Dëmtohet argjinatura, ura mbi lumin e Shkumbinit rrezikon shembjen

    380
    Sigal

    Rrezikohet shembja e urës së madhe mbi lumin Shkumbin, e kësaj vepre arti e cila u ndërtua vetëm pak vite me pare. Shirat e rrëmbyeshëm dhe prurjet e shumta të lumit Shkumbin janë kthyer në rrezikun më të madh për tokat përgjatë rrjedhës së lumit dhe sidomos për veprat e artit. Një nga urat më të mëdha e ndërtuar pak vjet më parë pjesë e segmentit Elbasan-Rrogozhinë rrezikon të shembet nga gërryerjet. Ura e ndodhur në bay pass-in e Peqinit ka pësuar gërryerje në argjinaturën anësore dhe në një nga këmbët e saj. Reshjet e shumta kanë bërë që prurjet e ujit të jenë tepër të mëdha e të përplasen në argjinaturën që mbron urën duke e gërryer atë plotësisht dhe çdo ditë e më shumë këmbët janë nën presionin e madh të prurjeve gjatë këtyre ditëve. Lidhur me gërryerjet nënprefektura Peqin ka lajmëruar Prefekturën e Elbasanit dhe është duke u hartuar një raport emergjent për nivelin ndërhyrjes. Specialistët thonë se në rast se nuk merren masa nëpërmjet një investimi mbrojtës në argjinaturë dhe riparim të këmbëve atëherë ura do të shembet. Shembja e saj bllokon segmentin më të rëndësishëm që lidhet me Durrësin dhe që i shërben mjaft bizneseve dhe qytetarëve nëpërmjet portit të Durrësit. Shkak për këtë situatë, ka qenë edhe shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumit Shkumbin nga disa firma private fantazmë, që kanë vite që punojnë duke thyer ligjet e shtetit. Në rast të bllokimit të këtij segmenti e gjithë ekonomia vendase do të paralizohej. Gjithashtu nëpërmjet portit të Durrësit kryhet edhe tranzitimi mallrave drejt Maqedonisë e më gjerë.