Dr. Selman Meziu/ Veprimtaria kriminale me pasurinë e gjelbër. Ja subjektet “kontrabandë”

    496
    Sigal

    Bashkëpunimi i shtetit dhe kontrabanduesve në grabitjen e dhunshme e të organizuar të pyjeve shqiptare

    Pretendimi që të zbulosh se si janë bërë pluhur e hi mijëra e mijëra metro kub lëndë punimi, shtylla miniere apo metro sterrë dru zjarri, të prera këto harbutçe pa zbatuar ligjet e rregullat që trajton shkenca e silvoteknikës, është e pamundur. Kjo ka brenda vetes një mijë e një shkaqe, si politike, organizative, korruptive, nënvleftësuese për pyjet si burime ekonomike apo vlera ekologjike e turistike nga politikat e gabuara të qeverive për gati një çerek shekulli.

    Nëpërmjet disa dokumenteve të siguruara në rrugë të tërthorta, sepse ato mbahen sekret nga organet shtetërore, do të analizojmë vetëm dy vjet të kësaj veprimtarie fund e krye kriminale.

     Shifrat marramendëse të eksportit

    Në labirintin e shifrave të mëposhtme mund të hedhim fare pak dritë, për të kuptuar funksionimin e dokumentacionit teknik, fiskal e financiar në planifikimin e prerjeve shfrytëzuese, koston e prodhimit, të transportit, çmimin e shitjes deri në destinacionin përfundimtar.

    Në shkallë kombëtare për vitin 2011 dhe 2012 janë planifikuar për t’u shfrytëzuar nga Drejtoritë e Shërbimit Pyjor (DSHP), sigurisht duke u miratuar më parë nga MMPAU, një sasi materiali drusor prej 47 151 metro kub, duke iu dhënë me tendera subjekteve të ndryshme që merren me shfrytëzimin e pyjeve, kuptohet me një nivel mekanizimi ndëar më primitivët në Europë.

    Duke iu referuar të dhënave, të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, rezultojnë që të jenë eksportuar (pra, lënda drusore e shitur në shtetet e ndryshme të botës) 106 037 metro kub, lëndë drusore e sharruar, e papërpunuar, e përdorur për të prodhuar qymyr, dru zjarri etj..

    Sipas analizave në vite; janë eksportuar 67 127 metro kub përgjatë vitit 2011; ndërsa vetëm për periudhën dy mujore 2012 janë ngarkuar në anije 18 791 metro kub. Për të prodhuar për eksport 3 360 ton qymyr druri, janë prerë nga pyjet e Shqipërisë 20 120 metro kub dru zjarri. Për të krijuar një farë ideje mbi sasinë e shpërndarë në këto dy vite, shifrat janë: 2997 ton qymyr druri për vitin 2011 dhe vetëm 363 ton të tilla për vitin 2012.

    Duke gjykuar mbi sasinë e materialit drusor të dhëna për shfrytëzim dhe të asaj të eksportuar në asortimente të ndryshme rezulton se vetëm për eksport janë prerë të paplanifikuara, pra, më shumë, 51 % të tilla. Sa më sipër, është e qartë se këtu janë llogaritur vetëm dy muaj të vitit 2012, përqindja e shfrytëzuar e paplanifikuar shkon, shumë herë më shumë.

    Cilat janë pyetjet e përfundimet e nxjerra:

    Së pari: Mungon, krejtësisht, kontrolli mbi sipërfaqet pyjore të dhëna për shfrytëzim si në zbatimin e rregullave teknike, si dhe sasia që del nga shfrytëzimi.

    Së dyti: Nuk ndiqet ky operacion teknologjik me anë të dokumentacioneve përkatëse, si aktmarrja e ngastrave për shfrytëzim dhe aktdorëzimi i tyre pas përfundimit të tij, qoftë faza e parë e prerjeve, qoftë faza e dytë e tyre sipas silvoteknikës në pyjet e ahut e të pishës së zezë që kanë arritur moshën e shfrytëzueshmërisë.

    Së treti: Policia Pyjore, apo personeli teknik i mbrojtjes së pyjeve, sipas zonave (tanima) quhet Inspektorati i Mbrojtjes së Mjedisit të ekonomive, sektorëve e qarqeve nuk kryejnë detyrën, ose bashkëpunojnë me shfrytëzuesit e pyjeve, jashtë rregulloreve teknike e ligjeve në fuqi.

