Bashkim KOÇI/ Në Levan, në Tepelenë…

    561
    Sigal

    Të udhëtosh këto ditë vjeshte nga Tirana për në Tepelenë, ashtu si dhe në çdo aks tjetër rrugor  që të nxjerr jashtë “rrëmujës dhe rrëmetit”, është mrekulli më vete. Sigurisht, jo për të gjitha gjërat që sheh e dëgjon.  Rrugët, fjalavjen, jo vetëm ato që janë bërë për ibret, sepse nuk është vënë dorë për dekada të tërë, por edhe në të tjerat që u është “prerë shiriti” e përurimit disa herë,  të pëlcasin buzën. Ja, si ajo që përshkova këto ditë, pra Tiranë-Tepelenë,  e cila në pjesë me kilometra të tërë, ishte  në gjendje të mjerueshme, si të jenë rrugë të një vendi në kohë lufte.

     Të tjerat, pastaj, bëhen pjesë e ilaçit që të ngjall shpirtin, bëhen melhem, pjesë e asaj magjie të pashpjegueshme, e cila instinktivisht  të ngazëllen e të ripërtërin ndjesinë e përfytyrimeve mistike. “Behari i vogël” , siç i thuhet kësaj periudhe  kur i ka ditët me plot diell, ka jeshiluar ara e livadhe me  bar që nuk i ngjan fare atyre të stinëve të tjera të vitit. Po kështu dhe të tjerat që të rrok syri. Tufat e bagëtive të imta, dele e dhi; ullishtet, vreshtat dhe  arat e mbjella për herë të dytë me misër për zahirenë e bagëtive për periudhën e dimrit; pikat e prodhimit të materialeve inetre të ndërtuesve etj.. Të gjitha këto e bëjnë, qoftë dhe një udhëtim çfarëdo, mafgjiplotë, të jashtëzakonshëm.

    Golik, të bukur zë që paske!

    Atë ditë në qytetin e Tepelenëspra më 28 shtator, organizohej 70- vjetori i lindjes i “Gjeneralit…” të këngës labe, Golik Jaupit. Bashkëshoqëruesi ynë, historian Bardhosh Gaçe, i paskej pikë të dobët Golikun, na “detyroi” të prishnim programin,  të ishim edhe ne pjesë e atij koncerti të madh.

    -Unë nuk e kam takuar ndonjëherë bilbilin e këngës labe, Golikun tuaj-i them Pelivan Hysit, i cili në Tiranë kryen detyrën e kryetarit të shoqatës “Treva e Krahësit”, një ndër shoqatat më aktive në kryeqytet. Ia thashë këtë fakt që ta lehtësoja shpirtërisht, t’ja hiqja peshën e merakun që kish për të mbërritur në orën e caktuar në shtëpinë e mikut që na priste në Levan, të Medin Caushit.

    Sigurisht, ai nuk e bëri veten, por ndërkohë më la të kuptoja që rregullat nuk duhen shkelur, që miku, të cilin po e nderojmë ashtu si e meriton, të jetë i kujdesshëm  në respektimin e zakoneve, të ca ligjeve të pashkruara. Nuk u bëmë pishman pse thyem orarin e mbërritjes në Levan. Nuk u bëmë pishman sepse aty, në mjediset e Pallatit të Kulturës në Tepelenë, u përballëm me një mjedis festiv të fuqishëm, aq sa për pak çaste “u tretëm”, u bëmë njësh me të. Sikur të kishim ardhur nga Tirana posaçërisht në nderim të “Gjeneralit” të këngës labe, Golik Jaupit.

     Aty po “çaheshin” muret e sallës, ku jepej koncerti, të mbyste oshtima e këngës së bukur labe. Na la pa gojë zëri i këngëtarit, të cilin, për të qenë korrekt me pjesëmarrësit e atik koncerti  të rrallë, e bënë t’i rikthehej me paderman këngës që e bëri me emër “O Bënçë mbi Tepelenë”.

