Banorët e Marinzës, nisin ekzilin drejt Perëndimit

    77
    Katastrofa ekologjike, pronësore, jetike e krijuar në Marinzë, prej krimit ekonomik të bërë nga kompania “Bankers”, të përkëdhelur prej 11 vitesh nga shteti shqiptar, me koncesion të ricikluar, të mbrojtur e të lejuar edhe me VKM, urdhëresa, ligje, pazare e falje detyrimesh fiskale me propozime të ministrit Damian Gjiknuri, nuk ishte e thënë, që të mbyllej siç është mbyllur çdo krim i tillë në këto 25 vite në Shqipëri. Banorët e Marinzës, të gjendur mes helmit e llumit ku i zhyti kompania “Bankers” pas “vullkanit” helmatisës të puseve që nuk nxirrnin naftë me shpim, por me shpërthime me dinamit, treguan dje, se nuk mund të tolerojnë më tej krimin ndaj tyre. Përballë shpërfilljes dhe talljes së shtetit shqiptar, duke u bërë palë e heshtur dhe “tavolinë” pazaresh me firmën “Bankers”, dje 750 banorët e mbetur në Marinzë, në emër të jetës dhe pronës së tyre, kanë dalë në protestë masive. Të bërë bllok, ata kërkojnë të veprohet urgjent ndaj kësaj katastrofe të rëndë jetësore e ekonomike, që e ka emrin “Bankers-Gjiknur”. Gjithçka ka nisur 3 javë pas “mbytjes” dhe helmimit të banorëve të Marinzës, të cilët pas premtimeve false bankers-shtet shqiptar, kanë kuptuar se firma “Bankers” po e blinte heshtjen e shtetit shqiptar, duke përdorur si sekser ministrin Gjiknuri, që në fakt është “dadoja” e krimit ekonomik dhe ekologjik të shkaktuar prej “Bankers”, jo vetëm në Marinzë, por edhe në 11 zona naftëmbajtëse të rretheve Fier, Patos, Ballsh, Lushnje, Kuçovë, ku “Bankers” ka ushtruar aktivitet, në 5 prej të cilave pa leje mjedisore e minerare, zona të cilat “Bankers” i ka bërë “fërtele” me shfrytëzim teknologjik kriminal. Marinza ishte zona që krimi i “Bankers” shpërtheu dhe tashmë, po tentohet të mbyllet me mashtrime, heshtje publike e me pazare zyrash shtetërore. Por përballë kësaj tentative të “gjiknurëve” të shtetit, kanë dalë 750 banorët e Marinzës, të cilët nuk kanë mundësi të shpëtojnë prej katastrofës, as për të blerë “biletë autobusi”, për t’u larguar prej këtij fshati të cilësuar “zonë krimi”. Të 750 banorët e mbetur në Marinzë, që po jetojnë prej 3 javësh brenda fshatit “dhomë gazi”, kërkojnë nga “Bankers” dhe nga shteti shqiptar, tre gjëra:
    1. Evadim urgjent dhe “fshatçe” nga zona e helmuar. 
    2. Dëmshpërblim urgjent prej firmës “Bankers” në masën 100% të vlerës së shtëpive, të gjësë së gjallë, të orendive, të prodhimeve të stinës dhe vlerës së tokës. 
    3. Sistemin urgjent të çdo familjeje, në zona të sigurta banimi, larg emrit dhe sondave e dinamitit të firmës “Bankers”.
    Banorët: “Nëse shteti nuk vepron, do marrim rrugët e ekzilit ekologjik me çdo çmim”!
    Protesta e 750 banorëve të “helmuar” që kanë mbetur brenda “dhomës së gazit” me emrin Marinzë, ka një ultimatum të drejtë, bërë në emër të jetës së tyre. Ata i kanë bërë të ditur shtetit shqiptar, se nëse nuk sistemohen e dëmshpërblehen, do të jenë ekzilantët e parë ekologjik, që do t’i drejtohen vendeve të BE dhe këtë do ta bëjnë me çdo çmim. Një nga banorët e Marinzës, u shpreh dje për “Telegraf”, se jetën e tyre përveç varfërisë ekstreme e ka pllakosur edhe gazi helmues, llumi, mungesa e çdo mundësie për të marrë edhe frymë lirisht. Në Marinzë, thotë banori Z. B, nuk jetohet më. Tokën ua ka mbuluar llumi i puseve që shpërthyen e nuk ndalen, shtëpinë ua kanë shkatërruar shpërthimet e dinamitit, jetën po ua helmon gazi. Ajo që thonë krejt banorët e këtij fshati të helmatisur nga gazi i koncesionit të shtetarëve shqiptarë me ermin “Bankers”, është kjo: nëse shteti shqiptar hesht, banorët deklarojnë se do të vërsulen për ekzil në vendet e BE. Dhe me plotë të drejtë, mbasi ata nuk kërkojnë luks, por jetë të sigurtë. Evropa po e shikon se çfarë ka ndodhur me jetën tonë, thotë Vasil D…, po shikon e po kupton edhe se çfarë po bën shteti, duke bërë ortakllëk të hapur me firmën “Bankers” që na shkatërroi jetën. Banorët kanë deklaruar dje, se të 750 do të futen në kantierin e “Bankers” dhe nuk të dalin prej andej, nëse shteti nuk vepron. Sipas bisedës së “Telegraf” me banorët, ditën e hënë, ata do t’i drejtohen 5 selive diplomatike në Tiranë, konkretisht Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Anglisë, Holandës dhe Austrisë, duke kërkuar prej tyre “strehë shpëtimi të jetës” nga vdekja prej gazit të “Bankers”, të licencuar e të lejuar me lejen e shtetit shqiptar, i cili prej 3 javësh, po bënë sikur në Marinzë nuk ka ndodhur asgjë e jo sikur ka “vdekur” një zonë prej 2297 hektarësh dhe prej afro 19 mijë banorësh, të cilët deklarojnë se jetojnë në “zonë helmi” prej shpërthimit të puseve e vatrave të zonës së banuar. .
    Flet Valdimir Ago: “Nuk ndezim dot shkrepsen për cigare, se shpërthen flaka nga gazi që nuk ndalon”
    Dje erdhi në redaksi Vladimir Ago, një nga banorët e zonës së Marinzës, i cili bëri prezent faktin alarmant, që në këtë zonë nuk po ndalet çlirimi gazit nga puset që kanë mbetur hapur si “gryka helmi” edhe nga “burime” të tjera, që kanë nisur të shpërthejnë në sipërfaqen e tokës e pranë shtëpive. Sipas prononcimit të Vladimirit, Marinza dhe krejt zona pranë saj, deri në rreze 3 kilometër, në vend të ajrit ka gaz. Nuk guxon të dalësh nga shtëpie e të ndezësh cigaren, mbasi ajri ndizet zjarr e shpërthen, tamam sikur ndez në bombul të hapur gazi. Jemi nën efektin dhe veprimin e plotë të gazit helmues, thotë Vladimiri. Toka nuk përdoret më, bagëtitë nuk mund të jetojnë më, ne njerëzit ndihemi të “këputur” fizikisht nga efekti i gazit që na fytet edhe nga poshtë derës! Fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë mbasi duhet të kalojën përditë pranë puseve ku çlirohet gaz dhe të shkojnë në shkollën që ka si gazin si “mjegull”. Marina dhe 3 fshatrat e tjerë të komunës janë nën helmin e gazit, paçka se mjedisorët e shtetit, thonë se… “nuk ka rrezik”.