Enrieta Sina: Kush është i mirë në familje, është edhe një qytetar i mirë

    89
    Të punosh me kulturë, kudo qofsh është një hap i rëndësishëm për tu perfeksionuar sa më mirë dhe për të pasur mirënjohje shoqërore. Rasti ma dha të njihem me Sadete Nasufin, rrobaqepëse, një grua e qetë, e matur, e duruar dhe e talentuar për punën që bën si rrobaqepëse. Ishte vitit 1989 kur ajo kreu kursin për rrobaqepëse në Tiranë. Edhe pse një vajzë e brishtë dhe e vullnetshme, ardhur nga fshatrat veriore, nga Krasta e Martaneshit, nxitoi për të marrë rrugën drejt Tiranës dhe për të bërë realitet ëndrrën e saj. Tregon se qysh fëmijë i ka pëlqyer ky profesion. Mbaroi shkollën e mesme me rezultate të mira, por dëshira për të qenë rrobaqepëse e bënë që të kapërcejë fshatin, ndofta dhe opinion ndryshe dhe t’i nënshtrohet kursit të rrobaqepësisë në Tiranë. Mbasi mbaroi kursin nga ku mori vlerësimet maksimale u njoh me Adhurimin, nga Klosi i Burelit. U fejuan dhe u martuan për të krijuar familjen e tyre. Pas kursit, afërsisht një vit më vonë, ajo nisi punën si rrobaqepëse dhe muaj më vonë me iniciativë hapi rrobaqepësinë e saj, të vogël, me dy-tre makina qepëse. Banuesit e lagjes së Kamzës tregojnë, se si kjo rrobaqepësi e vogël, po shërbente mjaft mirë për ta dhe se veçanërisht gratë dhe vajzat u bënë klientët e para të saj. Njohuritë e marra në kurs, por dhe nga rrobaqepëset me përvojë sollën rritje të cilësisë së qepjes së veshjeve të ndryshme nga banorët. “Fillimisht ndodhte dhe të mos kisha cilësinë e dëshiruar gjatë qepjes, por nuk kam qenë asnjëherë e kënaqur nga gabimet sado të vogla të ishin. I rikthehesha punës ndodhte dhe nga fillimi pa menduar më gjatë. Jam marrë vesh mjaft mirë me klientet e mia dhe kur i kujtoj gabimet e para ndihem edhe sot jo mirë. Adhurimi, duke qenë dhe mekanik më ka ndihmuar mjaft dhe për riparimet e makinave qepëse dhe mjeteve të tjera të punës që i përkasin një rrobaqepësie. Tani Adhurimi ka klientelen e tij për riparime të makinave qepëse.. I vijnë kërkesa jo vetëm nga Kamza por dhe Tirana dhe qytete të tjera. Sadetja kërkon ato lloj copash stinore që i përgjigjen shijeve të banorëve ku jeton dhe banon, poshtë Universitetit Bujqësor, në atë që quhet “Bulevardi blu”.Tani ajo rrobaqepësi e vogël e saj ka zgjeruar ambientin madje ka dhe një ndihmëse për punën që bën, Griseldën, të përkushtuar për procese të ndryshme të punës, për të cilat vet Sadetja ka besim. “Nga puna dhe sjellja e Sadetes unë kam mësuar shumë. S’e mendoja të ndodhesha në raporte të tilla profesionale dhe shoqërore kaq të harmonishme me Sadeten. Ka një durim për tu admiruar dhe ndodh ndonjëherë të fajësoj veten për të qenë më e kujdesshme që të marr nga ky profesion i bukur sa më shumë, thotë Griselda. Nuk di pse, ndërsa shkruaja pak rreshta për punën e mrekullueshme të Sadetes mu kujtua një thënie e Tolstoit: “Arti është një nga kushtet e jetës njerëzore, ai është mjet komunikimi ndërmjet njerëzve”. Dhe Sadetja di të punojë me art. Në raftet e tavolinave të punës gjen revista të modës të botuara në vend por dhe të huaja. Ato ua tregon vajzave dhe grave për të gjetur mundësinë për tu afruar sa më pranë shijeve dhe dëshirave të tyre. Duke qenë tashmë një profesionaliste me përvojë arrin të realizojë punë të ndryshme dhe modele të llojeve të shumta, edhe pse në dukje të vështira. Për çdo proces pune të realizuar, përdor kasën, sepse siç thotë ajo kështu jam në rregull me veten dhe shtetin. Ka ndodhur që ndonjë kliente ka debatuar për ndonjë vonesë të vogël por Sadetja me atë natyrën e saj të qetë dhe me kulturë i ka thënë: ”Pse mërzitesh..Dhe shumë pak punë kam. Na i fal këtë herë.Por ç’ti bësh është periudhë dasmash dhe jemi shumë të ngarkuara me punë. Unë e di që do më falësh apo jo dhe i buzëqesh. Klientja qetësohet dhe duke buzëqeshur i përgjigjet: “Ke të drejtë, për gjysmë ore unë po irritohem kot. Të na falësh moj Sadete, po kështu jemi ne, të nxituara, shton gruaja dhe ndërkaq gjithçka mes tyre kalon harmonishëm. Duke qenë se ajo e ka ngritur këtë rrobaqepësi të vogël në anë të rrugës pranë shtëpisë, diku midis Universitetit Bujqësor dhe qytetit të Kamzës, më thotë se dhe fakti që kjo zonë është e populluar nga banorë verior, ajo njeh mirë temperamentet e tyre dhe u tregon ato modele që i përshtaten shijeve në moshë dhe gjini të tyre. Sadetja është një rrobaqepëse që punon me cilësi, por dhe një nënë shembullore. Ka dy djem, Andin, djalin e madh që punon dhe studion për inxhinieri mekanike dhe Lorencin, në vitin e dytë të shkollës profesionale, me drejtim informatikë. Lorenci ka talent të veçantë për kërcim dhe në Pallatin e Kulturës të Kamzës, instruktori Avni Ndreu tregon, se që nga koha e ngjitjes në skenë Lorenci është nga më të talentuarit, madje këtë kërcim të bukur, ai e ka demonstruar dhe në skenat jashtë shtetit. E takoj Sadeten, bashkëshortin e saj Adhurimin, dy djemtë e mrekullueshëm dhe them me bindje, se kush është i mirë në familje është edhe një qytetar i mirë.