Enver CAKAJ/ Kur gjëmonte Qafa e Shkozës…

    478
    Sigal

    Ajo zonë nuk ka gjëmuar vetëm nga armët. Ka gjëmime më të rënda, që ta marrin jetën pak e nga pak. Më shumë se sa armët popullin e vriste vetë regjimi. Jo me pushkë, por me taksa e marifete që ishin të padurueshme. Sipas një dokumenti, që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, në vitin 1932 në zonën e Therepelit ka ekzistuar një taksë e çuditshme, që emërtohej “Taksa e gjakut!”, e përkthyer ndryshe ajo lexohet “taksa që të merr jetën”. (AQSH, dosja 06, fondi 227). Dhe këto gjëmime kanë vazhduar derisa të gjitha llojet e armëve pushuan e populli nuk mori më frymë me supe.

    Vitet e luftës ishin vite vdekje. Ca i vdiste lufta, ca skamja. Ka pasur skena drithëruese në ato vite. Shkonin njerëzit pazareve të blinin drithë dhe i gjenin rrugëve të vdekur mbi thesin e misrit! Kaq vrastare kanë qenë ato vite. Njerëzit nuk kishin ku të punonin dhe duronin atë egërsi të regjimeve nga halli. Memo Metua ishte punësuar sekretar i komunës së Therepelit, por së brendshmi e gërryente urrejtja ndaj regjimit dhe e braktisi punën. Por kjo do të thoshte të braktisje jetën e familjes. Regjimi e dinte dhe i ndiqte, po nuk i gjente dot më. Më shumë flet kjo letër e Prefekturës së Beratit:

    “Mbretëria Shqiptare, Berat, 25.04.1942

    Prefektura e Beratit, nr.501/8

    Ministrisë Punëve të Brendshme

    (Drejtorisë së Personelit)

    Tiranë

    Informohemi me siguri se sekretari i komunës së Therepelit, z.Memo Meto, për arsyet e parashikueme me telin tonë të mësipërm, megjithëse ka marrë edhe rrogat e disa muajve nga subvencioni prej 2000 franga shqip, i lëshuemë nga ajo ministry, tash vonë ende nuk ashtë kthyem në krye të detyrës dhe as që ka për të shku e kështu në Therepel shërben vetëm kryetari i asaj komune. Çështja i referohet asaj ministrie për të disponue, ose shkarkimin e tij nga detyra dhe emnimin e një sekretari tjetër…ose të transferojë të përmendunin në një komunë tjetër dhe në Therepel të dërgohet një sekretar tjetër mbasi me një kryetar vetëm nuk mund të kryhen veprimet e komunës. Rilutemi një zgjidhje të shpejtë të çështjes”.( AQSH, dosjë 2, fondi 204)

    Prefekti, Hasan Alizoti

    Lëvizja nacionalçlirimtare sa vinte dhe ja shkurtonte jetën atij regjimi. Çetat i kishin shtuar veprimtaritë luftarake. Në Therepel ato shkuan dhe e bastisën komunën dhe punonjësit morën  arratinë. Prefektura e Beratit vinte alarmin vetëm me shkresa:

    “Mbretëria Shqiptare, Berat,15.12.1942

    Prefektura Berat, nr.159/10

    Ministrisë Brendshme

    Tiranë

    Kemi nderin t’u njoftojmë se në datën 7.12.1942 në mesnatë u largue karabininieria e stacionit komandës Therepelit mbasi është informuar se qe rrethuar prej çetave rebele. Mirëpo autoritetin e komunës si dhe sekretarin politik,(mësuesin e katundit) nuk e lajmëruam mbasi nuk patëm kohë. Të nesërmen në mëngjes, në mesnatë vinë në komunën e Therepelit dhe në mëngjes shkuan në stacionin e karabinierisë dhe shkatërruan të gjitha placket që ishin brenda, duke i djegur të gjitha aktet dhe librat që kishte. Më vonë kërkuan çelësin e komunës dhe me të hyrë Brenda pyetën: “Pse i mbani akoma fotografitë e N.M. mbretit Perandor dhe të shkëlqesisë së  tij, Duçes?”, të cilat i muarën dhe i grisën me njëherë. Në komunë gjë tjetër nuk trazuan.

