Formula e re për profesionet e vështira dhe funksionarët e lartë

    435
    Sigal

    Skema e re e pensioneve rrit moshën, efektet që në vitin 2015

    Skema e re e pensioneve do të nisë të zbatohet duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm. Reforma e pensioneve, që tashmë është gati dhe pritet të diskutohet publikisht me grupet e interesit dhe me publikun, parashikon ndryshime të moshës me efekte që në vitin pasardhës, ndryshe nga çfarë është premtuar. Përveçse rritje të moshës së pensioneve për gratë dhe për burrat drafti i ri parashikon që ndryshime të moshës të ketë edhe për disa kategori të tjera punonjësish, siç janë ata të profesioneve të vështira, ku bëjnë pjesë edhe minatorët, si dhe funksionarët e lartë të shtetit. Për punët e kategorisë së parë, ku futen profesionet e vështira, propozohet që mosha e pensionit të ulet me 5 vite, pra nga 60 vjeç që është aktualisht të shkojë në 55 vjeç. Ndërsa për rreth 7000 funksionarë të lartë të shtetit, si: deputetë, gjyqtarë, prokurorë etj., të cilët aktualisht dalin në pension kur mbushin 55 vjeç, propozohet një rritje e konsiderueshme e moshës. Për këto kategori parashikohet që mosha e pensionit të jetë e barabartë me pjesën tjetër të popullsisë, si dhe të mos përftojnë më prej skemës së pagesave suplementare.

    GRATË

     Drafti i ri për reformën e pensioneve parashikon që duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm, mosha për gratë të rritet me 2 muaj për çdo vit kalendarik deri në vitin 2032. Rritja do të prekë edhe gratë që aktualisht janë në prag pensioni. Pra, një grua që sipas ligjit aktual e plotëson moshën e daljes në pension në muajin janar 2015, sipas ligjit të ri, asaj do t’i duhet të presë edhe dy muaj për ta ligjëruar të drejtën e pagesës së pleqërisë në mars. Në draftin e ri për reformën e pensioneve është parashikuar që mosha për gratë të shtohet në mënyrë graduale me 2 muaj në vit deri në vitin 2032, kohë kur do të arrihet edhe efekti maksimal i rritjes së moshës me 3 vite. Për rrjedhojë, që nga viti 2032 e në vazhdim, mosha e pensionit për gratë në vendin tonë do të jetë 63 vjeç.

     BURRAT

     Bazuar edhe në rekomandimet e bëra nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilat i sugjeruan qeverisë shqiptare që të rriste me 3 vite moshën e pensionit për gratë dhe me 2 vite për burrat, edhe për këta të fundit parashikohet një rritje graduale e moshës. Hartues të draftit të ri të pensioneve bëjnë të ditur se për burrat rritja e moshës me një muaj për çdo vit do të fillojë pas vitit 2025, citon Panorama. Sipas kësaj skeme, rritja e moshës do të vijojë deri në vitin 2052, kur burrat të kapin moshën 67 vjeç për të dalë në pension. Sipas hartuesve të draftit, rritja reale e moshës së pensionit me 3 vite për femrat dhe 2 për meshkujt do të jetë e plotë për fashën e popullsisë që sot është rreth 40 vjeç. Rritja e moshës së pensionit për të dyja gjinitë është bërë duke u bazuar edhe në të dhënat për rritjen e jetëgjatësisë. Sipas projeksioneve të bëra, në vitin 2045, rreth 30 për qind e popullsisë do të jetë në moshë pensioni.

      REFORMA

    Reforma pritet të zgjidhë dy problemeve thelbësore të skemës aktuale të pensioneve, që janë deficiti i lartë dhe numri shumë i ulët i kontribuuesve. Sipas ministrit skema e re do të garantojë pensione në përputhje me nivelet e kontributit të gjithsecilit në këtë skemë. Për këtë qëllim, do të hiqet çdo lloj kufizimi i pensionit maksimal duke e lidhur masën e pensionit vetëm dhe vetëm me kontributet e derdhura. Praktikisht ai që do të kontribuojë shumë do të marrë shumë dhe kush do të kontribuojë pak do të marrë pak.

     PENSIONI SOCIAL

    Për personat që s’kanë pasur mundësi të derdhin kontribute propozohet vendosja e një pensioni social, që do të jetë një pagesë e ngjashme si ajo e ndihmës ekonomike që marrin sot familjet në nevojë. Pensioni social nuk zëvendëson pensionin që rrjedh nga skema e kontributeve, përsa i përket masës dhe moshës së përfitimit. Qëllimi i tij i vetëm është që të sigurojë që në të ardhmen një person në moshën 70- vjeçare, i cili e gjen veten jashtë kritereve të përfitimit të skemës kontributeve të pensionit, të mund të mbështetet në solidaritetin e shoqërisë për të siguruar nevojat e tij minimale. Ndërsa i duhet të vërtetojë nevojën e pensionit, si dhe mungesën e të ardhurave alternative.

    Ndryshimet e skemës së re

     Heqja e tavanit maksimal të pensionit

    Pension social për personat mbi 70 vjeç

    Masa e pensionit sipas kontributeve të derdhura

    Propozohet rritja e moshës së pensionit për gratë me 3 vite

    Rritja e moshës me 2 muaj në vit nis në janar 2015

    Rritja e moshës do të përfundojë në vitin 2032

    Në vitin 2032 mosha e pensionit do jetë 63 vjeç

    Propozohet rritja e moshës së pensionit për burrat me 2 vite

    Rritja e moshës me 1 muaj në vit do nisë në vitin 2025

    Rritja e moshës për burrat do të përfundojë në vitin 2052

    Në vitin 2052 mosha e pensionit për burrat do jetë 67 vjeç

    Parashikohet ulja e moshës së pensionit për profesionet e vështira me 5 vite

    Mosha e pensionit për funksionarët e lartë të jetë sa pjesa tjetër e popullsisë