FSHZH fillon punën për rikonstruksionin e rrugës Duhanas – Roshnik

    419
    Sigal

    Ndërtimi i këtij segmenti rrugor do të lehtësojë banorët e më shumë se 6 fshatrave për të qarkulluar në kushte normale transporti

    Komunat Velabisht dhe Roshnik në rrethin e Beratit dhe 7 mijë banorët e saj do të komunikojnë midis tyre dhe me qytetin e Beratit, përmes një rruge të asfaltuar të parametrave bashkëkohore. Rruga Duhanas – Roshnik 11.5 km e gjatë, është një tjetër investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili lidh Komunat Velabisht dhe Roshnik, jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me qytetin e Beratit. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare, BERZH, BEI dhe Bashkimi Europian përmes IPA 2010-2011. Gjendja e rrugës ekzistuese është tejet e amortizuar dhe kalohet me vështirësi nga automjetet. Rruga e vjetër ka qene e shtruar me çakull dhe me gropa. Prej shumë vitesh në këtë aks rrugor nuk është kryer asnjë investim.  Rruga e re do të ketë një gjerësi asfalti 4.75 m dhe dy bankina nga 0.5 m. Ajo do të jetë e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave të bardha, trotuare ne zonat e banuara, mure mbajtës, tombino dhe vepra të tjera arti. Kohëzgjatja e punimeve për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor është parashikuar 12 muaj.  Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit z. Benet Beci së bashku me një përfaqësi të Delegacionit Europian në Tiranë të kryesuar nga François Begeot, kryen një vizite në këtë objekt për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Në bisedën e tij me gazetarët e pranishëm z. Beci ndër të tjera tha: “Segmenti rrugor Duhanas – Roshnik punimet e të cilit sapo kanë filluar do të lidhë me rrugë të asfaltuar komunat Velabisht dhe Roshnik jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me qytetin e Beratit. Ky investim mjaft i rëndësishëm për 7 mijë banorët e kësaj zone, është pjesë e një sërë ndërhyrjesh që FSHZH po kryen në Qarkun e Beratit në kuadër të strategjisë së zhvillimit të këtij Qarku. Deri më tani, vetëm në kuadër të këtij programi janë financuar 105 km rrugë dytësore. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor do të lehtësojë banorët e më shumë se 6 fshatrave në këto dy komuna për të qarkulluar në kushte normale transporti duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore dhe tregjet. Fermerët do të kenë mundësi të transportojnë produktet e tyre në tregun e Beratit në një kohë më të shkurtër dhe me kosto të ulët. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një tjetër përfitim real për banorët e këtyre komunave”. Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian, tha: “Bashkimi Europian ka mbështetur këtë program të Qeverisë Shqiptare, me një kontribut prej 55 milion eurosh, që do të shërbejnë për rehabilitimin e 250 km rrugë rurale. Nëpërmjet IPA 2013, një fond shtesë prej 12 milion euro do t’i jepet Qeverisë Shqiptare për rehabilitimin e rrugëve rurale.                                                                                          Ne jemi duke punuar së bashku me partneret tanë të BERZH-it, BEI-it dhe KFW-së për realizimin e këtij programi të rëndësishëm. Doja të theksoja që ky projekt po zbatohet me sukses nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që është një institucion me kapacitete dhe eksperiencë për menaxhimin e projekteve të zhvillimit rajonal në Shqipëri”.

    Në funksion të një ndërhyrjeje rajonale për zhvillimin e Qarkut Berat, FSHZH ka investuar në prioritetet kryesore të infrastrukturës, të cilat kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin rajonal dhe lokal.