Selam SHKURTI/ Dëshmori i Shqipes, Papa Kristo Negovani nga Humelica e Gjirokastrës

    613
    Sigal

    (Me rastin e 109 -vjetorit të vrasjes më 12.02.1905)

     “More prift, uratë,

    me ungjill në dorë,

    që përhap shqipen,

    sikur jep naforë”

    Populli

    Shkak për shkrimin e këtij artikulli u bë një emisioni i një gazetari në një media shqiptare, pikërisht për Papa Kristo Negovanin. Ky gazetar shkoi në Negovan (afër Follorinës) për të gjetur origjinën e patriotit të ndritur, por kur pyeti disa pasardhës të patriotit, që aktualisht banojnë në Negovan, për origjinën e tyre, ata, në mënyrë të pakuptimtë e mbase për interes apo të terrorizuar nga propaganda e fqinjit jugor, iu përgjigjën se ishin grekë. Si është e vërteta në këtë çështje?

    Në vitin 1975, Lefter Dilo, drejtori i muzeve të Gjirokastrës dhe profesor i frëngjishtes në gjimnazin “A. Zeneli”, mbajti një kumtesë tek Obelisku i këtij qyteti për patriotin Papa Kristo Negovani. Tek shkolla “Drita” u hap edhe një ekspozitë për të.  Si pjesëmarrës në këto veprimtari, ia ndiej vetes për detyrë të shkruaj këto rreshta, për ato që dëgjova dhe pashë atë ditë.

    Midis të tjerave, Lefter Dilua shpjegoi se Papa Kristo Negovani ishte nga fshati Humelicë i Gjirokastrës. Edhe në ekspozitën e rastit u paraqitën aspekte nga jeta e patriotit Papa Kristo Negovani (Humelica).

    Shkrimtari dhe kleriku patriot Papa Kristo Negovani u lind në vitin 1875, si i biri i tregtarit Harallamb Çali nga fshati Humelicë i Gjirokastrës. I ati shkoi për të banuar në Negovan dhe si mbiemër mori emrin e atij fshati. Harallambi për idetë e tij tërësisht pro shqiptare e patriotike u masakrua nga andartët grekë në vitin 1891. Vrasja e babait e detyroi Kristo Negovanin të ndërpresë shkollën që atë vit, për të punuar si mësues i greqishtes në një fshat afër Negovanit.

    Në vitin 1894 ai shkoi në Rumani, ku u njoh me patriotët shqiptarë të atjeshëm, përqafoi idetë atdhetare dhe u bë anëtar i flaktë i shoqërisë së tyre patriotike “Shpresa”. Mbas tre vjetësh u kthye në vendlindje shumë i vendosur për të propaganduar e përhapur mësimin e gjuhës shqipe në fshatin e tij. Në Rumani iu kristalizua mendimi se për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët rol të rëndësishëm do të luante shkolla dhe feja, me kusht që liturgjitë fetare të jepeshin në shqip dhe mësimi në shkolla të bëhej në  gjuhën shqipe.

    Ai u dorëzua prift në 1897, u bë mësues i greqishtes e njëkohësisht fshehtas jepte mësime edhe në gjuhën shqipe. Pruri abetare shqip nga Rumania dhe i shpërndau në Negovan, përktheu në shqip pjesë të Ungjillit, çeli shkollën shqipe të natës në Negovan me rreth 100 nxënës dhe filloi të jepte meshë shqip në kishën e fshatit.

