Dr. Selman MËZIU/ “Mathuazeni” (shfarosja naziste) i pyjeve shqiptare Juglindore

    443
    Sigal

    Nuk mund të mos ndihesh i dërmuar moralisht e psikologjikisht, kur para syve të një pylltari, malësori apo fshatari, shfaqen pamje të tilla rrëqethëse, bastarde, barbare, të kryera nga firma, subjekte që presin në masivet pyjore shqiptare pa kontroll, udhëheqje teknike, pa pyetur për ligje dhe për vetë shtetin. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh me vrull e pa ndalesë në mbarë Shqipërinë. Pamjet tronditëse na vijnë falë emisionit televiziv “Fiks Fare” të Top Channel që u bë shkak i këtij shkrimi me emisionet e fundit të tij nga terreni. Dhe ja si paraqitet gjendja:

     Drutë e zjarrit në gjuhën e shifrave

    Janë hedhur mendime përmes emisioneve televizive, shtypit, konsultimeve me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë, për zëvendësimin si lëndë djegëse të druve, për më shumë se tridhjetë vjet. Por asnjë qeveri dhe asnjë program partie politike, që Zoti i ka falë edhe shumë Shqipërisë, nuk kanë sjellë ndonjë zhvillim në këtë anë. Shqipëria sipas INSTAT ka nevojë për 1.3 milionë metro kub dru zjarri. Sa është e vërtet kjo shifër e përdorimit për ngrohje e gatim të druve të zjarrit? “Drutë e zjarrit janë një produkt i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse përdoren për ngrohje nga shumica e familjeve, ndërsa në zonat rurale përdoret edhe për gatim. Ato zënë rreth 45 % të kërkesës totale të energjisë (Openshaw 1994). Nga ana tjetër, drutë e zjarrit përbëjnë përdorimin dominues të drurit, pasi zënë rreth 90 % të konsumit të tij. Në 1992, konsumi i përgjithshëm i druve të zjarrit u vlerësua me 4,250,000 m3, nga i cili më shumë se 90 % i atribuohet përdorimit familjar (IFMP 1994, Openshaw 1994)”. (Marrë Inv. komb. i pyjeve në Shqipëri 2002-2003 f.102.). Të vazhdojmë më tej arsyetimin: Sipas po kësaj agjencie, vetëm Korçës i duhet të konsumojë për një vit 300 mijë metro kub dru zjarri. Ndërsa, sipas listë damkave të vitit 2014, Korçës i janë dhënë për t’u shfrytëzuar vetëm 25 mijë metro kub nga pyjet shtetërore dhe 3 600 metro kub do të sigurojë nga pyjet komunale, pra, mundësia e sigurimit të kësaj lënde për ngrohje e gatim do të realizohen në masën 28 mijë metro kub. Ku do t’i gjejë Qarku i Korçës 282 mijë metro kub dru zjarri? Mungojnë masivet pyjore e sipërfaqet shkurrore për t’u siguruar këto, apo subjektet e pajisura me leje shfrytëzimi nuk mund t’i realizojnë ato?

     

    Mjeku ka humbur bisturinë!…

    Dikush pa dashje mund të pyesë: Çfarë hyn kjo vegël operacioni që përdorin mjekët, këtu? Shumë thjesht dhe e zakonshme në administratën e pylltarisë shqiptare. Pas katër javësh dyshojnë se Drejtori i Pyjeve në Qarkun e Korçës është mjek, pasi, kur iu drejtuan pyetjet nga gazetaria si: Kush është shefi i menaxhimit? Sa inxhinierë pyjesh janë në këtë ndërmarrje?; ai nuk dha përgjigje. Edhe pas katër javësh, ai në mesazhin e tij drejtuar gazetares, kishte shkruar: Për të siguruar drutë e zjarrit duhet të lidhim kontratë me ndërmarrjen e Librazhdit dhe të Elbasanit. Dhe “bisturia” e tij shkon më tej, duke thënë se ne duhet të importojmë këtë lëndë djegëse nga shtetet fqinjë, si Maqedoni, Kosovë, Bullgari dhe Mali i Zi. Ka të drejtë se vetëm 6 % e nevojave realizon, i duhet të blejë edhe 282 mijë metro kub!!! Ndërsa përsëri gazetarja çapkëne, e guximshme dhe për të kryer detyrën deri në fund, paraqitet tek drejtori i Doganës së Kapshticës, të cilin e pyet: “A kalojnë dru zjarri për në shtetin fqinj grek?”. Ai i përgjigjet, shkruar pastër në një mesazh: “Për një muaj nga kjo pikë doganore kanë marrë udhën për Greqi 1 500 metro kub dru zjarri”. Për të qarë e për të qeshur! Bisturia e mjekut të ashtuquajtur drejtor i pylltarëve, sipas kursit politik të LSI-së, e ka ndarë keq prodhimin e druve të zjarrit. Bisturia nuk ka pastruar plagën, por e ka infektuar e qelbëzuar atë. Përse vallë ky drejtor nuk ndalon eksportimin e druve të zjarrit për në Greqi? Në rast se nuk ka fuqi, a e ka ngritur këtë problem tek Drejtoria e Pyjeve në Ministrinë e Mjedisit? Kësaj mënyre të administrimit të pasurisë pyjore i thonë të luash “kungulleshkash”. Këto xhevahire të zbuluara me art e vërtetësi nga gazetarja korçare janë skenat komike të reformës “Koka” mbi pyjet, e nga ana tjetër një tragjedi ekologjike po i përgatitet Shqipërisë, e popullit të saj: “Mathuazeni” i mjerimit e zhdukjes së tij, sepse njeriu është bir i lindur i natyrës dhe lidhur përjetësisht me të.

