Emigracioni shpresë apo zhgënjim?!

    700
    Sigal

    FORUM/ Kriza e sotme botërore duket sikur ka vënë në dyshim dhe ekzistencën e emigracionit në Europë

    Kriza e sotme botërore duket sikur ka vënë në dyshim dhe ekzistencën e emigracionit në Europë. Jo më shumë se 4 vjet më parë në shtyp thyhej se deri në vitin 2050, për shumë shkaqe Europës do t’i duhet të importojë dhe 50 milionë emigrantë. Qëndron sot ky argument? Po vetë emigrantët shqiptarë kudo në botë, a kanë menduar të kthehen në atdhe, apo si gjithmonë me gjithë krizën e shikojnë veten të sigurt vetëm në emigracion? Por të jemi realistë nga Greqia po kthehen çdo ditë emigrantë shqiptarë, madje thuhet se deri tani janë kthyer rreth 200 mijë. Por kjo po ndodh dhe në Itali apo në vendet e tjera Evropiane ku ka shumë emigrantë shqiptarë. Ndërsa më të sigurt, emigrantët e gjejnë veten në Kanada, Australi, Zelandën e Re. Si është sot pas 23 vjetësh emigracioni i shqiptarëve, shpresë apo zhgënjim?

    Tek unë ekzistojnë disa mendime të shumta lidhur me emigracionin. Për mua emigracioni ka një domethënie të madhe (mendoj në përgjithësi për të gjithë shqiptarët). Është një shtyrje drejt normave bashkëkohore. Ku dihet se tek ne shqiptarët ekziston ende një varfëri e madhe. Është një shtyrje drejt kulturës bashkëkohore.
    Flurim Lajqi, Kopenhagen

    Po, mendimi im është që populli, me të gjithë atë popullsi që është, nuk janë shumë për të ndërtuar vendin e tyre, jo të ikin të emigrojnë edhe të ndërtojnë vendet e tjera. Është absolute drejt zhgënjimit. Por kriza ka bërë të vetën, duam apo s’duam shumë do kthehemi, por çdo bëjmë në atdhe?

    Ilir Kodra, Durrës (Itali)

    Ndërsa po lexoja lajmet e shkruara nga gazetarët on-line, në sy më ra një temë e cila po fliste për temën tash me famë të keqe, emigracioni. Të them të drejtën, unë jam emigrant për vete, por mendoj se ky imazh famëkeq duhet të ketë një fund. Edhe unë e shikoja se emigracioni ishte e vetmja rrugë-dalje nga një krizë e cila mendonim se mund të ishte e shkurtër, por që akoma vazhdon të zgjasë. Mendimi im është që kjo anije famëkeqe e cila po i lundron shqiptarët larg nëpër një det të pafund të ndalojë një herë e përgjithmonë. Rruga, e cila unë do të sugjeroja për devijimin e këtij lumi kaq të madh njerëzish do të ishte që ato njerëz që na qeverisin të krijonin diçka që shqiptarët të merreshin me ne, në vend të atij korrupsioni që po ushtrojnë në kurrizin tonë.
    Prek Gjergji, Shkodër

    Si e dimë intelektualët më të mirë e kanë braktisur vendin dhe po shërbejnë me dinjitet në vendet e huaja. Po pse e bënë këtë? Kush e ka qeverisur vendin tonë në këto momente të demokracisë? Njerëzit e ndershëm apo njerëzit që i shërbyen Enver Hoxhës për gjysmë shekulli? Do të kthehen këta intelektualë në vendin e lindjes? Janë këto pyetje që i shtroj vetes time, por mendoj se nuk kanë një përgjigje të vështirë. Derisa në Shqipëri mbizotëron korrupsion dhe jo rend i sigurt, të gjithë shqiptarët do të rrinë në rrugën e mërgimit, dhe më e keqja do të jetë se ne nuk do të kemi mundësi që t’u mbushim mendjen intelektualeve që të mos braktisin vendin, harro njerëzit e thjeshtë që vazhdojnë e vazhdojnë largimin në kërkim të një jete më të mirë. Diçka po lëviz në Shqipëri, por kriza botërore ende na le në mëdyshje.
    Astrit Mema, Britani

