Braktisja e pakthyeshme e librave dhe bibliotekave

    759
    Sigal

    Bibliotekat dhe libraritë e kryeqytetit janë gjithmonë gati të zbrazëta. Shumica e punonjësve të këtyre librarive shprehen se leximi nga ana e qytetarëve dhe shitja e librave po shënon rënie tepër të mëdha. Ata ankohen se nuk po i shesin dot librat, rrallë ndonjëherë mund të shkojë ndonjë zonjë me fëmijë të vogël për të blerë libra me përralla ose me ilustrime, ndërsa punonjësit e bibliotekës thonë se aty pothuajse nuk shkon njeri fare. Rrallë ndonjëherë mund të kalojë ndonjë student në periudhën e shkollës, për të kërkuar ndonjë material që u duhet për lëndët e tyre. Ndërsa periudha e verës ka qenë tepër e varfër në këtë aspekt. Vizitorë në bibliotekë kanë qenë pothuajse vetëm turistë që vijnë nga vendet e huaja për të vizituar vendin tonë. Disa fajin ua lënë kushteve ekonomike sepse ka njerëz të cilët nuk mund të blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre dhe jo të blejnë libra jashtëshkollorë. Por një faktor tjetër, jo më pak i rëndësishëm që ndikon në këtë situatë është edhe zhvillimi i teknologjisë dhe internetit. Tashmë të gjithë mund gjejnë atë që duan me një klikim në internet dhe kjo ka bërë që libraritë dhe bibliotekat të lihen shumë pas dore. “Ka shumë të rinj të cilët botojnë vëllime me poezi, romane apo lloje të tjera librash dhe i sjellin për ti shitur, thotë librashitësja, por asnjë kopje nuk shitet.

    Tani janë harruar edhe librat e autorëve të mëdhenj e të njohur botëror, ndërsa këta të autorëve të rinj janë strukur në një qoshe të librarisë e nuk shihen e as preken nga askush”. Por këto nuk janë të vetmit që shprehin shqetësim për këtë fakt. Tregtarët që shesin librat me pakicë nëpër stendat e vendosura jashtë janë gjithashtu ata që vuajnë nga ajo çfarë ata e quajnë mosinteresim zyrtar në tregtinë e tyre e cila varet shumë edhe nga moti. Ata thonë se qëndrojnë në pik të vapës për të shitur ndonjë libër por ka raste që mund ti zërë edhe shiu. Njëri nga tregtarët i cili foli për gazetën “Telegraf” tha: “Të rinjtë e sotëm e kanë mendjen të mbushin kafenetë sa më shumë. Kudo që të hedhësh sytë sheh vajza e djem, grupe-grupe, me celularë nëpër duar, të cilët nxitojnë të zënë ndonjë tavolinë të mirë në lokalin e tyre të preferuar. Asnjëri nuk e merr mundimin as ti hedhë sytë tek librat, e jo më ti marrin e ti shfletojnë. Dikur ne bënim vrap për të marrë librat e fundit që botoheshin, ndërsa sot librat kanë zënë pluhur e po grisen nga pluhuri. Por jo vetëm me të rinjtë ndodh ky fenomen. Edhe moshat e dyta dhe të treta nuk po interesohen më për libra dhe kjomë bën të ndihem keq”. Janë këto fjalët plot keqardhje të tregtarit të moshuar. Disa të tjerë thonë se brezi i sotëm është përtac, nuk kanë kohë të lexojnë , çdo gjë e duan të gatshme që të mos lodhen shumë. Nëse ndonjë libër kthehet në film, ikin të parët për të mbushur kinematë, por në fakt ata nuk e kanë lexuar më parë atë libër sepse “nuk kanë kohë”,dhe do ikin ta shohin gati në një format ndryshe. Është për të ardhur keq se si libraritë dhe bibliotekat kanë përfunduar në këtë gjendje, por është një situatë që nuk mund të rregullohet sa hap e mbyll sytë sepse interneti dhe teknologjia po përhapen shumë shpejt.