    Kjo veprimtari e flaktë patriotike shqiptare e shqetësoi Mitropolinë, e cila filloi ndjekjet ndaj tij. Dhespoti Karavangjel e mallkoi, dhespot Foti e ç’kishëroi, Perandoria Osmane e burgosi për dy muaj, por Papa Kristo Negovani ishte luftëtar trim dhe i paepur për çështjen kombëtare. Nuk iu tremb syri, nuk u tërhoq për asnjë çast megjithëse e dinte me siguri fundin e tij. Këtë e vërteton plotësisht letra e natës së fundit të jetës së tij, ku ndër të tjera shkruan: “Merrini dhe këto vjersha. Ngutem t’i dërgoj sa kam shkruar se mos mbeten, në qoftë se nderojmë jetë, pas mënyrës që u thashë”. Këto fjalë meritojnë të gdhenden në historinë e kombit, për të frymëzuar brezat e tanishëm e të ardhshëm për dashurinë dhe dhembjen për vendin që u kanë lënë të parët.

    Atë natë që shkroi këtë letër, duke u gdhirë e diel e 12 shkurtit 1905, andartët grekë bënë masakër në shtëpinë e Papa Kristo Negovanit. Vranë mizorisht 6 vetë: Papa Kriston, të vëllain e tij Papa Theodhorin dhe katër veprimtarë të tjerë të gjuhës shqipe duke i lënë të masakruar në një kodër pranë fshatit Negovan.

    Ky ishte shkrimtari, kleriku dhe patrioti i flaktë Papa Kristo Negovani, që luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës ortodokse greke dhe qarqeve shoviniste greke, që propagandoi idenë e bashkimit të forcave patriotike shqiptare në luftë kundër lakmive të shovinistëve fqinjë.

    Papa Kristo Negovani botoi librat në vargje: “Vjershë shkresëtaria”, Sofje, 1899; “I drunjti Kryq”, Sofje 1906; vjershën e gjatë lirike “Prishja e Homovës”, Sofje 1903; “Hijejëtore istori”, Sofje 1903;  “Bënjatë të shenjtorëve dërgimtarë”, Sofje 1905; “Kryqi i margaritartë”, Korçë1910. Botoi edhe për fëmijë si novela “I vogli Donat i Argjendtë”, Sofje1904; përshtati fabula të La Fontenit etj..

    Një pjesë e mirë e krijimtarisë u dogj pas bastisjes së shtëpisë së tij. Masakrimi i tij barbar u krye nga andartët grekë të urdhëruar nga komiteti grek i Manastirit. Në atë kohë kishte komitete andartësh grekë në qytetin e Korçës, Follorinës, Kosturit dhe Manastirit. Këto komitete propagandonin me ngulm helenizimin e popullatës shqiptare, sidomos atyre të fesë ortodokse duke ndjekur, persekutuar dhe vrarë sidomos patriotët e krishterë. Kjo vrasje pati jehonë të madhe në rrethet patriotike të kohës dhe  Çeta e Bajo Topullit, Mihal Gramenos, Çerçizit etj., vendosi të merrte hak për këtë patriot të ndritur.

    Aksioni tek Guri i Capit në Bradvicë të Korçës

    Papa Foti, që ishte peshkop i Korçës, lëvizte sa nga njëri fshat në tjetrin për të propaganduar helenizimin e popullatës shqiptare të krahinës. Në shtator të vitit 1906 kishte qenë afër Pojanit e donte të shkonte tek disa kasolle vllehësh për punë të tilla, por ata e kishin zënë me gurë dhe u kthye prej andej, natyrisht pa hequr dorë nga këto veprime mizore.

