Autostradat me koncesion

    362
    Sigal

    Përvoja e vendeve të tjera, ku çdo automjet i paguan koncesionarit taksë për kalimin, në autostrada apo rrugë nacionale, duket se ka dhënë impaktet e veta dhe në ndryshimet që parashikohen t’i bëhen tek ne Ligjit për Koncesionet. Qeveria ka dërguar në Parlament një draft, i cili krijon bazën ligjore për të dhënë me koncesion te privatët mirëmbajtjen e autostradave dhe rrugëve më të rëndësishme kombëtare përmes pagesës. Në relacionin shoqërues, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si nismëtare e projektligjit, sqaron se një masë e tillë është emergjente për shkak të gjendjes së papërshtatshme, në të cilën ndodhen akset më kryesore të vendit. Bëhet fjalë kryesisht për autostradat, të cilat janë amortizuar ose nuk kanë përfunduar plotësisht, dhe kanë nevojë për punime shtesë që, së bashku me mirëmbajtjen, kanë kosto jo të vogla për buxhetin. Sipas specialistëve, edhe pse do të shtohet kjo taksë për automjetet, gjithsesi drejtuesit e automjeteve janë të fituar, për shkak se nga përdorimi i këtyre rrugëve nacionale shkurtojnë kohë, por edhe paguajnë më pak për karburant. Duke vlerësuar rreziqet e trafikut-, sqaron relacioni-, është e domosdoshme të ndërhyhet me procedura të menjëhershme, ku të parashikohet jo vetëm dhënia me koncesion e këtyre akseve, por edhe futja e shërbimeve të reja që i shërbejnë buxhetit, si vendosja e instalimeve për mbledhjen e tarifave nga automjetet. Qëllimi i ligjit, siç shpjegohet në relacion, është që privatët të mos kenë vetëm mirëmbajtjen e rrugës, por edhe përmirësimin e tyre, duke i zgjeruar apo duke ndërtuar vepra shtesë si urat, në rastet kur kjo është e nevojshme. Një nga akset e para, i cili mendohet se do të kalojë me koncesion te privatët, është rruga Durrës-Kukës. Vepra, e cila ka kushtuar mbi 1 miliard euro, përveç se e papërfunduar plotësisht, ka dhe kosto të larta mirëmbajtjeje që, sipas Ministrisë së Financave, shkojnë në rreth 10 milionë dollarë në vit. Qeveria kërkon që këtë shërbim t’ia kalojë privatit, ndërkohë që një tjetër aks, që mund të bëhet me pagesë, është edhe ai Tiranë-Elbasan.