Prof. Liman Varoshi“Akuzat ndaj nesh “shumë zhurmë për asgjë”,  synimi ynë cilësia në Universitet”

558
Sigal

Intervista  me Rektorin e Universitetit të Elbasanit,  Profesor  Liman  Varoshi

Rektori i Universitetit “A. Xhuvani” në Elbasan Profesor Liman Varoshi, duke folur për “Telegraf” sqaron problematikat me të cilat përballet sot ky universitet, iniciativat dhe përgatitjet për të rritur maksimalisht cilësinë  e përvetësimin e dijeve shkencore.  Profesor  Varoshi  u  jep përgjigje  edhe  disa pretendimeve  për  parregullsi  në vijueshmërinë e  sektorëve të investimeve, duke sqaruar të vërtetën ligjore.

Profesor Liman Varosh,  si paraqitet situata në UE  gjatë këtij viti akademik?

Nisja e këtij viti akademik e gjeti Universitetin e Elbasanit sërish ndër institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, me frekuentimin dhe kërkesat më të mëdha për vazhdimin e studimeve pranë tij. Tashmë dihet nga të gjithë se ky institucion është ndër më të rëndësishmit e arsimit publik në vend dhe këtë emër, universiteti i Elbasanit e mbart për shkak jo vetëm të historikut, por edhe të punës së vazhdueshme të tij në drejtim të zgjerimit të programeve të studimit dhe të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Tashmë, institucioni ynë e ka përvijuar strategjinë e ecurisë së tij në të ardhmen dhe kjo rrugë kalon nëpërmjet përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë dhe kërkimit shkencor, gjë që është në themel të punës sonë të përditshme. Jam i kënaqur të them se sot stafi i këtij universiteti ka arritur të jetë në përqindjen e tij  më të madhe, me grada e tituj shkencorë, doktor i shkencave apo profesor i asociuar e profesor, cilësi e cila ndikon drejtpërdrejtë edhe në cilësinë e koherencën e procesit mësimor-kërkimor… Njëkohësisht, ne po i kushtojmë një rëndësi tepër të madhe projekteve të kërkimit shkencor e konferencave shkencore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar, me anë të të cilave ne prezantojmë mendimin më të fundit dhe kërkimet shkencore në fusha dhe disiplina nga më të ndryshmet.

 Kohët e fundit debati në universitetet shqiptare është përqendruar edhe në projektligjin e ri të arsimit të lartë shqiptar, ku ka pasur zëra pro dhe kundër tij. A ka paraqitur ide dhe komente Universiteti i Elbasanit në lidhje me ketë projektligj?

Projektligji për “Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë” i paraqitur kohët e fundit për diskutim, në tërësinë e tij evidenton risi dhe i përgjigjet realitetit në të cilin gjendet Arsimi i Lartë në Shqipëri. Në këtë kontekst, krahas arritjeve që reflekton ky projektligj, me synimin dhe dëshirën e përmirësimit cilësor të tij, Rektorati konkludoi në parashtrimin e disa sugjerimeve në lidhje me këtë projektligj:

  1. Neni 11 përcakton se:  QSHA organizon aplikimin për pranim të studentëve në programet e studimit të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë si edhe ato profesionale, me përjashtim të studimeve të doktoratës dhe studimeve specializuese afatgjata, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë;

                   Mendojmë se, QSHA mund të merret vetëm me aplikimet në ciklin e parë të studimeve. Kurse aplikimet për pranimet në ciklet e tjera të studimeve duhet të jenë ekskluzivitet i IAL-ve. Kjo do të shmangë burokracinë e tepruar si dhe do të ndikonte në buxhetin e Universitetit. Në këtë drejtim Universiteti ka detyrimin e bërjes publike të kritereve të pranimit sipas cikleve të studimit.

  1. Neni 16 përcakton se:  Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) është institucion publik, përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin të lartë.

Sipas këtij drafti  “shteti vlerëson cilësinë”, por realisht Agjencia e Akreditimit dhe Bordi i Akreditimit rezultojnë nën juridiksionin e Qeverisë. Si të tilla ato nuk janë të pavarura. Për rrjedhojë, nuk garantojnë objektivitet në vlerësimin e cilësisë së IAL-ve. Ndaj, mendimi ynë është që të dyja këto institucione “de juro” dhe “de facto” të jenë të pavarura.

