Dsstributorët farmaceutikë: Ministër, po rrezikoni cilësinë e medikamenteve

    425
    Sigal

    Shoqata e distributorëve farmaceutikë bëri publike dje letrën e dërguar ministrit të Shëndetësisë lidhur me shqetësimet e tyre për kaosin që pritet të përfshijë tregun farmaceutik. Ata i bëjnë të ditur ministrit Beqaj se urdhëresa e tij për disa ndryshime në dokumentet e tenderit të barnave 2014, një javë para se të zhvillohet tenderi, rrezikon të kthejë në një proces të pavlefshëm regjistrimin e barnave pranë QKKB-së. Po ajo çka është më e rëndësishmja është se dëmtimi i sistemit të farmakovigjilencës vë në pikëpyetje siguria e pacientit. Eliminimi i autorizimit të prodhuesit dhe vërtetimit të regjistrimit të barit për garuesit në tenderat për barna spitalore është në shkelje të ligjit të barnave dhe rrezikon cilësinë e medikamenteve.

    Distributorët i sqarojnë ministrit se këto dy dokumente janë të domosdoshme:1) Për të parandaluar futjen në tregun shqiptar të barnave të quajtura “import paralel” (që nuk ndjekin procedurat e çdoganimit sipas ligjit të barnave), të cilat nuk garantojnë cilësinë dhe sigurinë për pacientin; 2) Për të garantuar që i gjithë procesi i tenderimit do të kryhet nga distributori i autorizuar nga kompanitë farmaceutike përkatëse ashtu sikurse e kërkon edhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave.

    Distributorët farmaceutikë shprehën pakënaqësi edhe me ligjin e ri të barnave, i cili pritet të kalojë së shpejti për miratim, pasi, sipas tyre, në të nuk janë përfshirë asnjë nga sugjerimet e propozuara nga ta. “Me këtë projektligj transparenca është e munguar në proceset më të rëndësishme, si për shembull marrja e të drejtës së tregtim,it të barnave”, shprehen distributorët.

     Reagimi i MSH

    Në përgjigje të këtyre akuzave, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar nëpërmjet një komunikate për shtyp. Në të cilën thuhet se “Shëndeti për ne nuk është biznes. Ne duam të ofrojmë përkujdesje shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë, jo vetëm për ata që kanë mundësi të paguajnë”. MSH në komunikatën e saj në asnjë moment nuk jep sqarime për ndërhyrjen e paligjshme në procesin e tenderimit duke eliminuar dy dokumentet bazë që garantojnë cilësinë e barit.

    Ndërsa sa i përket projektligjit për barnat dhe shërbimet farmaceutike në vend, grupet e interesit dhe aktorët e fushës së farmaceutikës janë ftuar që prej muajit nëntor të kontribuojnë me vërejtjet, komentet apo sugjerimet e tyre. “Përgjatë dy muajve të parë nuk patëm asnjë prurje. I ftuam përsëri në një diskutim të dytë, dhe tashmë që projektligjet janë në diskutim me ministritë e linjës, kërkojmë nga aktorët dhe grupet e interesit të vijnë me propozime konkrete për nenin(et) apo pikën(at) që ata mendojnë se duhet përmirësuar”, thekson MSH.