Basha takon përfaqësuesit e BB dhe FMN

472
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike pret në takime të veçanta përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Basha: Në themel të përkeqësimit të ekonomisë shqiptare qëndrojnë paaftësia, arbitrariteti, evazioni dhe korrupsioni qeveritar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takime të veçanta përfaqësuesen e Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Tahseen Sayed, dhe përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, z.Nadeem Ilahi.

Gjatë këtyre takimeve, z.Basha shprehu shqetësimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës për kursin e gabuar ku qeveria ka futur ekonominë shqiptare.

Basha tha se ka rënie të mbledhjes së të ardhurave, jo vetëm krahasuar me periudhën e mëparshme, por edhe duke marrë parasysh vetë parashikimet e qeverisë.

Kryetari i opozitës tha se është shumë shqetësuese mungesa e transparencës nga qeveria në lidhje me vendimet dhe të dhënat zyrtare.

“Qeveria ka krijuar pasiguri juridike, çka ka dëmtuar biznesin dhe ka stepur investitorët ”, u shpreh Basha. Treguesit e ekonomisë janë në përkeqësim, rënie, ose dobësim.

Ulja e ndjeshme e mbledhjes së të ardhurave, theksoi Basha është tregues i evazionit, korrupsionit dhe rritjes së informalitetit në ekonomi.

Nga ana tjetër është rritur praktika e prokurimit të drejtpërdrejtë nga ana e qeverisë, u shpreh Basha, dhe qeveria po vonon informacionin në këtë drejtim të kërkuar nga opozita në rrugë parlamentare.

Duke u ndalur tek arbitrariteti, shkelja e ligjit, moszbatimi i vendimit të gjykatave, prishja e ndërtimeve me leje ose në proces legalizimi, spastrimet në administratën publike dhe emërimet e personave me precedentë apo të kaluar kriminale, Basha tha se është krijuar një klimë pasigurie e përgjithshme që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe biznesin dhe si rezultat ka mbyllur vende pune dhe zvogëluar shanset për punësim.

Kryetari i Partisë Demokratike i njohu përfaqësuesit e Bankës Botëroe dhe Fondit Monetar edhe me rënien e nivelit të pagesave nga qeveria të detyrimeve ndaj subjekteve të përfshira në investimet publike krahasuar me periudhën e qeverisjes së mëparshme, dhe me uljen e rimbursimit të TVSH-së.

Në këtë situatë, ekonomia, tregu financiar, konsumatorët dhe investitorët kanë reaguar e po reagojnë keq, duke shënuar përkeqësim në cdo drejtim.