Skandali, oferta të veçanta në tregun e lirë: Doni tritol!

446
Sigal

Bllokimi në treg i 100 kallëpeve tritol gjatë 24 orëve të fundit dhe ndalimi i 4 personave, apel për goditjen e krimit nga policia

Nëse kontrollet policore do të zbulonin në kohë ‘magazinat’ ilegale të tritolit, bazat, ku mbahet lënda plasëse pa leje dhe shitësit e tritolit do të kishin frikë të shisnin mallin pa u shqetësuar, atëherë rastet e tritolvënies, dëmeve e viktimave të shkaktuara do të minimizoheshin dukshëm. Por tritoli mund të blihet sot nga kushdo, të cilit i mjafton pak interesim dhe sigurisht ka gati dhe paratë. Rasti i fundit, ku policia kapi gjatë 24 orëve të fundit në treg shitje 100 kg tritol dhe arrestoi katër persona, e tregon më së mirë këtë fenomen shqetësues…

NGJARJA E FUNDIT

Në afërsi të Fushë-Krujës, në çastin kur po shkëmbenin 30 kg tritol me mijëra euro, në orën 5 të mëngjesit të një dite më parë uniformat blu u vunë prangat 4 të rinjve, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Kësisoj, operacioni “Detonatori” arriti të shkatërroj bandën prej 6 personash që furnizonte me lëndë eksplozive grupet e tjera kriminale që operojnë në Tiranë e Fushë-Krujë. Burime të mirinformuara pranë Drejtorisë së Policisë së Durrësit thanë për median se 100 kallëpet e tritolit ishin porositur nga kriminelë që kishin ndërmend të kryenin disa atentate, porse kohët e fundit grupi i të gjashtëve ishte bërë tepër i kërkuar në botën e krimit, pasi sasia e tritolit (gati për atentat, pra e lidhur me kartën SIM të telefonit, në pritje për thirrjen shpërthyese), sa vjen dhe po reduktohet për shkak të dhjetëra operacioneve policore dhe sekuestrimeve të kohëve të fundit në Tiranë, Shkodër, Korçë, etj..
RASTE TË TJERA

Janë shumë raste kur policia ka gjetur tritol në zona të ndryshme të vendit, deri dhe në afërsi apo në tregje. Tritolvëniet e fundit tregojnë se ky mall i rrezikshëm ekziston me shumicë në Shqipëri dhe nuk është vështirë që ai të jetë apo të sigurohet fare lehtë nga grupet kriminale. “Nuk është vështirë të gjesh tritol sot… Me pak mundim, dhe sigurisht me para, mund të sigurosh sa kallëpe të duash, deri dhe me kilogram. Ndoshta, kjo lirshmëri sigurim i malli të kujton kohën pas trazirave të vitit 1997 kur kallashnikovët shiteshin në tezga krahas veshmbathjeve apo kinkalerive. Në përputhje me markën e prodhuesit (kinez apo të Gramshit), mund të blejë sa të dojë. Kështu po ndodh pothuaj dhe me tritolin në këtë kohë. Një ditë me dy shokë po pinim kafe në tregun e qytetit, Në këtë kohë, në televizor u lajmërua një shpërthim tritoli. Nisëm të diskutonim me njëri-tjetrin se si gjendet, ku gjendet e pse nuk kapen këta njerëz që shesin tritol. Na afrohen dy të rinj dhe na thonë: Mos doni te blini tritol! Pamë disi me habi… Të rinjtë ikën pasi kuptuan se nuk ishim blerës tritoli”,- na pohoi një 40-vjeçar nga kryeqyteti.

AKTIVITETI TERRORIST

Nisur nga statistikat e muajve të fundit, shpërthime tritoli (disa me pasojë vdekje) kanë ndodhur në automjete, në banesa, deri dhe në institucione shtetërore. Vetëm komisariati i policisë së Fushë-Krujës është bërë objekt shpërthimi me tritol, tri herë. Zyrtarisht, për këtë akt të rëndë të ndodhur në banesë e bluve që përgjigjen për rend e qetësi, deri tani nuk ka emër të autorëve të tritolvënies. Nga policia konfirmohet dyshimi se të arrestuarit e 24 orëve të fundit me 100 kallëpe tritol duke i shitur, dyshohet të jenë furnizuesit me lëndë të parë në disa shpërthime. Shpresohet që nga hetimet në vazhdim, të saktësohet kjo pistë, në mënyrë që ‘lufta me tritol’ të frenohet. Por lirshmëria e mbajtjes së tritolit apo tregtimi i tij, mbeten një fenomen tepër shqetësuar që duhet të vihet nën ‘fre’ nga policia dhe organet e drejtësisë.