Ferdin Liçaj: Dëmtimet në pyje kanë ardhur nga mungesa e shtetit ligjor

    497
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Ferdin Liçaj, inxhinier pyjesh

    – Pyjet në regjimin komunist ruheshin me fanatizëm. Rojat ishin non- stop. Si çdo pasuri tjetër e vendit tonë, në regjimin komunist pyjet dhe kullotat, ishin pronë e shtetit ose për të qenë më të saktë administroheshin si pasuri të patundshme shtetërore. Pas ndryshimeve politike rrënjësore që ndodhen nga viti 1991 e në vijim u konstatua se këto pasuri nuk ishin të regjistruara si të tilla në asnjë hipotekë, pra nuk gëzonin atributet e pronave juridike të shprehura në dokumentet e njohur të çdo pronësie. Në këtë kontekst administrimi dhe ruajtja e pyjeve mbështetej nga një ligj i posaçëm, i cili titullohej  Ligji mbi pyjet. Në çdo rreth (në atë kohë kishte 24 rrethe) shteti kishte ngritur një ndërmarrje, e cila merrej me mbrojtjen dhe administrimin e pyjeve; Njësia bazë administrativë e ndërmarrjes ishte sektori dhe për sektorin ishte zona; në çdo zonë kishte një teknik pyjesh i cili kishte mbaruar shkollën e mesme pyjore në Shkodër; tekniku kishte për detyrë të zbatonte projektet që hartoheshin nga dega teknike dhe miratoheshin nga këshilli teknik i ndërmarrjes në përputhje me planin vjetor të miratuar nga drejtoria e përgjithshme e pyjeve dhe kullotave pranë ministrisë së bujqësisë në Tiranë.

    – Për 24 vjet janë prerë drurë pyjorë vend dhe pa vend për ndërtime. A duhet të ketë kritere për prerjen e tyre?

    Sigurisht, ka pasur një fenomen të tillë. Por në Tiranë jo. Në kryeqytet nuk kam konstatuar të priten pemë në mënyrë arbitrare nga qytetarët. Këtë e them me “kompetencë” sepse unë nuk përdor makinë apo biçikletë, por eci vazhdimisht në këmbë, rrugëve dhe shesheve të Tiranës dhe, për shkak të profesionit, sytë i kam si kamera vëzhguese. Mund të them se janë prerë drurë kur është marrë një leje ndërtimore nga bashkia ose për arsye shtetërore të ndërtimit ose zgjerimit të rrugëve automobilistike, shesheve publike etj., në këto raste, prerja e drurëve quhet “e sforcuar”, por është e ligjshme.

    – Si specialist mund të na thoni si filloi shkatërrimi i pyjeve shqiptare?

    Po! Për këtë nuk do një filozofi të madhe. Kjo gjë tashmë dihet nga të gjithë banorët e Shqipërisë. Unë nuk mund të them asgjë të re sepse dihet mjaft mirë se, cilët ishin hajdutët e pashpirt të kësaj pasurie shekullore të popullit tonë. Nuk vazhdoj më me komente në këtë pikë sepse e kam fokusuar mendjen te e sotmja dhe e nesërmja. Gjithmonë kam qenë i bindur dhe vazhdoj të jem i tillë në një gjë: Çdo fatkeqësi, çdo varfëri, çdo trazirë, çdo krim që është bërë në vendin tonë të shenjtë ka vetëm tri fjalë kyç që e shpjegojnë: Mungesa e shtetit ligjor.

     – N.q.s kthehemi në retrospektivë, mund të na thoni diçka të saktë për pyjet shqiptare në regjimin komunist?

    Për atë kohë kishim statistika të sakta. Sipas statistikave institucionale që publikoheshin atëherë, sipërfaqja pyjore në Shqipëri kapte shifrën e përafërt të 1 milion hektarëve; sot kjo shifër padyshim që është ulur paksa për arsye të heqjes së shumë sipërfaqeve nga fondi pyjor për t’u përdorur për ndërtime, terrene fabrikash për prodhim çimentoje, gëlqereje, çakulli, gurore, terrene ndërtimesh etj..Në fakt dua të theksoj, sa për kulturë të lexuesit, se pyje të lartë, pra nga ata pyjet klasikë me të cilët është mësuar syri apo imagjinata e çdo qytetari të zakonshëm, janë shumë më pak se shifra që përmenda më lart; sipas meje unë gjykoj se kjo shifër nuk e kalon masën e rreth treqind mijë hektarëve; pjesa tjetër përbëhet nga shkurret, gjysmë-shkurret dhe sipërfaqet me bimësi pyjore.

    – Duke e krahasuar me sot si ruheshin pyjet në atë sistem?

    Si ruheshin? Me roja. Çdo pyll, zonë, kishte rojën e vet. Pylltari i zonës kishte për detyrë gjithashtu të garantonte mbrojtjen e pyjeve nga dëmtimet me karakter të ndryshëm (Prerjet abuzive, zjarret); ai ishte në të njëjtën kohë edhe monitoruesi i ecurisë silvikulturale të grumbujve pyjorë si dhe ngjarjeve të tilla si dëmtues apo sëmundje që kishin karakter masiv;  të gjitha të dhënat ai i raportonte në sektorin pyjor të cilit i përkiste administrativisht. Për mbrojtjen e pyjeve në atë kohë kishte një organizim strikt, veçanërisht gjatë periudhës së nxehtë të vitit kur kishte raste të shfaqjes së zjarreve spontanë në pyje te ndryshëm, kryesisht rrotull zonave të banimit.

    – Po Tepelena, në atë regjim, sa ha pyje kishte dhe cilat ishin drurët kryesorë?

