CEZ-i vjedh lekët që shqiptarët paguajnë për televizionin publik dhe qeveria hesht

    472
    Sigal

    Drejtori i TVSH-së, Petri Beci, në Kuvend: “CEZ-i na jep vetëm 50 % të lekëve”

    1. Vjedhja e CEZ-it lekëve që shqiptarët paguajnë për televizionin publik

    Dje në Komisionin e Medias, drejtori i TVSH-së, Petrit Beci, duke raportuar për p/buxhetin e 2013-s, bëri fjalë për një fakt. TVSH-ja merr nga lekët që paguajnë shqiptarët taksë për TVSH-në, vetëm 50 % të shumës që mbledh CEZ-i nëpërmjet faturave të dritave.  Duke bërë fjalë me shifra, drejtori i TVSH-së, tha se CEZ-i i derdhi vetëm 700 milionë lekë TVSH-së, ose 50 % të shumës së mbledhur. Ndërkohë, ndërhyn zonja Valentina Leskaj, Kryetarja e Komisionit të Medias dhe e pyet përse vetëm kaq përqindje e ulët i kthehet TVSH-së nga paratë që paguajnë shqiptarët për TVSH, nëpërmjet faturave të CEZ-it. Drejtori i TVSH-së, Petrit Beci, i përgjigjet se deri vitin e kaluar CEZ-i derdhte vetëm 30 % të shumës që shqiptarët i paguajnë- nëpërmjet faturave të dritave- dhe këtë vit, vazhdoi zoti Beci, CEZ-i dha 200 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar, pra gjithsej 700 milionë lekë. Kryetarja e Komisionit të Medias, u revoltua nga kjo shumë e ulët që CEZ-i i kthen TVSH-së, dhe u shpreh: “Pokjo është vjedhje që CEZ-i i bën shtetit, duke mbajtur lekët që shqiptarët paguajnë për TVSH-në”.

    2. Përse deri më sot shteti hesht ndaj kësaj vjedhjeve?

    Askush tjetër në Komisionin e Medias nuk u shqetësua, nuk pyet për të kërkuar sqarime të mëtejshme, për një vjedhje sistematike që CEZ-i u bën shqiptarëve, duke i mbajtur jashtë çdo ligji më shumë se 700 milionë lekë, të reja, ose 7 milionë dollarë në vit. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë, që një Kryetare Komisioni Parlamentar, të pohojë në Kuvend që një kompani private po e vjedh shtetin me miliona dollarë në vit dhe të heshtë. Deputetët dëgjojnë drejtorin e TVSH-së, Petrit Becin, që CEZ-i çdo vit nuk i kthen TVSH-së,  më shumë se 70% të lekëve që shqiptarët të paguajnë për televizionin publik, dhe heshtin. Sikur, TVSH-ja të ishte pronë, biznes i secilit deputet, a do të heshtnin ata, kur dikush nuk u jep paratë e tyre? Drejtori i TVSH-së, Petrit Beci, edhe pse e di shumë mirë, që çdo vit CEZ-i nuk u jep 70 % të parave që shqiptarët paguajnë për televizionin publik, hesht dhe nga ana tjetër ka edhe kurajon morale, qytetare, politike dhe shtetërore të kërkojë në Komisionin e Medias, fonde të tjera për të mirëkryer funksionin e televizionit e radios publike. Madje, drejtori i TVSH-së, Petrit Beci,  me ndjenjë e mburrjes, deklaron në Komisionin e Medias, se këtë vit nga CEZ-i u morën 200 milionë lekë më shumë se vitet e kaluara, kur- sipas zotit Beci- CEZ-i vitet e tjera ka paguar vetëm 30 % të shumës që paguajnë shqiptarët për TVSH, ose 500 milionë lekë.