    Në shifrën e lejes për shfrytëzim (106 037 metro kub), patjetër bëjnë pjesë nevojat e vendit si për lëndë të sharruar, dru zjarri, prodhim qymyri etj.. Gjë e cila na çon në përfundimin se në këto vite nuk kanë funksionuar shteti, policia pyjore dhe as ajo shtetërore. Pra, bjeri t,i biem se pyje janë, natyra na i jep përsëri si dhe rriten vetë pa kurrfarë shërbimi etj..

     Subjektet shfrytëzuese në skandalin e gjelbër

    Kush ka të drejtën ligjore të shfrytëzojë sipas kritereve teknike, rregulloreve të shfrytëzimit, pagesave të tarifave e taksave në pyjet e vendit tonë, pasi u shkatërruan ndërmarrjet e shfrytëzimit qe ishin në të gjitha rrethet e Shqipërisë para viteve ‘90 të shekullit të kaluar?

    Këto tanima, me fjalorin e ri të ekonomisë së tregut, emërtohen Subjekte Shfrytëzimi. Nga Drejtoria e Doganave rezultojnë se kanë eksportuar lëndë druri 92 të tilla. Duke ballafaquar, krahasuar dokumentacionin përkatës na dalin në skenë se vetëm 49 subjekte që mund të eksportonin lënde druri kanë patur kontratë shfrytëzimi në ngastrat pyjore ose në ekonomitë pyjore të vendit tonë me DSHP e rretheve për vitet 2009-2010 dhe 2011-2012. Rezultojnë pa kurrfarë dokumentacionesh të rregullta për të kryer shfrytëzimin e eksportimin e lëndës së drurit 43 subjekte. Subjektet pa kontratë të DSHP-së (është për t’u theksuar këtu, oreksi, dëshira për të fituar sa më shumë në rrugë të paligjshme, në kurriz të kësaj pasurie shumë të çmueshme kombëtare), kanë eksportuar 50 392 metro kub lëndë drusore, ndërsa ato që kanë paguar taksat e që kanë patur dokumentacion të rregullt kanë përcjellë me transport ujor e tokësor, jashtë Shqipërisë, 55 645 metro kub material drusor. Shifrat e mësipërme, të marra në zyrat e doganave, na mbajnë të “fshehur” materialin drusor në asortimente të ndryshme që ndodheshin në vitet në analizë, në sheshet e depozitimit. Gjithashtu, nuk janë marrë parasysh se janë këto subjekte që kanë furnizuar me dru zjarri popullsinë në gjithë vendin si dhe bashkitë, kopshtet, çerdhet, shkollat e institucione të ndryshme shtetërore.

     Subjektet kontrabandë

    1. Të hedhim një vështrim më konkret se cilat janë shifrat që secili subjekt ka eksportuar dhe sa ka patur të kontraktuar për të shitur jashtë vendit. Dhe ja, të lexojmë më poshtë me durim e të qetë:

    – Subjekti “LEONESHA” ka eksportuar 9 585 metro kub më shumë se kontrata e firmosur me DSHP-në, pasi ka fituar në ankand, datë 04.04.2011 vetëm 148 metro kub lëndë drusore.

    – Subjekti “Zotaj” ka eksportuar më shumë se sasia e kontraktuar, 2012 metro kub material drusor.

    – Subjekti “MALȄSI E VALTUR” ka eksportuar 2491 metro kub lëndë drusore më shumë se sasia e firmosur në kontratë.

    – Subjekti “Fjora” ka eksportuar 654 metro kub më shumë se sa në kontratë.

    2. Ende më e trishtuar, më e papërfytyrueshme është tabloja e shkatërrimit të pyjeve shqiptare vetëm për vitet 2011 dhe 2012, nga grabitësit e materialit drusor, të cilët kanë futur në xhepat e tyre fitime kolosale, pa paguar as taksa, ndoshta shumë pak tangjente, ku bëjnë pjesë 43 subjekte shfrytëzimi. Dhe ja se si paraqitet orteku i grabitjes së pasurisë pyjore:

    – “RSD” shpk, “Ela-Dor-Ela”, “Sulejman Xeka”, “DEVI” shpk, “ALBI KOL”, “Bledi” shpk, “TOTA” dhe “DRISEN” shpk., ku secila ka “dëbuar” jashtë Shqipërisë, duke marrë fitime të majme nga 1000 – 2440 m3 material drunor të asortimenteve të ndryshme.