  1. Neni 50 përcakton se:  “Bordi nuk ushtron funksione akademike, por garanton përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë nëpërmjet koordinimit të  veprimtarisë financiare dhe administrative me atë akademike.  Në lidhje me këtë përcaktim, ndihet më se i nevojshëm rregullimi i raportit të marrëdhënieve ndërmjet Senatit Akademik dhe Bordit të Administrimit. Mendojmë se një rregullim i tillë bëhet përmes rishikimit të kompetencave. Në këtë kontekst pohojmë se Universiteti mbi të gjitha është institucion i natyrës akademike, që parakupton faktin se mendimi akademik i paraprin dhe udhëheq krejt veprimtarinë për përmbushjen e misionit të arsimit të lartë. Ndaj, organi dhe autoriteti më i lartë është Senati akademik dhe Rektori i Universitetit.

      Ndërsa, përsa i takon numrit të anëtarëve të Bordit të Administrimit, mendojmë se maxhorancën duhet ta ketë universiteti, sepse kështu garantohet autonomia institucionale.

 

  1. Neni 63 pika “c”përcakton se:  Titujt akademikë jepen nga institucionet e arsimit të lartë, të cilët: kanë të punësuar si personel akademik jo më pak se tetëmbëdhjetë profesorë, të angazhuar me kohë të plotë me kontratë me kohëzgjatje të papërcaktuar.

Lidhur me këtë përcaktim, shtrojmë pyetjen: Përse ky numër? Krahasuar me ligjin aktual, sipas të cilit ky numër është 7 (shtatë), në draftin e paraqitur ndryshimi rezulton i dukshëm 18 (tetëmbëdhjetë). Përcaktimi i kësaj shifre të fundit nuk na duket i argumentuar logjikisht dhe propozojmë që ky numër të shihet në raport me njësitë kryesore që ka në përbërje një institucion i arsimit të lartë. Funksionale në këtë drejtim do të ishte vendosja në ligj e këtij numri në trajtën e kufirit minimal dhe maksimal.

  1. Në nenin 91 përcaktohet se: Studenti që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë në një institucion tjetër për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës.

     Mendojmë se studenti, në këtë rast, duhet të jetë i lirë të aplikojë për rifillim të studimeve në çdo IAL përfshirë edhe universitetin në të cilin rezulton i regjistruar, por me detyrimin që t’i nënshtrohet të gjitha ndryshimeve që ka pësuar kurrikula.

6-      Në draftin e paraqitur parashikohet krijimi i disa strukturave në varësi të Ministrisë. Na duket se kemi të bëjmë me një burokraci të tepruar, të cilat jo vetëm që nuk do t’i sjellin të ardhura IAL-ve, por përkundrazi do t’ia marrin atyre përmes shërbimeve që do të ofrojnë. Këto ishin elementët për të cilat ne kemi nxjerrë edhe objeksionet tona të cilat ia kemi drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila kemi bindjen se do t’i marrë në konsideratë.

Ditët e fundit, madje edhe një ditë më parë kemi parë një deklaratë të Drejtorisë së Policisë në lidhje me këtë universitet, ku flitej edhe për një kallëzim ndaj disa punonjësve të administratës së tij. Si qëndron e vërteta në lidhje me këtë çështje?

     Në fakt, menjëherë pas deklaratës së policisë ka pasur edhe një deklaratë nga ana jonë, ku ne sqarojmë edhe pozicionin e Universitetit dhe punonjësve që përmenden në të, në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, përpara se të flas për çështjen në fjalë, dua të them se Universiteti i Elbasanit, është institucion publik i Arsimit të lartë dhe si i tillë, ai i nënshtrohet të gjitha ligjeve shqiptare në fuqi. Në këtë kuadër ai i nënshtrohet edhe kontrolleve dhe auditive financiare nga institucionet e varësisë siç është edhe Ministria e Arsimit, ashtu edhe institucioneve të tjera të kontrollit siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit. E them me përgjegjësi të plotë se nga të gjitha këto kontrolle, institucioni që unë drejtoj, mund të renditet ndër më të mirët, ndër institucionet publike shqiptare. Ky është një fakt i konfirmuar nga raportet e këtyre kontrolleve që janë lehtësisht të verifikueshëm pranë këtyre institucioneve. Më i fundit auditim mban datën 24.02.2015 dhe i referohet pikërisht pretendimeve të ngritura edhe në deklaratën e policisë së qarkut. Rezultatet e tij kanë qenë të qarta, ku nuk është verifikuar asnjë shkelje nga ana e institucionit.

 Përgatiti ARTUR  AJAZI