Ambasadat e huaja ndërtojnë në tokat e pronarëve fiktivë

    604
    Sigal

    Prona e trashëguar, ngërçi i shoqërisë shqiptare. Toptanët: Ju tregojmë si grabiten pronat tona

    Problemi i pronës së trashëguar është kthyer në ngërçin e shoqërisë shqiptare. Ajo është “nyja e Gordit” e shqiptarëve, për zgjidhjen e së cilës duhet të veprohet pa humbur kohë, nëse duam të jemi të integruar në Europë. Prona e trashëguar, me përjashtim të rasteve për nevoja publike, asnjëherë nuk mund të hiqet si e drejtë. Në zbatim të të drejtave themelore të njeriut, askush nuk mund të ta heqë të drejtën e pronës, qoftë shteti apo individi. Por edhe pse prona mbrohet me Kushtetutë, gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë është propaganduar dhe janë dhënë zgjidhje absurde nga politika shqiptare, në shkelje të plotë me Kushtetutën. Me gjithë përpjekjet e pronarëve për rimarrjen e pronave të tyre, me gjithë inkurajimet që marrin vazhdimisht nga politika, ata detyrohen të bëjnë ecejake sa në një institucion në tjetrin, sa në një gjykatë në tjetrën. I tillë është dhe realiteti i familjes Toptani, e cila dhe pse me tapitë që në kohën e Turqisë, certifikatë të viteve ‘42, lëshuar nga Bashkia Tiranë, apo me vendim të AKKP-së të vitit ‘96, që vërtetojnë pronësinë e kësaj familjeje të 83 ha tokë, ende nuk e ka gëzuar të drejtën e pronësisë. Për më tepër, sipas z. Kapllan Keçi, përfaqësues ligjor, pretendon se në pronën e familjes së Toptanit po bëhen punime për ndërtimin e Ambasadës së Shtetit të Kuvajtit dhe të Hungarisë në një sipërfaqe rreth 20.000 metra katror, për të cilën po bëhet proces gjyqësor. Ndërsa shitësit e kësaj prone janë familja Xhabrahimi dhe Picalli. Nëse deri më tani mbivendosja e pronave është bërë shkak vëllavrasjesh, tashmë ky rast tregon se ky problem mund të bëhet shkak i incidenteve diplomatike.

    Historia

    Ambasadat e Kuvajtit dhe Hungarisë po ndërtohen me leje ndërtimi në pronën e familjeve Xhabrahimi-Picalli, në një sipërfaqe prej 20.000 metrash katror. Kjo sipërfaqe trualli është në proces gjyqësor me familjen Toptani, që ka origjinën e pronës dhe  që e posedon ligjërisht atë që nga data 01.06.2007. Kjo pronë i është njohur nga AKKP pronarit Fuat Bej Toptani me vendim nr. 1289, dt. 26.09.1996, por duke qenë se i ishte njohur më parë me vendim të AKKP-së nr. 395 dt. 23.09.1995 Rexhep Xibrakut, AKKP-ja është shprehur për familjen Toptani “që pronarët t’i drejtohen gjykatës”. Kjo pronë i takon tani familjeve Xhabrahimi-Picalli, trashëgimtarë të Rexhep Xibrakut. Ndërsa pjesa që i përkiste familjes Gani Xibraku (djalit) i është rishitur nga familja Toptani, pasi ai i njohu si pronarë të origjinës. Të gjitha këto kalime pronësie në bazë vendimesh të njëpasnjëshme janë bërë në një pronë që familja Toptani e posedon me dokumente në origjinë:

    1.vendim të Gjykatës të rrethit gjyqësor Tiranë nr. 4079, dt. 27.04.1995

    2.Vendimi i AKKP ish pronarit Fuat Toptani me nr. 1289, dt. 26.09.1996

    3. Tapitë turke, që vërtetojnë sipërfaqen 18 600 metra katror në këtë truall

    4. Certifikata e bashkisë Tiranë i datës 5.11/1942 etj

    Ndërsa në emër të Rexhep Xibrakut, kjo pronë është fituar vetëm duke paraqitur një vërtetim kadastral për 23 dynym, që është tokë bujqësore në fshatin Sauk dhe që kjo familje e ka marrë në bazë të Ligjit 7501.

     Kontrata me ambasadat

    Z. Keçi tregon se menjëherë pasi janë informuar për nënshkrimin e kontratës të dt. 12.06.2012 midis Ambasadës së Kuvajtit dhe familjeve Xhabrahimi-Picalli, i kanë dërguar një letër ambasadorit të Kuvajtit z. Najeb A.A.Albador, ku e informonin për çështjen në detaje, duke u thënë se prona që ata kanë blerë, është në proces gjyqësor. Por nuk morën asnjë përgjigje. Megjithatë ata i dërguan dhe një tjetër letër, por përsëri asgjë. Z. Keçi bën të ditur se i kanë drejtuar gjykatës një kërkesë padi për ambasadën e Kuvajtit dhe nëse thirrja në gjykatat shqiptare e kësaj ambasade nuk lejohet, atëherë familja Toptani do ta ndjekë çështjen sipas ligjeve ndërkombëtare.