DASHURI

    518
    Sigal

    Vjeshtën e atij viti prisja të filloja klasën e parë. Babai dhe nëna punonin nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë. Babai sillte  dru nga pylli për t’u ngrohur e gatuar, ndërsa nëna punonte në plantacionet e mollëve. Ishte muaji shkurt dhe ato ditë ferma mbillte fidanë të rinj në kodrat përballë, disa orë larg fshatit. Ndërsa gjyshja ime, nëna e babait, i vinte shtëpisë rrotull; lante, fshinte, milte lopën, gatuante, shkurt, ndihmonte sa mundej. Pasi hoqi nga furra përvlakun, (tavë me miell misri i përzier me lakra, lëpjeta ose presh që piqet në furrë ose mbi prush) ajo preu një copë të mirë dhe e futi në një strajcë së bashku me një shishe me dhallë. -Shko të keqen gjyshja deri te Kodra e Ujkut! Çoja nënës që po i bie bretku në punë gjithë ditën për t’iu rritur juve! Të hajë edhe ajo një kafshore! Duke venë re ngurrimin tim, gjyshja më vuri dorën mbi flokë dhe më këshilloi: -Dëgjo bir, mos ki frikë nga ujqërit. Rrugës, këndo ose flit me zë të lartë që të tjerëve (ujkut) t’i duket sikur je i shoqëruar. Këshillat e saj më trimëruan, ndaj, pa fjalë, mora strajcën dhe u nisa drejt Kodrës së Ujkut, që ndonëse dukej edhe nga shtëpia jonë, mbante më shumë se një orë në këmbë. Kur u gjenda në mes të kodrave të pyllëzuara, nisa të këndoj dhe të fishkëllej ashtu, kot më kot, vetëm e vetëm që të  largoja frikën që më kishte mbërthyer nga koka te këmbët. Pranë përroit që ndante fshatin mes për mes, disa gra të përkulura mbi govata lanin rrobat, me kryet anash, për t’u mbrojtur nga shtëllungat e tymit të zjarreve mbi të cilët zienin kazanët e ujit. Era sillte në veshët e mi herë pas here zërat e tyre. Kështu, duke vrapuar, mëndja më shkoi tek përvlaku i ngrohtë, afshi i shijshëm i të cilit më gicilonte hundët. Zgjidha qesen dhe, ndërsa ecja rrugës, fusja në gojë nga një copë përvlak të shijshëm. “Ohu, sa shumë i ka venë gjyshja,- thashë me vete. -Nëse e provoj pakëz shijen e tij,  nënës prapë do t’i mbetet gjithë ai!” Sa herë e shpie nëpër mend atë ndodhi, them me vete se ndoshta gjyshja ime duhej të më kishte dhënë mua të haja më parë, pastaj të më niste te nëna për t’i shpënë ushqimin. Ndryshe, ndryshe… u bë ajo që nuk pritej! Kështu, herë duke u mbllaçitur e duke  kthyer shishen e dhallit, herë duke ia marrë ndonjë kënge dasme që më vinte në mend, vrapoja si veriu drejt nënës midis kodrave të heshtura. Hanko mos kalo mbi varre,/ Se të vdekurit i ngjalle,/Të gjallët i vdiqe fare. Kush e këndonte këtë këngë? Kush tjetër  veç meje? A nuk më kishte porositur gjyshja të këndoja me zë të lartë?  Kështu, herë  duke iu ngjitur kodrave, herë duke i zbritur ato me vrap, gjithmonë duke fishkëllyer e kënduar me zë të lartë,   më në fund, dallova rrëzë kodrës së fundit një tufë grash që po punonin të kërrusura me bel. Në vështrimin e dytë   dallova fare qartë nënën time. Sa m’u dhimbs e gjora!  