Dokumentet e reja për bashkim familjar në Itali

    2174
    Sigal

    ITALI/ Kam leje qëndrimi e dua të sjell në Itali prindërit. A mundem? E si duhet të veproj?

    Ligji parashikon që të huajt me qëndrim të rregullt në Itali mund të paraqesin kërkesë për bashkim familjar me prindërit e vet nëse këta janë mbi 65 vjeç, në ngarkim personit që po kërkon bashkimin, nëse nuk kanë bij të tjerë në atdhe ose nëse bijtë e tjerë nuk kanë mundësi t’i mbajnë prindërit për arsye të rënda e të dokumentuara shëndetësore. Fakti që prindërit janë në ngarkim, kërkuesi i bashkimit familjar mund ta provojë me anë të kuponëve që i janë lëshuar duke u dërguar rregullisht para prindërve. Ashtu si në rastin e bashkimit familjar me gruan e fëmijët e mitur, përveç lidhjes familjare me anë të certifikatës së lindjes, kërkuesi duhet të tregojë edhe që ka të ardhura të mjaftueshme që duhet të jenë disa herë më të mëdha se çeku social i vitit (për vitin 2015 shuma e tij është 5.830.76 euro) sipas numrit të personave që do të sjellë në Itali. Për të treguar shumën e nevojshme mund të mblidhen të ardhurat e kërkuesit me ato të familjarëve të tjerë që bashkëjetojnë me të, por sidoqoftë duhet mbajtur parasysh që në përllogaritjen e të ardhurave të nevojshme, merren në konsideratë edhe familjarët e mundshëm që janë në ngarkim të tij, të pranishëm në territorin italian (për shembull, bijtë e mitur). Me pak fjalë, për bashkimin familjar, të ardhurat duhet të jenë të paktën sa çeku, plus gjysmën e tij, për çdo familjar që i interesuari kërkon të sjellë dhe që ka në ngarkim edhe në Itali: një burrë, me gruan e një fëmijë në Itali, që dëshiron të sjellë këtu dy prindërit e tij duhet të ketë të ardhura vjetore sa trefishi i çekut social. Për më tepër, edhe kur dikush dëshiron të sjellë në Itali prindërit me bashkim familjar duhet të garantojë se ka për ta një strehim të përshtatshëm që përmbush kriteret higjieniko-sanitare të parashikuara nga ligji e që dëshmohet nga certifikata e përshtatshmërisë së banesës. Ndryshe nga rastet e tjera, kur bashkimi familjar bëhet me prindërit, është e nevojshme të tregohet se ata janë titullarë të një sigurimi shëndetësor që u mbulon të gjitha rreziqet e sëmundjeve në territorin italian. Në vend të tij mund të bëhet regjistrimi vullnetar në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (SSN) duke paguar kontributin, një shumë që përditësohet çdo dy vjet nga autoritetet përkatëse.

    Për të nisur procedurën e bashkimit familjar, duhet përpiluar formulari S pas regjistrimit në faqet online të ministrisë së Brendshme italiane. Pasi praktika e tij shqyrtohet nga zyrat përkatëse, kërkuesi çon të gjithë dokumentacionin në origjinal dhe fotokopje në Sportelin Unik për Imigracionin që, në rast përgjigjeje pozitive, lëshon autorizimin (nulla osta) për bashkim familjar. Pasi lëshohet autorizimi, prindërit paraqiten në konsulatën italiane në vendlindje e kërkojnë vizë për të hyrë në Itali.

     M. Arguello

    ***

     ITALI/ Kush dëshiron të sjellë një familjar në Itali duhet të tregojë se ka mundësi ekonomike për ta mbajtur.

    Për të bërë bashkim familjar të ardhurat vjetore individuale duhen 5.830.76 euro

     Ja si ka ndryshuar minimumi i të ardhurave me rivlerësimin e çekut social

    – Për të sjellë familjarët në Itali, të huajt duhet të tregojnë, veç të tjerash, edhe që janë të aftë t’i mbajnë. Kufijtë minimalë të të ardhurave ndryshojnë në bazë të numrit të familjarëve për të cilët kërkohet bashkimi por gjithnjë përdoret si parametër referimi shuma e çekut social. Në përgjithësi, në Tekstin Unik për Imigracionin parashikohet që kush kërkon bashkim familjar të ketë “të ardhura minimale vjetore nga burime të ligjshme jo më të ulëta se çeku social plus gjysmën e shumës së çekut për çdo familjar që do të sillet në Itali”. Por ka edhe një përjashtim për fëmijët: “Për bashkimin me dy apo më shumë të mitur me moshë nën 14 vjeç kërkohen gjithnjë të ardhura vjetore jo më të ulëta se dyfishi i çekut social”. Për më tepër, ligji specifikon se “për përcaktimin e shumës së të ardhurave merren në konsideratë edhe të ardhurat e përgjithshme të familjarëve që bashkëjetojnë me kërkuesin”. Në fillim të janarit, si çdo vit, INPS ka rivlerësuar shumën e çekut social për vitin 2015, duke e rritur atë në 5.830,76 euro. Ja disa shembuj kufijsh minimalë të ardhurash për bashkimet familjare të këtij viti:

    Bashkim me 1 familjar: 8.746.14 €
    Bashkim me 2 familjarë: 11.661.52 €
    Bashkim me 3 familjarë: 14.576.9 €
    Bashkim me 4 familjarë: 17.492.28 €
    Bashkim me 2 apo më shumë bij të mitur nën 14 vjeç: 11.661.52
    Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 1 tjetër familjar: 14.576.90 €
    Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 2 familjarë tëtjerë: 17.492.28 €

     

    Shqiptari i Italisë

    VO: Të nderuar lexues të gazetës Telegraf. Dy ditët e fundit kanë ardhur më shumë se 78 pyetje për emigrimin në Kanada dhe në Australi. Në kërkesat tuaja vihet re se nuk është lexuar si duhet instruksioni. Në të thuhet si sqarim, që duhet të hapni dhe të lexoni në anglisht faqet ueb të shteteve përkatëse. Në ato faqe jepen detajet. Pra çdo instruksion e gjeni tek ueb-et  zyrtare të çdo shteti. Ne paraqesim vetëm informacion se ku duhet të drejtoheni. Ditën e premte do t’ju informojmë për pyetjet tuaja. Faleminderit! Shkruani në gazetën “Telegraf” në adresën: [email protected]

    *********************************