     

    Emigracioni është mjet bashkëveprimi në qytetërimin modern. Ne jemi të vonuar në këtë proces që shoqërohet edhe me dëshpërim për lënien e vendit qe e duam aq shume. Zhgënjim është se ende jemi shumë të papërgatitur për t’u përfshirë si duhet në procesin e integrimit me botën e qytetëruar. Por megjithatë, është e vetmja rrugë sot për të shkurtuar distancën me pjesën tjetër që ka kapërcyer prapambetjen tonë me kohë… Për kushtet në të cilat ndodhet emigracioni shqiptar në botë sot, shumë i paorganizuar në vetvete dhe pa ndihmën e shtetit të vet jashtë përmes ambasadave, përgjigja e diskutimit tuaj do të ishte e dyfishte: shpresë dhe zhgënjim, por ky i fundit jo total dhe i përkohshëm. Ne duam mbështetjen e shtetit por dhe ndihmë në rast të kthimit në atdhe. Duam politika lehtësuese për investimet tona.

    Nuri Gokaj, Nju Xhersi, SHBA

    Në fillim të viteve 90-të bota perëndimore me qëllim krijoi hapjen e ambasadave të huaja në Tiranë. Pas kësaj, njerëzit të cilet u pajisen me pasaporta e leje qëndrimi të përhershme filluan të integrohen në mënyrë më legale në shoqërinë perëndimore duke hapur shteg për të emigruar për të tjerët. Kjo solli si pasojë eksodet e tjera nga Shqipëria drejt perëndimit … Djem nënash shqiptare kthehen në arkivole edhe nga emigracioni. Bandat kanë kontrolluar jetën e qytetarëve, politikanët qeshin e shajnë njëri-tjetrin. Sidomos pas vitit 1997 nga Shqipëria ikjet në mënyrë të pandërprerë drejt perëndimit shiheshin si e vetmja shpresë shpëtimi, por shumë gjetën dhe zhgënjim, humbën jetën nëpër dete pa arritur të shijojnë shijen e hidhur të emigrimit…Sot emigracioni nuk është më shpresë për vetë krizën që ka përfshirë vendet ku ka emigrantë shqiptarë.
    Sami Zeqiri, Londër

    Kjo fjalë e egër si Alpet tona, por joshëse për të të rrëmbyer në strofkullën e tij – po na dëmton. Askush nuk e njeh këtë fjalë pa e provuar. Por mbi të gjitha, shumë pak njerëz e dine se kjo është pjesë përbërëse e një pushtimi të gjatë. Apo nuk kemi ca komshinj që mezi presin të boshatiset trualli i Arbërit. Por edhe një trung politikanesh (antishqiptarët) që vetëm mos ua kërkoftë kush për ta blerë – vendin që kemi braktisur ne – se e shesin për pesë pare. Emigracioni është pjesë e Historisë Shqiptare, por me karar ama… Kurrsesi, Shqipëria nuk duhet quajtur “Një truall i braktisur”. Ne duam të kthehemi, por rrugët e kthimit janë pa konture.

    Skënder Osmani, Londër

    Erdha në Kanada disa vite më parë. E kisha ëndërruar këtë gjë që kur isha në universitet. Mendoja se në Shqipëri nuk kishte perspektivë, mungesa e stabilitetit, mungesa e mundësisë për një të ri që ka mbaruar universitetin të integrohet normal në jetë. Është për të ardhur keq që gjithë kjo pjesë e rinisë la vendin dhe hallakatet pafundësisë së botës. Kanadaja, që çdo njeri e mban në gojë në Shqipëri, është një zhgënjim, një gënjeshtër që po thith ajkën e intelektualëve dhe miliona lekë për të ardhur. Gjithë shqiptarët nëpër botë kanë vetëm një shtëpi, një nënë dhe një at’, kjo shtëpi është Shqipëria.
    Arian Domi, Toronto, Kanada