    Vërtet, me një zë që më dilte nga brenda, dëgjoja të thosha me vete: Golik, të bukur zë që paske!

    Kujtojnë, nderojnë…

    Ky vit i 70 Vjetorit të Çlirimit ka vënë në lëvizje organizata, shoqata dhe individë të veçantë për ta përkujtuar me seriozitet, mesa më shumë përkujdesje e nderim  ata që kanë kontribuar  për krahinën e Krahësit, për Shqipërinë. Këtë shqetësim e ka edhe Shoqata “Treva e Krahësit”, drejtuesit e të cilës po bëjnë më të mirën e mundshme për të evidentuar figurat më të spikatura të trevës.

    Pelivan Hysi dhe Naim Dëra, dy nga më të përkushtuarit në kryerjen e veprimtarive të Shoqatës, morën rrugën deri aty, në Krahës, për të vënë në lëvizje organet e pushtetit vendor në komunë, për të bërë ndoshta edhe lobing me përfaqësues të forcave të ndryshme politike, në mënyrë që propozimet për vlerësimin e disa personaliteteve  të miratohen,  të mbeten në listën e të nderuarve në këtë 70-vjetor. Dhe janë ashtu si ka gjykuar Shoqata, emra që kanë ngjitur në ndërgjegjen e banorëve të asaj zone, si Osman Haxhiu, prefekt i Vlorës në vitet ’20, mik i Ismail Qemalit; baba Fejzo Therepeli, një ndër luftëtarët dhe udhëheqës  i formacioneve partizane; Bardhosh Gaçe, historiani që po heq pluhurin e harresës të patriotëve  vendas, Ibrahim Selimit e baba Medin Gllavës. Kur këta veprimtarë (të cilët nxjerrin vullnetarisht edhe gazetën “Vjosa”), morën vesh për “vulën” që  kish vënë këshilli i komunës,  miratimit të propozimeve për t’i bërë personalitetet e mësipërm ”Qytetarë Nderi” të komunës, nuk i mbante vendi. Më duket se është vendi të citoj diçka nga Volteri: “Respekti është gjë e mrekullueshme, bën që ajo që është e shkëlqyeshme për të tjerët, të na takojë edhe neve”.

    Monument kulture që mbrohet nga … Medin Caushi

    Në fshatin Levan, pjesë e komunës së Krahësit, posa futesh në fshat të del përpara Lisi i Madh. Kështu e kanë thirrur denbabaden vendasit, breza të tërë njerëzish. Edhe pse përpara shtëpisë, në një shesh të gjelbëruar nga bari vjeshtuk, del të na presë i zoti i shtëpisë, sytë venë tek Lisi i Madh, tek ai që ne na duket se është zot i të gjitha atyre trojeve, edhe i shtëpisë mikpritëse. Medini, i cili është mësues në shkollën aty pranë, na thotë se, Lisi i Madh ka moshë mbi 500 -vjeçare.

    -Për këtë jam i sigurt sepse nuk e them unë, por specialistë kompetentë që kanë ardhur disa herë këtu, për të vizituar  e studiuar monumentin e çuditshëm. Madje aty nga fundi i trungut, Lisit të Madh i është vendosur një tabele e dukshme ku është shkruar : “Objekt kulture, ruhet nga shteti!”

    – Ajo “nga shteti’ duhet të fshihet dhe të zëvendësohet nga “Medin Caushi”-thotë ja pa seriozitet historian Bardhosh Gaçe.

     Pas bisedës që bëmë me mësuesin Medin, ajo çka sugjeroi Bardhosh Gaçe ishte mëse e vërtetë. Medin Caushi e shikonte Lisin e Madh si të ishte një qënie e gjallë, si të ishte një pasuri që një pakujdesi e vogël të dilte nga duart.

    Sigurisht që, nuk jam në gjendje të them, për aq sa pashë, të veçantat e Lisit të Madh. Ajo që jam i sigurt të them është se ai përfaqëson diçka të rrallë, një monument kulture nga më të çmuarat, që duhet medoemos të dokumentohet si i tillë.