    Për t’u qartësuar më tej po japim një seri shifrash, për t’u bindur nga shkuan, ku u “mbytën” pyjet e Korçës dhe Ersekës. Në inventarin e viteve 1948 e 1953 pyjet e saj mbanin mbi vete një pasuri drunore prej 5 milionë e 341 mijë metro kub material drusor, nga këto 2 milionë e 955 mijë metro kub ishin dru zjarri; më tej në vitin 1968 ishin gjendje 1 913 500 metro kub lëndë drusore, nga këto 2 574 800 metro kub dru zjarri; në vitin 1989 janë volum materiali drusor në këmbë që vegjetojnë për mrekulli 2 milionë e 991 mijë metro kub, ndërsa dru zjarri mund të prodhoheshin nga këto pyje një milion e 270 mijë metro kub. Pas 24 vjetësh, 172 011 banorë të Korçës kanë nevojë të importojnë dru zjarri nga vendet fqinje, sepse kanë mbaruar. Por, kujdes, jo për të bërë kontrabandë me Greqinë, ndoshta dhe me Maqedoninë nga Qafa e Thanës. Si ta pagëzojmë këtë veprim absurd?

     

    “Mathuazeni” i pyjeve shqiptare Juglindore

    Nuk është legjendë, që ka ardhur nga mugëtira e kohërave, nuk është as përrallë që më tregonte dikur gjyshi, me dragonj e zana mali, jo, është një realitet i ditëve tona të cilën, për ata që i njohin pyjet në Shqipëri, mjafton vetëm një vështrim i shkurtër në Google Earth, të shikojnë kasaphanën që ka ndodhur. (Mira Përzhita, kolege inxh. Nga Illiniois SHBA). Ndërsa ndryshe, helikopteri iu drejtua bashkë me gazetaren korçare, Shqipërisë Juglindore, duke përshkuar në lartësi të përshtatshme për filmime të sakta hapësirën e paanë të masiveve të ahut, pishave etj., në Lenia të Gramshit, të Qafës së Dëllinjës, të Orgockës e Gërmenjit të Kolonjës, të Dardhës së Korçës. Gjithçka dukej si në pëllëmbë të dorës. Por, çfarë të shikoje! Trishtimi të përzihej me zemëratën për ata që kanë lejuar e kryer këto masakra me shtrirje gjigandeske gjeografike në relieve thyeshme, me egërsi shfarosëse në masë të gjithçkaje, sinonim i shkretëtirave arabike, të pabinjakëzueshme në mbarë rruzullin tokësor, sepse i ka kryer njeriu lakmitar i fitimeve të majme, i dalë nga mitra e popullit shqiptar. Kodra, faqe malesh, shpate të stërgjatura, kurrize të lakuara, lugina herë të ngushta e herë të stërzgjatura, të rrjepura, të shkaflume nga njerëz të papërgjegjshëm, të pakulturë mbi rolin e natyrës e pyjeve, por, edhe të varfër deri në palcë në bashkëpunim me kontrabandistët, kanë kryer krimin më të tmerrshëm, i cili që të mund të riparohet, duhet së paku një shekull. Drurë shtatlartë, të prerë përgjysmë, ose mbi tokë në lartësi të ndryshme. Gjithë këto panorama të shëmbëllejnë me një terren të përthyer, ku beteja është zhvilluar e ashpër, në të cilën ushtarët e mundur kanë përfunduar jetën mizorisht nga tehu i shpatës apo majat e shigjetave, që rrjedhin gjak ose kanë filluar kalbëzimin, se gjeneralët e ushtria e mbetur ua ka mbathur këmbëve ose janë në tërheqje. Janë qindra e mijëra hektarë ish pyje të shpërfytyruara, me peizazhe që të futin të dridhurat, të ngjallin vetëm frikë e panik. Stivat e druve të zjarrit, ku në Qafën e Dëllinjës janë me mijëra metro kub, parcela të cilat që në gushtin e kaluar duhej të ishte bërë kualidimi e procesverbalet e dorëzimit. Por jo, sepse krimi ekonomik i pleksur me atë natyror civil e shtetëror, janë bërë oktapodi i zhdukjes së sipërfaqeve të gjelbërta, duke u shndërruar në toka të zhveshura krejtësisht, ku edhe gërryerjet kanë filluar t’i nxjerrin asaj brinjët, kockat, duke e kthyer në sipërfaqe jo prodhuese e të shëmtuar. Ndërsa dhjetëra makina, me kapacitet transporti 13 metro kub dru zjarri, kërkojnë stiva për t’u ngarkuar që më pas të kryejnë tregtinë e paligjshme, duke marre 10 mijë lekë për çdo ngarkesë. Kushedi se ku e gjejnë klientin për të kryer tregtinë e paligjshme me atë pasuri që natyra ua dhuroi të gatshme, pa harxhuar asnjë qindarkë për ta rritur, por që tanimë është braktisur tragjikisht. Në këtë zallahi lëvizjesh, peizazhesh të shëmtuara, pa këngën e zogjve e lëvizjen e kafshëve, në këto përrenj e përroska të sapoformuara me këto drurë të veçuar ose grupe dy-tre së bashku, nuk më shkonte ndër mend të kujtoja vargjet e poetit të Frashëllinjve, Naimit këtu në kufi me Kolonjën, por zgjodha një tjetër citim për t’ia përshtatur gjendjes së trishtueshme të pyjeve shqiptare dhe ja: Shqipërinë parajsë të para 100 e ca viteve, që përshkruan i madhi Naim Frashëri në veprën “Bagëti e Bujqësi”, ku mbretëronte një ekuilibër natyror ideal dhe i harmonizuar në mënyrë perfekte: Me male të larta, me lisa të gjatë, me fusha të gjëra me lule, me bregore bukuroshe, me lumenj të kulluar, me çuka, kodra, brinja e gërxhe dhe pyje të gjelbëruar – nuk e kemi më! Ajo është zhdukur dhe nuk ekziston! Zhdukja e kësaj natyre të bukur dhe bashkë me atë edhe parajsa pyjore, është një e vërtetë e hidhur dhe e dhimbshme, jo vetëm për njerëzit e pyjeve, por për çdo shqiptar patriot! (Doc. B. Xheko. Letër, datë 1.06.2014 Toronto, Kanada.) Prandaj nuk ka dru zjarri, se s’ka organizim, se s’ka ligje, rregullore, se materiali drusor shpërdorohet, shitet e tregtohet pa certifikatë prejardhjeje, pa mandate shoqërimi e licenca tregtimi e transporti e shfrytëzimi. Një amulli e pakonceptueshme në administrimin e pasurisë pyjore! Një katastrofë ekologjike po ravijëzohet…

