Biçaku: Konsumatori në rrezik nga konsumimi i mishit pa vulën e veterinerit

    440
    Sigal

    SHKSH/ Flet veterinerja znj. Fatmira Biçaku: Tregtimi i mishit, i pasigurt. Thertorja e Vaqarrit monopol i ri që po ndot lumin Erzen

    Specialistët e Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar (SHKSH) ngrejnë shqetësimin e informalitetit në tregtimin e mishit. Ky informalitet cenon shëndetin e konsumatorëve të cilët rrezikojnë të infektohen nga sëmundje që shkaktohen për shkak të konsumit të mishit të pakontrolluar. Rastet e publikuara me sëmundjen e plasjes në Tepelenë, por edhe ankesat e shumta të konsumatorëve pranë SHKSH-së, kanë bërë që specialistët e shoqatës të bëjnë një testim në tregun e mishit dhe nënprodukteve të tij. “Gjatë testimit të SHKSH-së konstatuam një pjesë të mirë të dyqaneve me kushte higjeno-sanitare brenda standardit, me mjetet dhe pajisjet e nevojshme, me bazë ftohje, me çengela, thika, dhe enë të tjera, ku shumica prej tyre prej prej inoksi, me ujë të bollshëm etj. Ky angazhim institucional ia vlen të përgëzohet, por gjithashtu dhe nismat nga biznesi që kërkon të konkurrojë në kërkesat që ka tregu. Por sërish konsumatori shqiptar është në rrezik. Kjo, sepse produkti bazë, “mishi”, tregtohet pa raport veterinar”, shprehet për “Telegraf” mjekja veterinere znj. Fatmira Biçaku, specialiste e SHKSH-së.  Znj. Biçaku tregon më tej se edhe vetë tregtarët e neglizhojnë këtë fakt shumë të rëndësishëm për sigurinë e konsumatorëve. “Mungesa e raportit të veterinerit, therjet e pasistemuara (në tregje të improvizuara), rreziku nga mbetjet e therjeve në rrugë, si dhe transporti i mishit në kushte jo të përshtatshme sigurie janë vërtetë kërcënuese për shëndetin e njeriut. Trumbetohet se po inspektohen te gjitha tregjet kryesore në kryeqytet, me qëllim që konsumatorit t’i tregohen produkte të sigurta. Por nga ana tjetër janë dhjetëra ankesa të konsumatorëve për produkte të pakontrolluara, e pikërisht për mishin. Pra, realiteti që shohim, prekim e jetojmë nuk është ashtu siç pretendojnë drejtuesit e institucioneve, sepse nuk mund të këtë produkt mishi të sigurt, kur mungon vula ose raporti i mjekut veterinar. Në të tilla kushte, a kemi të drejtë të flasim për sigurinë e konsumatorit?” pyet veterinerja Biçaku.

    Ankesat e konsumatorëve:

    1. Konsumatorët thonë se therjet vazhdojnë ende në pika të improvizuara dhe duhet me patjetër që të shtohen pikat e therjes dhe të kontrollohen nga inspektorët e certifikuar zyrtare.

    2. Mishi që ne blejmë e konsumojmë, në 70 % të dyqaneve është pa raport veterinar, pra i pakontrolluar nga inspektori veterinar.

    -Specialistët e SHKSH-së përmendin pikat e tregtimit të mishit pa vulë në Unazë të Re, pranë Shkollës Sabaudin Gabrani, përballë Fan Nolit, përballë dhe në afërsi të stacionit të Trenit, në hyrje të Saukut, në Kinostudio, në Bathore etj.

    3. Thertorja e ngritur nuk i plotëson nevojat për therje, ruajtje dhe furnizimin e gjithë pikave të tregtimit.

    4. Bukur pretendohet se kanë realizuar një thertore jashtë qytetit me kushtet dhe me kapacitet të plotë në Vaqarr të Tiranës, por kjo thonë konsumatorët po gëzon një pjesë ose mund të quhet monopol e një apo grup personash me poste drejtuese. Kështu, duke u nisur nga bllokimi i thertoreve të tjera dynden të gjithë për në Vaqarr.

    – Sipas SHKSH-së kjo Thertore e ngritur nuk i plotëson nevojat për therje, ruajtje dhe furnizimin e gjithë pikave të tregtimit për Tiranën. Kjo pikë nuk i përballon nevojat për të furnizuar 400 pikat e shitjes vetëm në Tiranë me qindra kv mish në ditë a më shumë dhe për pasojë nuk dimë se çfarë konsumojmë. Konsumatori në këtë rast është në rrezik për shëndetin dhe për jetën e tij.

    -Ende më keq të gjitha mbetjet e kësaj thertoreje derdhen te këmba e urës në Erzen duke ndotur dukshëm mjedisin, një rrezik tjetër në pragun e shtëpisë për konsumatorët.

    Vula e mishit jashtë mode, – thonë tregtarët e dyqaneve të mishit

    Kjo është përgjigja standard e kasapëve, e shoqëruar kjo me një buzëqeshje dashamirëse kur pyeten pse mishi nuk ka vulë. Kjo është gjendja në pjesën dërmuese të dyqaneve të mishit në Tiranë, madje në gjithë vendin. Vlen të themi se edhe ne kohën e mbretit kishte kontroll të rreptë të mishit thonë konsumatorët dhe nuk guxonte kush të tregtonte mish të pakontrolluar pa vulën e mjekut veteriner. Vërtetë po punohet nga Ministria e Bujqësisë dhe AKU për përqendrimin e therjeve të kafshëve për mish në thertore, të cilat plotësojnë standardet higjienike, por konsumatorëve iu është krijuar ideja e një monopoli të ri me therjet.

    box

    A rrezikohet konsumatori nga sëmundja si ajo e plasjes?

    Sigurisht që po dhe shenja të tilla ka në jug të vendit, sikurse ne Tepelenë që sipas konsumatorëve janë të shumtat rastet e sëmundshmërisë. E gjitha kjo situatë vjen nga mungesa e kontrollit të shërbimit veterinar, të mungesës së gjurmueshmërisë, moszbatimit me rigorozitet të vaksinimit etj..

    box

    Sugjerimet e Specialistëve të Shoqatës për Organet përgjegjëse:

    – Të sigurohet konsumatori me produkte të kontrollueshme në treg

    – Organet përgjegjëse të marrin përgjegjësitë dhe të normalizojnë situatën që të sigurojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve

    – Të zbatojnë ligjet që sigurojnë dhe mbrojnë konsumatorët: Ligji i Mbrojtjes së Konsumatorit, Ligji i Ushqimit, ligji i Shërbimit Veterinar, Rregulloret, Akti Normativ nr. 7 dt. 16.8.2012 për therjen e kafshëve dhe të tregtimit të mishit dhe VKM etj.

    – Të zbatojnë me përpikëri  Aktin Normativ Nr. 4 dt. 16.8.2012 Neni 1, 2 të cilët bëjnë fjalë për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të njeriut, si dhe mbrojtja e mjedisit

    – Të shtohen pikat e therjeve të kontrollueshme, duke mënjanuar monopolin

    – Të sistemohen mbetjet dhe derdhjet e thertores ekzistuese