Shpërthimet me lëndë plasëse, policia ‘harron’ prodhuesit e minave celular

511
Sigal

Në tre rastet e fundit të shpërthimit të minave me celular (në një prej tyre mbeti i vrarë biznesmeni i ndërtimit në Durrës), policia jo vetëm që nuk ka mundur të arrestoj tritol-vënësit, por ka ‘harruar’ të japë detaje lidhur me prodhuesit apo ‘fabrikën’ që përgatisin e shpërndajnë këto bomba që hartohen me këta celularë. Sipas specialistëve ekspertë të kriminalistikës dhe ata xhenier, hetimi për përcaktimin e mënyrës dhe vendit të origjinës së minave me shpërthim, mund të ndikoj dukshëm drejt autorëve të atentateve. “Sigurisht, gjetja e numrit të celularit që kryhet shpërthimi, është një  detaj i rëndësishëm për gjetjen e autorëve, por është e pafalshme të ‘harrohet’ pista e hetimit të origjinës së bombave. Krahasimi për ngjashmërinë dhe efektin e tyre, mund të kanalizoj hetimin drejt pistës që duhet. Në komunikatat përkatëse të policisë, asgjë nuk thuhet për këtë element të rëndësishëm. Ku prodhohen këto mina me komandë, brenda apo jashtë vendit, kush është implikuar në këtë aktivitet kriminal? Janë këto pyetje këto që duhet të marrin vlerësim”- shtojnë specialistët. Tre aktet terroriste të ndodhur në harkun e afro dy ditëve, kanë tronditur opinionin. E para ishte vrasja e biznesmenit në Durrës, ndërsa e fundit, vendosja e tritolit në një furgon udhëtarësh në Lezhë. Për sfidë ndaj policisë, po ditët e fundit, persona ende të pa identifikuar, kryen shpërthim me tritol dhe në mjediset e oborrit të policisë në Fushë-Krujë.

Skandali, shqyhen 14 banesa, policia: S’u vodhën, s’është ngjarje!

 GJIROKASTËR- Edhe pse në një fshat shqyen dyer e dritare në 14 banesa e ‘vizitorët’ ikin në qejf të tyre, për policinë lokale nuk është ngjarje kriminale pasi, sipas saj, ‘nuk kanë grabitur gjë!’. Këtu nuk është fjala nëse kishin para apo sende në këto banesa (se nëse nuk ka nuk ke çfarë të vjedhësh), por fakti që nuk dokumentohet nga policia, (dhe pse banorët janë të terrorizuar), përbën një skandal më vete. Duke mos i llogaritur këto si ngjarje kriminale (me tendencë uljen e numri të tyre), jo vetëm është një shkelje e ligjit, por dhe grabitësit mbeten me ‘imunitet’, pra bëjnë praktikë, që nesër, të vjedhin apo të vrasin! Për sa më sipër, e sanksionon më vonë dhe komunikata e policisë. “Në lidhje me hapjen e 14 banesave në fshatin Skore të Komunës Pogon të rrethit Gjirokastër, ju informoj se: Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe nga këqyrja e banesave dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore, rezultoi se në banesat e hapura  nuk është vjedhur asnjë gjë. Banesat i përkasin familjarëve që banojnë dhe punojnë si emigrant jashtë shtetit. Po punohet intensivisht për identifikimin dhe procedimin e autorëve që kanë hapur këto banesa. Materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme”,- thuhet midis të tjerëve në komunikatën e policisë.

SHKODËR/Krimi në mesditë në një lokal të Gruemirës. Policia në kërkim të të akuzuarit

 Konflikti për borxhin e pakthyer, ekzekutohet me kallash 34-vjeçari

 Një krim tjetër, viktimë e armëve të zjarrit ka tronditur dje Shkodrën. Një 34-vjeçar i plagosur rëndë pas një konflikti për borxhe të pashlyera, ndonëse është dërguar në spitalin Rajonal të Shkodrës, ka ndërruar jetë në duar të mjekëve. Ndërkohë, autori i identifikuar nga policia, është larguar në drejtim të paditur dhe është shpallur person në kërkim. Burimet zyrtare konfirmojnë se viktimë e ngjarjes së rëndë është 34-vjeçari Florjan Stërkaj, nga fshati Dedaj i Komunës Shkrel të Malësisë së Madhe, ndërsa i akuzuar për vrasje, është Pal Prroni, nga e njëjta zonë. Krimi i rëndë që ka si motiv borxhet e pakthyera ka tronditur banorët e zonës të cilët I kërkojnë ren e qetësi si dhe siguri për jetën dhe pronat e tyre.