     Po, a ka zgjidhje kjo situatë tragjike?

    Asnjëherë nuk është i tepërt sensibilizimi që i bëhet një problemi të madh jetik e shumë të rëndësishëm, siç është shkatërrimi masiv i pyjeve në vendin tonë. Shkruajmë, flasim në tavolina, diskutojmë, bëjmë debate mbi transmetimet televizive mbi shkatërrimin tragjik të natyrës, dihen organizatorët e krimeve, fajtori, po më tej, cili është rezultati, zgjidhja. Dhe ja, dikush pyet me të drejtë: “Shumë ngjarje e fenomene ndodhin në vendin tonë. Populli është i vetëdijshëm për to, shteti gjithashtu. Por, e keqja jonë është të mbeturit vetëm në fazën e konstatimit. Cilat janë fazat e mëtejshme? Si veprohet më tej? Kush? Çfarë? Si? Kur? Ku? Pse?”.

    Dhe ja një mendim mbi zgjidhjen: Anija e natyrës shqiptare ka hyrë në mes dallgëve të shkatërrimit të pandalshëm nga politikat e gabuara, të qeverive te mëparshme, edhe të asaj të Kryeministrit aktual Rama. Ndërsa pylltarëve iu kanë futur ethet e frikës duke përdorur, presionin e njerëzve politikë të LSI-së në format më të stërholluarat. Kështu që, me sa duket, anija po mbytet detyrimisht, populli shqiptar do të kalojë së shpejti në një krizë të thellë ekonomike, politike, në një luftë të pabarabartë shtresash shoqërore me disnivele ekonomike. Situata nuk shërohet pa u hedhur në luftën e pamëshirshme, inxhinierët e teknikët e pyjeve, kundër këtyre tajfuneve shkatërruese. Vetëm ato, të organizuar dhe me luftën e guximshme të të gjithëve, mund të përmbysin situatën në favor të pyjeve, natyrës, vetvetes dhe zhvillimit ekonomik me ritmet e kohës.Dhe arrin më pas te konkluzioni: “Pikërisht, këta duhet të jenë partizanët dhe heronjtë e kësaj kauze. Këtu qëndron edhe thelbi i mesazhit tim!”.