Dalan Buxheli */Nderimi për dëshmorët është një detyrim me përmasa shenjtërimi

    461
    Sigal

    Në të gjitha qytetet janë thyer varret e dëshmorëve, Berisha refuzoi projektin tonë të rikuperimit të tyre

    Kombi shqiptar, si një ndër kombet më të vjetër të Evropës, ka mbijetuar ndër shekuj vetëm sepse ka luftuar e ka derdhur gjak për liri e për tokën e vet amtare. Në Luftën e Dytë Botërore tërë kombi ynë, si viktima e parë e agresionit fashist, u përfshi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, përkrah vendeve të koalicionit antifashist botëror,.Shqipëria radhitet ndër vendet e para, me 28 mijë dëshmorë, krahasuar me territorin dhe numrin e popullsisë. Prandaj, nderimi dhe respekti për ta është detyrë morale mbarëkombëtare, me përmasa shenjtërimi. Dita e 5 Majit është në nderin e të gjithëve, që traditën e mirë të kryer ndër vite, të mos e lejojmë të venitet, por edhe ta zhvillojmë më tej, në përkujtim të dëshmorëve të të gjitha kohërave. Në SHBA me ligj, është përcaktuar një javë në vit, nga data 25 deri më 31 Maj dhe kjo quhet “Java e Dëshmorëve”.Gjatë kësaj zhvillohen festime të organizuara në të gjitha shtetet e drejtuara nga Presidenti. Në Shqipëri ndonëse është sanksionuar me ligj, festimi i 5 Majit, ditës së dëshmorëve të atdheut, autoritetet jo vetëm që nuk angazhohen por nuk ndalojnë batërdinë e shkatërrimit të varrezave të dëshmorëve të atdheut dhe simboleve të tyre.

    Në nderim e përkujtim të dëshmorëve janë ngritur varreza të veçanta, monomeve, obeliskë e përmendore, shumica e cilave përbëjnë vepra arti të rralla. Po si është gjendja e tyre? Me keqardhje duhet të pranojmë se gjatë këtyre viteve është bërë e po vazhdon dëmtimi i tyre, nga falanga neofashiste, ç’ka përbën, jo vetëm një turp e një mëkat, por edhe një krim të shëmtuar. Në Shkodër janë thyer varret e Luigj Gurakuqit, Manush Alimanit,Tom Kolës, Vaso Pashës, Migjenit, Monumenti i 5 Heronjve të Vigut, etj. Në Krujë janë dëmtuar 116 varre. Në Tropojë, 65 varre, përfshi dhe varrin e Barjam Currit. Në Kukës, përfshi dhe varrin e Hasan Prishtinës, në Gjirokastër varret e Çerçiz e Bajo Topulli. Dhunimi i varreve e i simboleve bëhet në prag të 5 Majit, ditës së dëshmorëve të atdheut. Me gjithë kërkesat e herëpashershme të organizatës tonë, drejtuar organeve përkatëse, asnjeri nuk është vënë para përgjegjësisë ligjore. Në përgjithësi gjendja e të gjithë grupvarrezave kanë nevojë për ndërhyrje emergjente, për mirëmbajtjen e tyre. Të dëmtuara janë dhe përmendoret, si “Shpallja e Pavarësisë” Vlorë, “Kuvendi i Lezhës” 1944, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” Kukës, ajo kushtuar luftës kundër okupatorëve serbë, “Qaf Kolasion”, Kukës, Përmendorja kushtuar “Konferenca e Pezës” në Pezë, 1942, e shumë përmendore të tjera. Specialistë të fushës, nga ministria e Mbrojtjes dhe organizata jonë evidentuan e fotografuan në mbarë vendin. Dëmtimet masive të varrezave, rrugicave, rrethimin, ndriçimin, sheshet dhe muret mbajtëse e pritëse janë të dëmtuara në 80% të tyre, mungon gjelbërimi,dhomat tip muze, në hyrje të tyre janë të dëmtuara totalisht. Për restaurimin e tyre iu paraqit një projekt-preventiv, direkt Kryeministrit, Sali Berisha, në dy variante: vlerë e varantit të parë me mermer kap shumën 489 milion lekë, kurse ajo e ndërtimit të varreve me granil, kap shumën prej 574 milion lekë. Kërkohej prej tij, alokimi i fondeve që të fillohej nga puna për të qenë gati, për t’i përuruar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, që familjet e dëshmorëve dhe gjithë shqiptarët të bënin homazhe e të vendosnin lule, mbi varre të rikonstruktuara. Po kjo nuk u realizua se Kryeministri shpërfill gjakun e dëshmorëve. Ai ka nisur turavrapin që gjithë tradhtarët e kriminelët të vihen në një plan, me luftëtarët e vërtet të lirisë, duke ngritur përmendore e monumente ndaj Zogut e familjes së tij, për rrëzimin kështu nga piedestali heronjtë dhe dëshmorët e atdheut dhe ngritjes në vend të tyre, të anti-heronjve e tradhtarëve të kombit. Po ka edhe qeveritarë vendorë, si Z. Fatos Tushe që me ardhjen e tij, Kryetar i bashkisë Lushnje, gjeti të rrënuar varrezat e dëshmorëve të këtij qyteti. Ai mori masa të menjëhershme, alokoi fonde dhe brenda një periudhe njëvjeçare, u bë rikonstruksioni i tyre, ngriti murin rrethues, duke vendosur në hyrje, porta metalike të kyçura, u vendosën roje, ndriçimi elektrik me proxhektor, qëndron i ngritur, flamuri kombëtar, gjelbërimi me lule e pemë dekorative hijeshojnë rreth tyre. Për vitin 2013 është planifikuar fondi për ngritjen e dhomës muze në hyrje të varrezave. Investimi për restaurimin e varrezave, nga z. Fatos Tushe, simbolizon ndjesinë e tij, për gjakun e derdhur për liri e pavarësi të djemve e vajzave të këtij qyteti, prandaj ai merr  mirënjohjen e mbështetjen e gjithë familjeve të dëshmorëve dhe të qytetarëve të Lushnjës. Shembull i mirë për qeveritarët e lartë shtetëror e vendor për t’u kujtuar alokim fondesh, për mirëmbajtjen e këtyre objekteve me rëndësi të veçantë.

     *Sekretar i përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të atdheut