    Çeta e Bajos mori të dhëna se Dhespot Foti do të shkonte në drejtim të fshatit  Bradvicë, ndaj edhe po e prisnin tek vendi i quajtur Guri i Cjapit. Gjatë kohës që prisnin të kalonte Foti, Bajua u dha porosi labëve të çetës duke u thënë se atyre u takonte të qëllonin ndaj Fotit, për faktin që Humelica hynte në Labëri, e pikërisht atyre u takonte privilegji të merrnin hak. Historikisht dihet se edhe në një rast tjetër, dy vjet më vonë, dy lebër, e pikërisht, Hito Lekdushi dhe Bajram Ligu (Prongjia) vranë Bimbashin turk, në mes të qytetit të Gjirokastrës. Si u realizua qëllimi për të cilin kishte shkuar çeta, disa nga anëtarët e çetës donin të ikin, por Bajo Topulli (drejtuesi kryesor i çetës), i ndali e u tha: – “Jo, ne nuk do të ikim, se Mitropolia atë do,  që ne të ikim dhe ajo ta maskojë situatën, duke deklaruar se disa hajdutë i zunë pritë Dhespot Fotit dhe e vranë për t’i marrë paratë. Jo, – vazhdoi Bajua, ne nuk hyjmë në atë kategori. Ne kemi dalë të luftojmë haptazi ata që pengojnë luftën tonë për lirinë kombëtare. Ne do të rrimë këtu deri sa t’ia dorëzojmë dikujt tjetër dhespot Fotin e vrarë”.  Dhe ashtu u veprua. Pritën sa kaloi një udhëtar i rastit. E ndaluan udhëtarin, i dorëzuan Fotin bashkë me të gjitha veshjet dhe pajimet që dispononte, si dhe të gjitha paratë që kishte me vete, me përpikërinë më të madhe. E porositën udhëtarin si të vepronte duke i thanë se ky ishte fati i tij. Ai duhet të rrinte aty deri sa të kalonte një udhëtar i dytë,  i cili duhet të shpinte lajmin në Korçë.

    Udhëtari u porosit që të qëndronte aty deri sa të vinin nga qyteti për të marrë trupin e tij dhe t’u thoshte njerëzve të Mitropolisë së Korçës, që Dhespot Fotin e vrau çeta e Bajo Topullit për të marrë hakun e Papa Kristo Negovanit, të cilin e vratë juve. Më në fund e porositën t’u dorëzonte edhe inventarin e pajimeve të Fotit me saktësinë më të madhe, e më në fund t’u thoshte që Çeta e Bajos ishte te gryka përballë, për të vëzhguar ç’do të ndodhte.

     Çeta vazhdoi të qëndrojë aty jo vetëm deri sa erdhi udhëtari i dytë që mori porositë e çetës nga udhëtari i parë dhe i çoi në qytet, por derisa erdhën nga qyteti dhe morën në dorëzim Dhespot Fotin me të gjitha pajimet e tij dhe mesazhin që kishte lënë Bajo Topulli për Mitropolinë e Korçës.

    Në të njëjtën kohë, u dërgua një njeri nga Çeta në Rumani, për ta shpallur në gazetë se çeta e Bajo Topullit e mori hakun për shkrimtarin dhe klerikun patriot Papa Kristo Negovani, duke vrarë Dhespot Fotin. Gjesti patriotik i çetës së Bajos, Çerçizit dhe Mihal Gramenos bëri jehonë në Gjirokastër dhe u ngrit kënga:

    Ky Bajua me Çerçizë          

    Në Korç’ e zunë pusinë       

    Vranë dhespot mjekërzinë   

    Se na kish vrarë njerinë       

    Papa Kriston trim të mirë     

    Sa morën vesh që e vranë

    Papa Kristo Negovanë

    Dhespoti me grekomanë

    U ngrenë këtej e vanë

    Kaq larg në ato anë 

    Morën hakë për vëllanë

    Aferim të gjithë u thanë.

     Si përfundim Papa Kristo Negovani ishte me banim dhe me punë në Negovan, mori edhe emrin e tij, por origjinën e kishte nga Humelica e Gjirokastrës. Përmenda disa të dhëna, pjesën kryesore të të cilave i dëgjova në atë kumtesë të shkëlqyer të Lefter Dilos, intelektualit erudit ortodoks shqiptar, patriotit të  shquar që punonte natë e ditë për pasurimin e muzeve me dokumente të rëndësishëm historikë. Tani e kam edhe unë të qartë pse një dorë mizore i dogji atij dy herë shtëpinë me shumë dokumente të vlefshëm arkivorë, gjë që për opinionin e atëhershëm mbeti si enigmë.