    Në datën 11.12.1942, arriti fuqia qeveritare, të cilët u takuan me autoritetet e vendit dhe kërkuan çelësin e shkollës dhe të komunës për të fjetur ushtria dhe milicia. Mirëpo ushtria dhe milicia në kohën kur autoritetet ishin bashkë me komandantët përpara stacionit të komunës së karabinierisë, ata kishin hyrë brenda në komunë dhe duke thyer dyert me forcë dhe sirtarët e tavolinave dhe i kishin grisun e djegun shumë dosje me akte, kishin grisun e marrë dhe pullat e monopolit që mbaheshin nga gjendja e arkës për nevojat e popullit. Veç kësaj kishin hyrë në dhomë fjetjen e personelit të komunës dhe të mësuesit të asaj qendre, ku muarrën të gjitha rrobat e fjetjes së veshmbathjes dhe gjërat ushqimore që ndodheshin në atë dhomë. Prej ushtarakëve dhe milicies, që ishin bashkë me ta përpos përsa u parashtruam sipër, janë marrë dhe zhdukun edhe gjithë vulat dhe landë shkresurinat e zyrës së komunës. (AQSH,dosja 285,fondi 152)

    Për kryetarin e komunës, Alush Buntrid

    Qafa e Shkozës e di se ç’luftë bënë djemtë e nënave atë qershor të vitit 1944. Komandanti i Batalionit të tretë të Brigadës së shtatë, Gani Nivica, kontrollonte vijën e zjarrit. Breshëritë e armëve gjithfarëshe gjëmonin tej e tej asaj zone të thyer. Vrapoi t’u shpëtonte predhave që i këmbeheshin para trupit të tij, por sa të futej në një stenë mbrojtëse e të qëllonte kundër gjermanëve, një predhë murtaje e godet për vdekje. Ai vend mbeti si i shenjtë. Gjaku i Ganiut nuk u shua për dy vite rresht edhe pse shirat binin me gjyma. Atëherë nuk kishte mundësi t’i ngrinin një lapidar trimit dhe të gjithë sa kalonin atë qafë, hidhnin nga një gur në shenjë respekti. Ata gurë u bënë aq shumë, sa i ngjanin një lapidari. Në vitin 1949 në atë qafë erdhi vet nëna e Ganiut dhe tok me Dule Zaimin, Arif Dervishin dhe Smailin, i shpunë eshtrat në Nivicë. Që atë ditë asaj qafe i mungoi një njeri, por gurët nuk pushuan së hedhuri në vendin e rënies. Katër ditë e net në luftë të rreptë. Gjermanët  sulmuan të egërsuar nga humbjet dhe dogjën stanet e barinjve me pikësynim të digjnin disa shtëpi që ndodheshin përballë. Aty pranë ishte një qivur, ku preheshin eshtrat e një nëne. Neshat Hysi shpejton, hun në qivur, që ishte si pozicion luftimi dhe me mitralozin e tij, ua preu rrugën e krimit gjermanëve. Aty u vranë Aliko Gllava, Eqrem Bukali, Adem Ymeri. Lufta kishte dhe ndëshkime për gabimet që bënin partizanët e komandantët. Për tërheqjen e Batalionit në atë betejë u dënua Hasan Çobani, duke i hequr armën. Të duket si ndëshkim i lehtë, por të ndodhesh pa armë në një betejë,do të thotë se je i vdekur. Ai e shleu këtë faj në beteja të tjera dhe kur arriti Brigada në Shkodër e vunë sërish komandant Batalioni.

    Ishin ato ditë kur forcat partizane do të mbronin kalimin e gjermanëve në zonën e Përmetit, ku zhvillonte punimet Kongresi i Përmetit. Në ato shpate, i plagosur e qorruar nga sytë luftonte me armë e me gurë trimi i Leshnjes Ferit Bregu, i cili mbeti atje si shenjë e atyre luftërave. Këto ditë u përkujtua 70-vjetori i asaj beteje të Qafës së Shkozës. Nuk ishte atje Gani Nivica me ata që mbetën në atë qafë, por pushkët e tyre gjëmonin ende atyre brigjeve e qafave. Atje ishte dhe gjaku i tyre, që stolisi vendin.