Engjëll FINO/ Vepra monumentale e lënë në harresë dhe mjerim

    330
    Sigal

    Kalldrëmet e Gjirokastrës

    Një ndër mrekullitë e vlerave arkitekturore të qytetit Muze të Gjirokastrës, është rrjeti i kalldrëmeve që gjarpëron me një bukuri mahnitëse në pesë rrugët e pazarit 300 -vjeçar. Para gjashtë vjetësh, është marrë në mbrojtjen e UNESCO- s. Kjo vepër e papërsëritshme, është pasqyrë e arit të gurgdhendësve të talentuar gjirokastritë. Pasi pushtuesit fashistë – nazistë shkatërruan me bombardime, dëme të konsiderueshme në kalldrëmet e Pazarit dhe u desh një punë e madhe për shtrimin e tyre. Në vitet e mëvonshme fantazia artistike u shtri në kalldrëmet e reja, që do të përshkonin kilometra të tëra zonën muzeale të qytetit e më gjerë. Pasi mbaruan rikonstruksionin e Pazarit muze, e shtrinë kalldrëmin me gurë dy ngjyrësh në thellësi të lagjeve të ndryshme. Në vitet 1970-1980 e më pas, u bë një bum në shtrimin e rrugëve me kalldrëm. Ne, gjirokastritët kemi respekt për ata mjeshtra, Simi Bajrami, Koçua e Dhimitri, që fatkeqësisht janë ndarë nga jeta, por janë të gjallë për monumentin që na dhuruan me duart e tyre. Unë dhe gjirokastritët e tjerë, shprehim keqardhje, se qysh prej vitit 1991 edhe kalldrëmet e bukura nuk i shpëtuan dot shkatërrimit, pasojë e pandërgjegjshmërisë e makinave. Gurët e tyre u morën nga njerëzit pa dinjitet për rregullimin e shtëpive e oborreve dhe tashmë këto pjesë rruge janë shtruar me beton. Në shumë kalldrëme hapin gropa e kanale, ose i lënë ashtu të hapura. Drejtoria dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, Ministria e Kulturës e sidomos qeveria, duhet të vënë menjëherë dorë në ndalimin e kësaj barbarie. Siç jepen fonde për zbulimet arkeologjike, të jepen edhe për këto monumente magjepsëse. Duhet të ruhet vlera që na dhuruan të parët, por dhe të shtohen metra të tjera me kalldrëm Gjirokastrës, kësaj mrekullie të kulturës sonë kombëtare. Me anë të këtij shkrimi gjithashtu dua t’ i bëj thirrje televizioneve, të vinë e të përgatisin një emision për protagonistët e kalldrëmeve ,që duhen nderuar dhe me tituj nderi.