Më dukej e vogël sa një milingonë! Ndoshta ngaqë e shihja nga  larg. Sigurisht, prej aty ku isha, jo vetëm ajo, por edhe pemët, përrenjtë, njerëzit, kafshët, edhe vetë kodra dhe mali më  dukeshin  shumë të vegjël…Ndërsa po vrapoja drejt saj me fytyrë të përskuqur nga era e ftohtë, e lajmëruar nga shoqet që më panë të parat, ajo,  la belin dhe u çapit me një fytyrë të lumtur drejt meje. -Mos vrapo aq shumë, pëllumbi i nënës,- dëgjova zërin e saj të ëmbël,-  se  mos më rrëzohesh dhe vritesh! U përqafuam me njëri-tjetrin. Nëna më pushtoi të tërin dhe nuk ngopej duke më puthur; sytë, faqet dhe ballin. -Ja,- iu drejtua duke buzëqeshur, shoqeve që po i hidhnin vështrime dashamirëse, -tani nuk do të kem më keq unë! M’u rrit djali, moj gra! Pastaj më mori në pëqi dhe  më pyeti: -Përse u mundove deri këtu,  o bir? -Të solla… bukën! – ia ktheva unë me gjysmë zëri kokulur. -Ah, t’u bëftë nëna, o pëllumbi nënës! Dhe prapë ndjeva puthjet e saj të zjarrta në faqe. -Eja bir, eja ulemi atje përtej dhe hamë bashkë! Edhe t’i duhet të jesh lodhur nga rruga!- më ftoi ajo duke më tërhequr nga dora. Edhe sot kur e kujtoj  atë skenë, digjem i gjallë nga turpi. Nëna shtroi për tokë xhaketën e saj të vjetër dhe duke më ulur pranë vetes, hapi qesen. Atë çast, do të kisha dashur të më përpinte dheu!  Më vinte plasje që gjithçka qëndronte sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Ndërsa nëna ime  kishte zgjidhur qesen plotësisht,  nuk dija ku të hidhja vështrimin. Fytyra më digjej nga një zjarr turpi. Gjatë rrugës e kisha ngrënë të gjithë përvlakun e shijshëm dhe kisha pirë të gjithë shishen me dhallë! Shpërtheva në ngashërime; lot e qurra bashkë. Le të më rridhnin. Po, po! Dhe ajo le të më rrihte me duart e saj të dashura dhe të vrara nga puna! Le të më fshikullonte me një thupër thane! Unë meritoja dënimin më të ashpër që mund të kishte!  Ajo gjendje furtune, nuk zgjati as disa sekonda. Befas nëna ime, duke më vështruar thellë në sy e hodhi tej qesen me shishen e boshatisur të dhallit dhe më rrëmbeu si një shqiponjë nga ajo gjendje e mjeruar. Më futi fytyrën e përlotur në gjoksin e saj të ngrohtë. Në fare pak sekonda, ja aq sa i duhet të feks një shkëndije zjarri, ajo kuptoi gjithçka. Dhe  nisi  të më puthë me dashuri të pa treguar kudo në fytyrë! Puth e beko! Puth e ledhato! Ah, o nëna ime e shtrenjtë! O diell i jetës sime, që, edhe në mes të asaj varfërie, me dashurinë tënde të pamatë m’i shtrove udhët  e jetës plot lumturi!  -Për këtë mërzitesh, o  pëllumbi im? Po nëna jote është gati të mos hajë asnjë thërrime pa ty! Po hëngre ti, jam e ngopur edhe unë! Ja, sot e ndiej veten më të  ngopur se çdo ditë tjetër të jetës sime! Sot, jam nëna më  e lumtur në botë! Nga puthjet dhe përkëdhelitë e saj e mora veten shumë shpejt. -Kthehu në shtëpi biri nënës! Dhe shiko, mos i thuaj njeriu për këtë! Në fund të fundit, kjo na përket ne të dyve!U ktheva me vrap në shtëpi dhe, çuditërisht, nuk kisha më frikë as nga ujqërit dhe as nga ndonjë rrezik tjetër. Më mbronte si askush tjetër vetë dashuria e nënës!  Tani, nuk harrova t’ia marr shtruar dhe me një zë të ëmbël: Ke dalë e më rri në sofat të kishës,/ Më e bardhë zotrote nga jakë e këmishës,/Ke dalë e më rri në sofat të portës,/Ç’m’i çanje bajamet me pëllëmbë të dorës,/Muhabet bëje me çunat e botës. Ndonëse ishte një ditë e ftohtë dimri çdo gjë rreth e qark këndonte ashtu si zemra ime që më  rrihte fort në kraharor për nënën.

    Vasil PREMÇI