    3. A e di shteti shqiptar, sa lekë paguajnë- nëpërmjet faturave të CEZ-it- shqiptarët për TVSH-në?

    Nga gjithë vjedhjet e abuzimet që ka bërë e bën CEZ-i ndaj shqiptarëve në këto 4 vjet që funksionon në Shqipëri, siç janë mbifaturimet e tepërta, çmimi shumë herë më i lartë i shitjes nga çmimi i blerjes, nga penalizimi i faturave të paguara kur kalojnë afatin një mujor, nga dyfishimi i çmimit të shitjes të kilovatorit, kur kalohet kuota e 300 kilovatëve- që është më e ulëta në Rajon, ndërkohë në Greqi kuota është në 800 kw- me  matësit e  energjisë elektrike, që CEZ-i i ka kolauduar që ato të matin më shumë kw nga sa harxhohet realisht, u shtohet edhe kjo që u pohua në Komisionin e Medias. CEZ-i në tërë këto vite që është në Shqipëri, grumbullon lekët që shqiptarët paguajnë për TVSH-së, me faturat e dritave, por i mban për vete, duke i dhënë shtetit, TVSH-së thërrimet e 30 %. Dhe, jo vetëm kaq. CEZ-i detyron shqiptarët që të paguajnë me kamatë vonesën edhe për TVSH-në, ndërkohë kur vetë CEZ-i nuk ia kthen fare shtetit lekët që mbledh për TVSH-në. Nga ana tjetër, CEZ-i është akuzuar edhe për evazion fiskal në Shqipëri. Askush në Shqipëri nuk mund të kontrollojë CEZ-in se sa janë pagesat e shqiptarëve për CEZ-in, pasi CEZ-i nuk jep asnjë dëftesë pagimi që të tatohet.  A e di ndonjë organizëm e institucion shtetëror në Shqipëri, sa janë matësit e energjisë elektrike që CEZ-i ka? Askush. Atëherë, cili organizëm shtetëror mund t’i llogaritë CEZ-it sa lekë duhet të kthejë për pagesat e TVSH-së? Logjika të çon në konkluzionin. CEZ-i vjedh me të dy duart lekët që shqiptarët paguajnë për TVSH-në, me marrëveshjen e heshtur të shtetit shqiptar.

    4. Përse CEZ-i të grumbullojë lekët që shqiptarët paguajnë për TVSH-në?

    Edhe kjo një pyetje që kërkon përgjigje, për më tepër, që në ditën e parë që CEZ-it iu dha e drejta e koncensionit. Sa ishte OSSH-ja dhe KESH-i shtetërore, pagimi i TVSH-së në faturat e dritave kishte një logjikë. Mirëpo, derisa CEZ-i është një kompani private, përse iu dha e drejta CEZ-it që të mbledhë pagesat për TVSH-në? Shteti ka Ujësjellësit, akoma që nuk i ka privatizuar dhe shumë mirë pagimin e TVSH-së le ta bashkëshoqëronte me faturat e ujit. Ose, vetë TVSH-ja të gjejë rrugët e saj për të mbledhë paratë që shqiptarët paguajnë TVSH-në.

    5. Përse Prokuroria nuk ndërhyn menjëherë për të parandaluar vjedhjen e CEZ-it?

    Drejtori i TVSH-së, Petrit Beci e di shumë mirë që CEZ-i nuk kthen 50-70 % të lekëve që shqiptarët paguajnë për TVSH-në dhe hesht! Kjo do të thotë, që shteti është në dijeni që CEZ-i vjedh miliona dollarë nga lekët që shqiptarët paguajnë për TVSH-në dhe , çuditërisht, hesht. Kjo do të thotë, që edhe prokuroria e di që CEZ-i vjedh miliona dollarë nga taksapaguesit shqiptarë dhe përsëri hesht. Përse kjo heshtje e vetëdijshme, përballë një vjedhjeje sistematike dhe kaq flagrante nga CEZ-i për lekët që shqiptarët paguajnë për TVSH-në? Mos vallë ka titullarë të lartë të shtetit, që kanë interesa vetjake, personale me CEZ-in? Është jologjikë, që të pranojmë të kundërtën. Që paaftësia profesionale, e një, dy, tre drejtuesve të lartë, duke filluar që nga Drejtori i TVSH-së,  që hesht përballë vjedhjes të CEZ-it,apo edhe i ndonjë drejtuesi të institucionit të Taksë-pagimit, të ndonjë prokurori indiferent e të pandërgjegjshëm, të pranohet si shkak i heshtjes ndaj vjedhjes të milionave dollarë çdo vit që CEZ-i vjedh nga taksapaguesit shqiptarë për TVSH-në!