij fillimshekulli;
    Ndonëse në metastazat kanceroze të njerëzimit,
    Kam klithur me gjithë forcën shpirtërore prej njeriu,
    Nëpër katakombet e çjerra dhe marramendëse të mjerimit…

    Kur linda, isha i varë dhe zemrën e kisha të copëtuar,
    ( ndonëse e dhimbshme, sapo kish filluar të rrahin),
    Doçkat e vogla ngrita përpjetë drej qiellit, drejt Zotit,
    Për të qenë i përjetshëm në këtë shekull të vetmuar.

    E përpara se të mësoj për të folur,
    Recitova pjesët e Ungjillit dhe kujtova Krishtin e kryqëzuar,
    “ Në këtë shekull plot me lot”,
    Vajtova në thellësitë e shpirtit,
    Po zemra, e mjera zemër,
    rrihte papushuar në gjoksin e njomë vazhdimisht kot…

    Që kur linda, pra i vrarë në zemër isha,
    por i vdekur nuk isha kurrësesi;
    se doja të jetoja,
    e në brendësinë e shpirti fëminor
    të jetoja me shpresë, me fjalët përpëlitëse,
    posi, posi…
    ————-

    TE GURRA E KROIT

    (motiv popullor)

    Në burimin e akullt bora e janarit,
    Lëshonte flokëzat mbi gërshetin e zi.
    Delet çobanit të bardha si bora,
    I shkonin prapa ujë për të pi.

    Çika bucelën mbushte nën gurrë,
    Delet pinin në lugjet ujëborë;
    Çobanit në fytyrë iu zbardhte një nur,
    Kur shihte te burimi një lulemollë.

    Dhe lëng i shkonte çobanit nga goja,
    Natyra i bëhej gusht a shtator;
    Kish droje të kafshonte dy kokrra molla,
    Ose të paktën t’i prekte me dorë.
    ————–

    QERPIK I PËRLOTUR
    (në kujtim të prindërve të mi)

    Dielli lëshoi rrezet
    mbi kullën time
    Në Mserr.

     

    Visari akoma flinte…
    Syri i diellit rrezatonte
    mespërmes një reje.

    Unë sapo isha zgjuar,
    e në vegimet e fëmijërisë,
    prindërit e mi kërkoja
    rreth e rrotull.

    Qerpiku im,
    i njomë, i përlotur…
    ———