    – Janë treguar më të “arsyeshme” se subjektet e mësipërme “GJOALMODEL” dhe “ALBA IT”, të cilat kanë eksportuar secila nga 600-700 m3 lëndë drusore.

    – Ndërsa 10 subjekte kanë dërguar në portet e ndryshme të vendit tonë, me destinación jashtë shtetit një sasi materiali drunor që vërtitet nga 100 – 300 m3.

    – Edhe pse nuk janë shënuar emrat e 23 subjekteve të shfrytëzimit, edhe këto kanë marrë pjesë në vjedhjen e pasurisë kombëtare të gjelbër, njëra nga më të çmuara siç është materiali drunor, i vjelë fshehurazi nga pyjet shqiptare, duke eksportuar secila nga 2 – 60 metro kub.

     Ku është shteti?

    Nga sa shkruajtëm më sipër, sipas dokumenteve të siguruara, mund të konkludojmë e njëkohësisht të pyesim:

    Së pari: Gjithë kjo kontrabandë me përmasa gjigande, si ka kaluar në rrugët automobilistike të vendit pa u denoncuar, ndëshkuar, dënuar me gjoba të rënda apo me burgime?

    Së dyti: Personeli pyjor inxhiniero-teknik, drejtorët e DSHP-ve, Ministria e Mjedisit me specialistët e pyjeve, a nuk e kanë parë se në çfarë përmasash po shtrinte metastazën e tij krimi kundër pasurisë kombëtare pyjore, baza e jetës së banorëve të fshatrave malore e objekti i punës e i ushtrimit të profesionit të pylltarëve të shkolluar, të punësuar, të paguar nga shteti?

    Së treti: Shtetarët, politikanët, në gjithë piramidën shtetërore, a nuk dëgjonin në stacionet e radiove të ndryshme, të shikonin në dhjetëra televizione private dhe atë shtetëror apo lexonin në shtypin e përditshëm për intensitetin, përmasat në kohë e hapësirë, objektet e subjektet pjesëmarrës në këtë krim monstruoz, të egër, shkatërrimtar me pasoja për brezat e sotëm e të nesërm? Pa as më te voglin dyshim, me guxim, mund të shprehemi qetësisht e me plot bindje se këto ishin pjesë përbërëse e këtyre subjekteve, ku fitimet milionëshe i ndanin në mes tyre?

    E njëta situatë në “galaktikën e krimit të gjelbër”, edhe në 2014-n

    Sipas burimeve jo zyrtare 600 mijë m3 dru zjarri dhe qymyr eksportohen, ndërkohë që në shifrat zyrtare deklarohet vetëm 10 % e kësaj shifre. Ndërkohë që Ministria e Mjedisit ka nxjerrë një vendim për ndalimin e eksportit, ai ende vazhdon me gjithë forcën e në përmasa të mëdha në disa rrethe të Shqipërisë. Ndaj natyrshëm lind pyetja, se përse nuk zbatohet ky vendim nga ministria përkatëse? Po ashtu, problem serioz paraqitet prerja e pyjeve, ku nga 1 milion ha pyje që ka Shqipëria, pritet 3-4 herë më shumë se rritja vjetore e cila është 1.5 milion m3. Mbart dyshime shifra e mësipërme e sipërfaqes pyjore, ku vetëm nga zjarret digjen në vit 5000 deri në 6000 hektarë pyje, si dhe prerjet e pyjeve nuk kontrollohen absolutisht nga organet pyjore etj..

    Përfundimisht, shteti dhe grabitësit e organizuar të prerjeve shkatërruese të pyjeve vazhdojnë të bien dakord që të ndihmojnë njëri-tjetrin për të grabitur dhunshëm e të organizuar pasurinë shekullore të pyjeve të popullit, pa i vrarë ndërgjegjja se çfarë krimi ekonomik, ekologjik, kulturor, demografik, turistik, mjedisor po kryejnë për më shumë se një 2 dhjetëvjeçarësh ndaj popullit të vet. Ka gati 24 vjet që vetëm heshtet, vetëm zhduken mijëra e mijëra hektarë pyje, si dhe toka shkatërrohet duke humbur aftësinë për të ripërtërirë e zëvendësuar atë që njeriu ia rrëmbeu pa kurrfarë respekti, kujdesi, dhembshurie, por me vërshime kanibaleske e zhveshi natyrën, e shkretoi atë deri në kockën e saj, shkëmbin amnor.