Dritëro Agolli/ Poezi

    849
    Sigal

    Mjegulli i Dashurisë

    Kur ikja larg, drejt teje vija
    Kur vija afër ikja larg,
    Për dreq më trembte largësia
    dhe afërsia bëhej çark

    As e kuptoja si të desha
    Një mjegull pus një çmenduri
    Si një poet që shkruan vjersha
    Dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi

    Dhe ndoshta kjo ish dashuria
    E çakërdisur kuturu………..
    Për dreq me trembte largësia
    Dhe afërsia gjithashtu.

    Kur të jesh mërzitur shumë

    Këtu s’do te jem, do jem larguar;
    Në tokë i tretur si të tjerët,
    Në kafenenë e preferuar
    Nuk do më shohin kamerieret.

    Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
    S’do ndihet kolla ime e thatë,
    Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
    Një qiparis si murg i ngratë.

    Ti do trishtohesh atëherë,
    Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
    Dhe, kur në xham të fryje erë,
    Do qash me erën dalëngadalë.

    Po kur të jesh mërzitur shumë.
    Në raft të librave kërkomë,
    Atje do të jem i fshehur unë,
    Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë

    Mjafton që librin pak ta heqësh
    Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
    Ti si dikur me mall do qeshësh,
    Si një blerim pas një rrëkeje.

    DASHURI E VËSHTIRË

    Ti në kanape tani dremit
    Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
    Abazhuri mbi qerpikë ndrit
    Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

    Para teje ndal mendimi im:
    Jemi dashuruar edhe sharë
    Jemi ndarë shpesh në udhëtim,
    Por drejt njeri tjetrit kemi ngarë.

    Dhoma hesht e rruga larg gjëmon
    Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë
    Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
    Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

    Të kam pasur ëndërr çast e orë,
    Ëndërr të trishtuar dhe të mirë
    Po të jem vërtetë një Pitagorë
    Ti je teorema më e vështirë….

    DHE SIKUR

    Dhe sikur në botë ti mos ishe,
    Do jetoja si çdo gjë që jeton,
    Veç pa ty kjo botë do lëvizte
    Siç lëviz pa ngrohje një vagon.

    S’ma zëvendëson ti botën mua,
    S’të zëvendëson as bota ty,
    Por sa botën sigurisht të dua,
    Kur jetojmë e vdesim tok të dy..