Barnat e rimbursueshme, Omuri: Po shtohen invalidët në Shqipëri

    417
    Sigal

    Cilësia shumë e dobët e barnave është një tjetër problem që shqetëson invalidët. Edhe pse ministri i Shëndetësisë e quan fitore numrin më të madh të barnave të futura në listën e rimbursimit, invalidët, kësaj vetëkënaqjeje të ministrit, i përgjigjen me fjalën e popullit “shumë e për lumë”. Invalidë të ndryshëm shprehen se barnat që merrnin më parë ishin më efektive, ndërsa barnat e sotme, jo vetëm që nuk bëjnë efekt, por përkundrazi, keqësojnë gjendjen e tyre shëndetësore. Shteti i rimburson 100 % barnat për invalidët e plotë dhe 50 % për invalidët e pjesshëm. Por “kursimi” që po bën Beqaj duke futur në listën e rimbursimit barna më të lirë, në fakt rezulton të ketë një kosto akoma më të madhe. “Shteti ndoshta mendon se fiton duke futur në barnat e rimbursueshme alternativat më të lira, por në fakt humb”, shprehet në një prononcim për “Telegraf” Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës. Sipas tij, futja në listën e rimbursimit të barnave më të lira, që normalisht kanë dhe një cilësi më të dobët, nuk i përmirëson kushtet shëndetësore të invalidëve, përkundrazi i përkeqëson ato. “Nëse një invalid i pjesshëm kurohet ashtu si duhet, me barna cilësore ai mund të shërohet, ndërsa një invalid i plotë mund të kthehet në një invalid të pjesshëm. Kjo duhet të jetë politika e qeverisë përsa i përket kursimit. Duke i trajtuar invalidët nga ana mjekësore me seriozitetin e duhur, mund të arrihet shërimi i plotë ose dhe përmirësimi i dukshëm i gjendjes shëndetësore. Në këtë mënyrë, qeverisë nuk do i duhet të bëjë pagesa për invalidët apo të rimbursojë barna në masën 100 %. Kështu kursehet! Por me politikat që po ndiqen dhe me cilësinë e dobët të barnave po shtohen invalidët dhe jo po pakësohen”, shprehet Omuri. Gjithashtu në funksion të përmirësimit të shëndetit të invalidëve është dhe ngritja e qendrave të rehabilitimit, ashtu siç ndodh në të gjithë botën. “Shteti i jep ndërtesa publike shkollave private dhe nuk investon që një nga këto ndërtesa ta kthejë në qendër rehabilitimi për invalidët”, shprehet Omuri. Nga ana tjetër ai ngre shqetësimin për rimbursimin e protezave për invalidët dhe i bën thirrje qeverisë që të ushtrojë zbatimin e ligjit. “Sipas ligjit, shteti duhet t’i rimbursojë, si protezat e poshtme ashtu dhe ato të sipërmet për invalidët dhe kjo është e domosdoshme. Një protezë kushton 1 milionë lekë, aq sa invalidi nuk merr dot për një vit”, përfundon Omuri prononcimin e tij.