     Vendasit numëronin edhe dy vëllezër  të vegjël të Lisit të Madh, atë të Gjergajve dhe të Zykajve. Por ky që pamë me sy, që e prekëm me dorë  dhe e ledhatuam si të ishte “i shenjtë”,  nuk besoj se ka një të dytë në Shqipëri. Ishte me pamje e me hije të një gjigandi, tepër mistik.

    Bektashinjtë e Levanit

    Shtëpia, ku bujtëm si miq ishte dhe mbetet themel nga ku kanë dalë korifenj të bektashizmit. Nga ai fis, pra i Caushajve, është baba Medin Gllava, patrioti i madh që la emër si luftëtar e patriot, si shok e mik i Bab Dud Karbunarës e dhjetëra figurave të tjera të shquara në Berat.

    Për koiçidencë një ditë më parë mësues Medini, i cili mban për emër të gjyshit të tij, Medin Gllavës, paskësh qenë në Gllavë, tek teqeja me emër të madh, ku ishte organizuar ceremonia e rivarrimit të eshtrave të baba Medinit pranë tyrbes të ndërtuar enkas nga Kryegjyshata Botrore, nën kujdesin e Baba Haxhi Edmond Brahimaj. Në Gllavë, pranë teqesë ishte organizuar një festë përkujtimore, të shoqëruar me bekime e taksur kurbanë për emrat e baballarëve, përfshi edhe baba Medin Gllavën, i cili  mban titullin “Dëshmor i Atdheut”. Të mos harrojmë se aty pranë Levanit është Teqeja e famshme e Harakopit.

    Medini i Ri nuk na la pa treguar, pa na bërë prezent disa objekte të rralla të fesë bektashiane, të cilat ishin mbajtur me shumë fanatizëm nga një bektashi tjetër i këtij fisi, baba Neki Caushi. Baba Nekiu është ndarë nga jeta në vitin 1999, por mësues Medini, si intelektual  mirëfilltë, bashkë me bashkëshorten, Merushen, i kanë ruajtur objektet e rralla si një amanet që u ka lënë baba Nekiu, amanet, që siç thonë në ato anë, nuk e tret as dheu.

    Por ç’ishin ato objekte? Në një sënduk, si ta kishe nxjerrë nga “prehistoria”, ruheshin libra të shkruara me  shkrim dore e të shtypura në trajtën e librave të shenjtë. Ishin vërtet të një rëndësie që mund ta përcaktojnë ata që marrin vesh nga besimi bektashi. Ne që i pamë dhe i soditëm sit ë ishin objekte të shenjta dhamë mendimin për t’i dorëzuar në vend të sigurt, aty ku, përveç se ruhen, edhe u rritet vlera si dokumente të veçantë dhe që flasin për historinë e bektashizmit në Shqipëri.

    Unë, si bektashi  dhe që e kam origjinën nga fshati Prishtë i Skraparit, u përballa  me disa objekte të tjera, paksa të rralla, të ruajtura me aq kujdes nga baba Nekiu. “E rralla” qëndronte se ato ç’ka na treguan ishin objekte personale të baba Kamber Prishtës, organizatorit të Kongresit të parë bektashian. Baba Kamberi, kur e futën në burg, ia kish besuar  objektet personale besnikut, atij që i qëndroi pranë, baba Nekiut. Unaza e çmuar me gur diamanti, luga dhe piruni të argjendtë dhe tespihet e përgatitura me baltë Qerbelaje  ishin paksa befasuese. Këto të fundit, pra tespihet, ishin mbi treqind vjeçare. “Pronarit të ri”, Medinit, i cili e ruan  sëndukun si të jetë “Thesari i shtetit” (jo ai i Fullanit) i kanë thënë “hap gojën” për sa vlejnë, por ai nuk i jep, sikur t’ja mbushin atë sepete edhe me flori.