    Mund të them se Tepelena është deri diku zonë pyjore. Rrethi Tepelenë kishte gjithsej 17000 ha pyje. Llojet kryesorë që rriten në këtë hapësirë gjeografike të vendit tonë përbehen kryesisht nga dushqet e njohur në gjininë e të cilëve përfshihet edhe Prralli, Bliri, Rrapi. disa lloj shelgjesh, Vërriu, Dafina, Panja, Krekëza, Frashëri Plepi i Egër, Shkoza, Mëlleza, Bredhi, Qershia e Egër, Kumbulla e Egër etj..

    – Kujdesi ishte i vazhdueshëm. Udhëheqësit e kohës, a vinin për vizitë në pyjet e Tepelenës?

    Kujdesi ishte. Por, udhëheqësit e asaj kohe nuk ishin aq populistë sa të vinin e të vizitonin pyjet në Tepelenë. Këtë ata mund ta bënin shumë rrallë në Pukë ose në Fushë-Arrëz, ku pyjet përbënin një pasuri mjaft të ndjeshme për ekonominë kombëtare dhe siguronin të ardhura dhe lëndë të parë për realizimin e planeve 5-vjeçare. Por sidoqoftë pyjet e Tepelenës vizitoheshin nga nëpunës të lartë të nomenklaturës si ç’ishte drejtori i Përgjithshëm i Pyjeve dhe i Kullotave ose Kryetari i Kontrollit të Shtetit, të cilët merrnin informacione të drejtpërdrejta për të verifikuar nëpërmjet sondazheve të dhënat që jepeshin nga ndërmarrjet e pyjeve në raportet vjetorë.

    – Udhëheqësi shprehej në çdo drejtim. Thuhej se Enver Hoxha shprehte mendime edhe për pyjet, a është e vërtetë?

    E vërtetë. Enver Hoxha fliste në çdo kongres për pyjet, madje, më kujtohet një shprehje lapidar, e cila figuronte kudo në mjediset e ndërmarrjeve pyjore të Shqipërisë, shprehje e formuluar mjaft bukur dhe me përmbajtje të plotë. Megjithatë, pati plot probleme edhe në atë kohë sidomos në drejtim të asaj që sot theksojmë vazhdimisht: ‘Menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve”.

    -Pyjet kanë dhe kafshë të egra. Çfarë kafshë të egra. rriteshin në pyjet e Tepelenës?

    Po citoj: ujkun, dhelprën, derrin e egër, sorkadhen, lepurin e egër, Baldosën, Lundërzën, Shqiponjën, Skifterin, Larashin, Sorrën, Thëllëzën e Malit, Laraskën, Grifshën, Mëllenjën etj.. Kishte një popullim të dukshëm atëherë më kafshë dhe shpendë të egër ndonëse në vitet ‘80 nisën gjuetinë abuzive, kryesisht natën, pra kontrolli i rreptë u zbut dhe numri i armëve u shtua.

    -Në atë sistem si bëhej prerja dhe ripërtëritja e pyjeve në sistemin komunist?

    Kishte rregull. Sistemi kishte mangësitë e veta, por rregulli mbizotëronte. Atëherë kishte ndërmarrje shfrytëzimi, të cilat kishin të gjithë personelin dhe infrastrukturën e nevojshme për të kryer me sukses operacionet e shfrytëzimit të pyjeve. Këto ndërmarrje bashkëpunonin me ato të pyjeve dhe secila sipas kompetencave ligjore luante rolin e saj dhe kishte përgjegjësi të veçanta në drejtim të zbatimit rigoroz të ligjeve dhe të monitorimit hap pas hapi të çdo operacioni që kryhej. Gjithçka konvergonte në një pikë të vetme: “Pylli të shfrytëzohej dhe ripërtëritje e tij natyrore të sigurohej konform standardeve teknike silvikulturale”

     – Të flasim me zona. Konkretisht, ku kanë qenë pyjet më të zhvilluar në vend dhe cilët ishin drurët kryesorë?

    Ka pas disa vende. Pyjet më të zhvilluar në vendin tonë kanë qenë në rrethet Pukë, Kukës, Mirditë, Tropojë, Librazhd, Bulqizë, Shkodër, Mat, Kolonjë dhe Dibër.

    -Në regjimin komunist çfarë drurësh pyjor ka eksportuar Shqipëria dhe çfarë ka importuar?

    Konkretisht, në atë kohë personalisht nuk kisha dëgjuar të flitej për eksport lënde drusore nga Shqipëria drejt vendeve të tjerë; as nuk kisha dëgjuar për import të kësaj lënde. Si të gjithë shqiptarët e asaj kohe isha në dijeni për kombinatet e përpunimit të drurit ku përpunohej dhe prodhoheshin asortimentet kryesorë drunorë si ç’ishte lënda e sharruar, kompensata, fibra, pllakat prej tallashi etj. ashtu sikurse dihej që mobiliet dhe orenditë e tjera shtëpiake ose institucionale që ishin prej druri prodhoheshin në qytete te ndryshme të vendit (Fushë- Arrëz, Elbasan, Tiranë, Pogradec dhe Vlorë).

    – Të hyjmë në krahasime. Si vend a jemi ndër vendet me më shumë pyje për numrin e popullsisë?

    Në këtë drejtim, më vjen keq, por përgjigja ime në këtë rast nuk është shumë optimiste. Më lejoni të citoj njërin prej vendeve perëndimorë që ka 22 milionë ha me pyje. Ky vend është Franca me një popullsi prej 64.5 milionë banorë; pra çdo banori këtu i takon mesatarisht 0.3 ha pyll. Në fakt me shifra edhe ne aq na takon por fakti te ne nuk përkon me termin “Pyll” si në Francë.

     Albert Z. ZHOLI