NGJARJA
Sipas burimeve për “Telegraf”, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të ditës së diel në lokalin‘Bar-Kafe Dema’ në fshatin Omaraj të Komunës Gruemirë kur mes 34-vjeçarit Florjan Stërkaj dhe Pal Prronit, 46-vjeç, ka pasur një debat të çastit për një borxh të pashlyer. “Të dy, viktima Florian Stërkaj dhe i akuzuari Pal Prroni, janë takuar në mjediset e lokalit dhe kanë filluar një debat me fjalë mes tyre. Në qendër të debatit, ka qenë mos shlyerja në kohë e një shume parash. Pas debatit me fjalë, ata janë konfliktuar dhe fizikisht, duke nxjerrë më pas dhe armët. Prroni, pasi ka qëlluar me armë automatike disa herë 34-vjeçarin Stërkaj, është larguar me shpejtësi. Të pranishmit kanë nisur të plagosurin menjëherë në spital, ndërsa policia e njoftuar me telefon nga të pranishmit, ka shkuar në vendin e ngjarjes”,- shtojnë burimet e mësipërme. Sipas mjekëve, i plagosuri është paraqitur në gjendje të rëndë në spitalin Rajonal të Shkodrës, të cilat i kishin prekur dhe organet jetësore. Për shkak të këtij dëmtimi dhe hemorragjisë, ai ka ndërruar jetë. Trupi i viktimës është dërguar në spital, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore.

HETIMET

Forca të policisë dhe agjentët të saj që shkuan në vendin e ngjarjes, pas pyetjes së dëshmitarëve dhe analizave të provave, kanë përcaktuar dhe shkakun e konfliktit që çoi në vrasje. Shkak, sipas burimeve zyrtare, konfirmohet të ketë qenë borxhi i pa shlyer. Ndërkohë, forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës dhe ato speciale, janë vënë në ndjekje të të dyshuarit. “Për kapjen e të akuzuarit Prroni kemi angazhuar forca policie dhe ato special. Kemi ngritur postblloqe në akset rrugore dhe po krihet zona kufitare, në mënyrë që të evitohet një kalim i mundshëm i të kërkuarit në Mal të Zi. Njëkohësisht, po bashkëpunohet me policinë e rretheve fqinjë, në mënyrë që të shkëmbehet informacioni e të koordinohen veprimet e operacionit për kapjen sa më të shpejtë të tij. Në funksion të zbardhjes së plotë të ngjarjes, janë thirrur për dëshmi personat e pranishëm në lokal ku ndodhi vrasje, si dhe disa persona të tjerë që kanë dijeni direkt apo indirekt me shkakun e konfliktit, përkatësisht borxhin e pakthyer”,-saktësojnë të njëjtat burime.

 Kontrolli, bllokohen 13 pika shitje gazi

    BERAT- Drejtoria e zjarrfikësve në Qarkun e Beratit, po kalon në “sitë” të gjitha pikat e mbushjes gazit që përdoren për ngrohje apo gatim. Sipas titullarit Luman Spathara, për shkelje të ndryshme është bërë bllokimi i 15 pikave të gazit. Ai shton se pikat e tregtimit të gazit që u mbyllën janë ose në kushte teknike jashtë standardeve, ose kryejnë aktivitetin në afërsi të vendeve të banuara. Njëkohësisht, mësohet se janë sekuestruar dhe 40 bombola gazi. Për shkelësit e ligjit janë marrë penalizime administrative dhe ligjore. Spathara pohon se kontrollet do të bëhen edhe në ditët në vazhdim.

  Arrestohet 27-vjeçari, Për ‘Vrasje me pagesë”

TIRANË- Në një operacion të policisë së kryeqytetit u arrit kapja e  27-vjeçarit, Julian Sinan Sinani, lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit iu gjet një pistoletë “Ç” pa lejë. Arrestimi i tij u bë në zonën e njohur si “21 Dhjetori” në Tiranë.
Mësohet se, pas hetimeve të kryera, dyshohet se 27-vjeçari është autor i disa ngjarjeve të rënda në Tiranë, i dyshuar si vrasës me pagesë, brenda dhe jashtë vendit. Aktualisht strukturat e policisë po punojnë për të dokumentuar përfshirjen e tij, në disa ngjarje duke bashkëpunuar me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Konflikti për pronën, qëllon me armë fqinjën

KORÇË- Një konflikt për pronat ka rënduar deri në përdorimin e armëve të zjarrit, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Mësohet se pas një sherri për pronat, Gjergji Rodhani 27 vjeç, nga fshati Stropan i Devollit ka shkuar pasditen e djeshme në banesën e komshinjve të tij dhe ka qëlluar disa herë me armë. Konfirmohet se Gjergji Rodhgani ka tentuar të qëllojë mbi fqinjën Merita Bylykbashi, 50 vjeç, por kjo e fundit fatmirësisht ka arritur t’i shpëtojë plumbave. Policia ka arrestuar autorin e ngjarjes, si dhe ka sekuestruar armën e zjarrit, çifte gjahu. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë.