Gjenerali Ifandis: Ja pse Enver Hoxha është grek!

    889
    Sigal

    Publikime të ish-gjeneralit grek Jorgos Ifandis në librin e  tij “Të mëdhenjtë e mbrapshtë!”

    Më erdhi ndër mend një bisedë e një kolegu të sapo kthyer nga Franca disa vite më parë, ku ndër të tjera më tha: “Në një bisedë me një nga miqtë e mi francezë, ai papritur më tha se ne, francezët ndryshojmë shumë nga ju shqiptarët edhe për faktin se ju keni heronj të vërtetë dhe u hidhni baltë, ndërsa ne marrim baltën dhe me të bëjmë heronj”. Mu kujtua ky fragment i bisedës me kolegun tim vite më parë, teksa shfletoja librin e një gjenerali grek, Jorgos Ifandis, të titulluar “Të mëdhenjtë e mbrapshtë”(I megala apatis”) i cili përmban shkrime me elemente biografik të personaliteteve të ndryshëm, të vendeve të ndryshme dhe të profilit të ndryshëm. Diku nga mesi i librit më tërhoqi vëmendjen një shkrim që mbante datën 5 Nëntor 2012, e hënë me titull “Enver Hoxha ishte grek”(O Enver Hoxha, itan elinas), shkrim i ilustruar edhe me foton e udhëheqësit komunist shqiptar me grushtin lart e buzagaz. Ta lexosh nuk ka kufij të marrëzisë, të lajthitjes, të çudisë, të falsifikimit, që të të ndalë revoltën shpirtërore. Se në fund të fundit, ata që shtrembërojnë dhe keqinterpretojnë faktet i bëjnë dëm të madh historisë, popullit e kombit të vet, si dhe mbarë njerëzimit. Deri tani kemi dëgjuar hipoteza të ndryshme për datëlindjen e Enver Hoxhës, por jo për vendlindjen. Mbarë shqiptarët dhe sidomos bashkëmoshatarët e tij e dinë dhe e kanë shprehur  se vendlindja e Enver Hoxhës është Gjirokastra dhe formimin arsimor e mori në qytetin e lindjes dhe në Korçë, e më pas në Francë. Por fantazia e gjeneralit grek përmbys gjithçka  duke u bërë një personazh përtej atij komik në auditorin shqiptar. Por e çuditshme është fakti që duhet analizuar, se pse grekët dhe kjo nuk është hera e parë në përpjekjet e tyre, duan që Enver Hoxhën ta bëjnë grek? Ku është synimi i tyre? Pra këtu duhet të qëndrojnë dhe të reagojnë historianët, se duam apo s’duam, diktator apo demokrat, Enver Hoxha është pjesë e historisë së Shqipërisë dhe i takon Shqipërisë në kompleksitetin e figurës së tij. Nuk duhen lejuar shtrembërime dhe tallje të tilla nga njerëz që nuk e dinë se historia nuk i fal dhe nuk i pranon falsifikatorët. Po çfarë shkruhet në këtë shkrim të këtij libri? Ja konkretisht: “Enver Hoxha ishte grek”. Enver Hoxha u lind në fshatin Dushia, fshat në Greqi që më pas u quajt Qefanoi, afër Qatros-Korintho. Stërgjyshërit e Enverit  erdhën në Korinth kur ra Kostadinopuli në duart e turqve, bashkë me familjen e tij NOTARA. Në fillim qëndruan në Trikalla-Korintho dhe në vazhdim për të qenë më të siguruar shkuan në Arvanitohor-Dusha-Qefalloi (sot). Meqë kryetari i familjes bënte tregti gruri (një varietet me emrin maragoni), nga ky fakt më pas fisi mori këtë mbiemër, Maragoni. Të dhënat që lexoni (shkruhet në artikull), në vazhdim janë më tronditëse i thotë oficeri i lartë Jorgos Ifandis në librin ‘Të mëdhenjtë e mbrapshtë’), që sipas tij, këto të dhëna i ka marrë nga farefisi i Enver Hoxhës. Kryetari i fisit ishte Apostolis Marangonis, i cili lindi katër djem dhe tre vajza: Jorgo, Aleksandros (Enveri), Leonidha dhe Ataho. Jorgon, më të madhin, e kapën gjermanët si spiun të Intelixhens Servisit anglez, ku pas shumë torturash e lanë të lirë .Aleksandrua (Enveri) mbaroi në universitetin e Athinës si jurist. Shpejt u zbua nga sistemi i Metaksas si i majtë. Në këto situata spiunazhi anglez e përkrahu duke e çuar në Romë tek Papa, ku edhe mësoi shkronjat shqipe. Pastaj e çuan në Paris, ku e përgatitën dhe formuan si komunist dhe kundër krishtërimit katolik. E martuan me një myslimane të tyre dhe së bashku me gruan e dërguan në Kosovë për të organizuar PKSH. Me lekët e anglezëve dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tyre hipi në krye të PKSH. Kështu erdhi në Tiranë ku nxori gazetën “VATRA” dhe të përjavshmen “JAVA”. Më vonë zbriti Zogun nga froni  të cilin e kishin vënë vet anglezët, dhe u bë vet monark dhe vuri në zbatim ateizmin. Më 1943, i veshur si oficer gjerman, udhëtoi me tren gjerman dhe erdhi në Qato të shikojë babanë dhe të afërmit e tij dhe me mbështetjen gjermane erdhi përsëri në Tiranë. Vëllai tjetër, Leonidha, edhe ky i kompromentuar nga shërbimi i fshehtë anglez, u bë oficer i lartë i ushtrisë greke ku shërbeu për shumë vjet dhe ka ardhur edhe në Tiranë dhe takoi vëllanë e tij, Enverin dhe biseduan për problemet e Ballkanit dhe lindjes së mesme,me urdhër të Intelixhens Servisit. Ndërsa vëllai i vogël  u martua me vajzën e vogël të Kostandin Miçotaqisit, motrën e Dhora Bakojanit, me Katerini Miçotaqis. Dhe kjo përbën një çudi se si ish kryeministri i Greqisë e dha vajzën në një familje që nuk e njihte…”.

    Dhe ky artikull, për të qeshur e për të qarë, vijon me marrëzi të tilla. Ajo që theksuam që në fillim është çudia se pse grekët këmbëngulin që Enveri të jetë grek,pse e duan të tyre?! Natyrisht shkrime të tilla hidhen në koshin e plehrave, por reagimi dhe kundërpërgjigjja nga specialistë dhe profesionistët duhet të vijë. Mesa duket zgjuarsia dhe inteligjenca e veçantë e këtij lideri shqiptar, i bën grekët ziliqar dhe duan që këtë pjesë të trurit të dinakërisë shqiptare ,ta kenë të tyren, siç edhe janë shquar gjithmonë për të. Dhe nuk mund t’ia falin një populli si ne etiketimin anglez për Enver Hoxhën “Shqiptari dinak”, e duan për vete, por ja që ai është gjirokastrit dhe nuk i beson askush këto pallavra.