Bozdo: Një milion dollarë për kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në Tiranë

437
Sigal

 Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, nëpërmjet nxitjes direkte të shpirtit të sipërmarrjes si dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është një ndër objektivat parësore të Bashkisë Tiranë që në nisje të këtij mandati.

 Në vijim të përpjekjeve të Bashkisë për të nxitur punësimin në qytet, Bashkia Tiranës do t`i prezantojë sot Këshillit Bashkiak miratimin e fondit prej afro 1 milion USD, që do të përdoret tërësisht për kreditimin e bizneseve të reja (start up) dhe SME-ve. Përmes këtij fondi, ne synojmë kreditimin e atyre bizneseve të vogla dhe të mesme të cilat nuk gjejnë akses në sistemin bankar, pasi nuk kanë mundësinë e ofrimit të kolateralit.

 Kjo është shuma më e madhe e vendosur ndonjëherë nga buxheti i një institucioni në Shqipëri, për kreditimin e drejtpërdrejtë të hapjes së biznesve të reja, të vogla dhe të mesme (Start-up dhe SME-ve).

 Nëpërmjet këtij projekti synohet të arrihet:

 –          Financimi i bizneseve të reja (start up)

–          Financimi i bizneseve ekzistuese me qëllim rritjen dhe zhvillimin e tyre

–          Rritja e punësimit;

–          Nxitja e inovacionit;

–          Krijimi i vendeve të reja të punës;

–          Nxitje të rolit të gruas në sipërmarrjen ekonomike.

 Në këtë iniciativë, Bashkia e Tiranës do të jetë partnere me Norfund (Fondi Norvegjez i Investimeve për Vendet në Zhvillim) si dhe Fondin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillimin. Instrumenti që do të përdoret është i pari i këtij lloji në Shqipëri. Është përdorur me sukses në Maqedoni dhe Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit.

 Kjo është iniciativa e dytë që ndërmerr Bashkia e Tiranës, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në qytetin e Tiranës, pas fondit të garancisë prej 1 milion dollarësh i cili po aplikohet me sukses. Me garancinë e këtij  fondi,  të rinj nga mosha 30-35 vjeç kanë marrë kredi, kanë hapur dhe po zhvillojnë bizneset e tyre me sukses në qytetin e Tiranës.

 Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare dhe përbëjnë pjesën më të madhe të shitjeve dhe punësimit. Ata përbëjnë mbi 70% të gjithë punësimit, më shumë se 70% të GDP-së vjetore dhe përbëjnë gati 99% të të gjitha bizneseve të regjistruara në Shqipëri.