Aleksandër Jorgaqi:Kosi nuk është me qumësht natyral, por me qumësht pluhur apo me ushqim koncentrat

    931
    Sigal

    INTERVISTA. Flet ish drejtori i ndërmarrjes së Roskovecit, veterineri Aleksandër Jorgaqi

    Shumë vjet drejtor i Ndërmarrjes Bujqësore të Roskovecit, ai thekson dhe pse si synim kryesor kishin mishin, llogari më shumë u kërkohej për drithërat. Mishi ahere ishte shumë i ushqyeshëm, por i pakët. Edhe nënproduktet e qumështit ishin bio, por me pak prodhim. Sot ushqimi i lopëve është me koncentrat ndaj dhe nënproduktet e qumështit janë pa shijë. Kosit i hidhet amidon ndaj del si mastiç.

     Si realizohej plani i mishit në ish ndërmarrjen që ishe Drejtor. A kishte kërkesë llogarie për këtë produkt?

    Ndërmarrja e Roskovecit ishte nga të vetmet ndërmarrje që drejtimin kryesor të prodhimit e kishte për prodhimin e mishit të derrit. Ne mbarështronim deri në 14 mijë derra, prej të cilëve deri në 800 ishin dosa prodhimi. Plani i prodhimit ditor  varionte deri ne 42 kuintal mish në ditë. Kishte raste që dhe nuk e kemi mbërritur këtë sasi mishi derri. Por në shkallë Republike ndërmarrja jonë quhej shkolla e përhapjes së përparuar për zhvillimin e sektorit të derrit. Dihet që prodhimi i mishit është një nga prodhimet më të vështira, por ka një moment kryesor nis derri ushqehet normalisht, peshën prej një kuintal që duhet të arrij për ta therur, mund ta mbërrij për 100 ditë, për 200 ditë, por edhe për 500 ditë, varet se çfarë ushqimi i jep. Lufta që bënte ndërmarrja jonë ishte kjo që ti afroheshim racionit, biologjik apo natyral që donte kafsha. Natyrisht neve disa herë ne ushqimin që u jepnim derrave nuk mund ta plotësonim në sasi dhe në kualitete të ndryshme, për shumë arsye, por në atë kohë  detyrë primare ishte prodhimi i drithërave të bukës  e cila i merrte frymën gjithë sektorëve të tjera, përfshi sidomos, prodhimin e mishit.

     Pse ndikonte mbi prodhimin e mishit prodhimi i drithërave të bukës në vend?

    Pasi e gjithë toka, shfrytëzohej për prodhimin e bukës. Këtu  edhe gënjehej pasi tokat që ishin destinuar për prodhimin e farogjereve shfrytëzoheshin për prodhimin e drithërave të bukës, pra për grurë e misër.  Çdo gjë ishte në funksion të këtyre drithërave. Dihet  ajo parulla e famshme në atë kohë “Prodhimi i drithërave të bukës detyrë mbi detyrat”. ‘Lufta për bukën është luftë për socializëm”. E gjithë bujqësia ishte ajo që gllabëronte tokën dhe fondet. Me këto parulla nuk u mor në qafë vetëm blegtoria, por edhe frutikultura.

    Çfarë lidhje ka frutikultura në këtë mes?

    Ka lidhje pasi ai pleh organik dhe kimik që ishte planëzuar për frutikulturën shkonte për drithërat e bukës. Një vresht nis do të futej në prodhim dy vjet më parë, apo një ulli nis futej në prodhim dy vjet më parë, kishte nevojën e saj për pleh kimik dhe organik , por i gjithë plehu i hidhej drithërave. Kështu ndodhte dhe me mishin. Shkurtimi i kohës së mbajtjes së kafshës në majmëri është çelësi i marrjes së prodhimit.

     Pra një nga faktorët e mos sigurimit të mishit pa tallon, është mosvëmendja dhe mos ushqimi si duhet?

    Për prodhimin e mishit thuajse nuk interesohej asnjë nga udhëheqja. Shumë rrallë interesohej njeri. Mishin e quanin luks. Problem i madh ishte vetëm Tirana për mish. N.q.s Tirana nuk kishte mish, dikush shqetësohej, ndërsa për qytete e tjerë s’donte t’ja dinte kush. Më shumë problemi për mishin ishte flakë kashte, s’ngrinte ndonjë peshë që të përbënte ngjarje. Drithërat e bukës, ishin në vëmendje kudo. Pra drithërat  prishën shumë ekuilibri të ekonomisë. Në emër të bujqësisë, të drithërave të bukës, u zhdukën shumë kullota me famë jo ballkanike, jo europiane, por kullota me famë botërore.

     Si ta kuptojë lexuesi këtë?

    Kullotat shqiptare kanë  qenë dhe janë me shumë lloj bimësh. Kjo llojshmëri bimësh të ushqyeshme për bagëtinë i kanë bërë ato me famë në botë. Këto lloj të shumta bimësh i japin qumështit dhe nënprodukteve të tij si djathit, kosit, gjalpit nj shije që rrallë e gjen në botë. Një  shije të jashtëzakonshme. U prishën kullotat për të hapur toka të reja, për drithërat e bukës. Shumë vite më parë këto prodhime ishin me famë dhe të tilla do të mbeten.

    Po sot në demokraci, këto prodhime pse nuk kanë të njëjtën shije si ato të viteve para çlirimit?

    Pasi qeveritë postkomuniste e kanë kapur demin për bishti jo prej koke, sepse mendojnë se bujqësia janë serat, se bujqësia janë pularitë, se bujqësia janë disa stalla me derra. Nuk është kjo bujqësia, bujqësia e ka themelin tek toka. Nga toka vijnë të gjitha të mirat. Ndaj dhe sot mishi por dhe vezët e pulave nuk kanë shije pasi gjithë ushqimi i pularive dhe i komplekseve të derrave vjen nga jashtë. Ushqim koncentrat. Ndaj mishi që vjen është i importit dhe ato bagëti nuk marrin ushqim natyral, por marrin ushqim koncentrat, pra ushqimi i tyre nuk është ushqim vendi.

    Po çfarë ushqimi është ai që vjen nga jashtë?

    Një koncentrat me përbërje kimike që stimulohet prodhimi në një kohë të shkurtër jo natyrale. Pra ushqim OMGJ, që si ka cilësitë natyrale. P.sh shikoni misrat e pjekur që dalin që në gusht, a kanë ato atë shije që kishte në regjimin komunist? Jo! Sepse është stimuluar prodhimi. Por edhe fara është krejt e ndryshme s’është ajo farë për rritje normale, edhe rritja e tyre bëhet jo natyrale, ndaj cilësia ka ardhur në rënie.

     Po kosi për të cilin ka shumë komente, që është një kos me përbërje të dëmshme shëndetësore?

    Edhe kosi  ka të bëjë me ushqimin e bagëtisë. N.q.s bagëtia  ushqehet me një koncentrat që ka në përbërje elementë të dëmshëm, kosi nuk do dalë si ai kur bagëtia ushqehet me ushqim natyral. Të gjitha ushqimet me koncentrat kanë përbërje kimike të dëmshme për njeriun por edhe për nënproduktet e qumështit. Sot të gjitha komplekset e lopëve ushqimin e kanë të importuar, jo natyral, dhe lopët nuk dalin në kullotë por rinë në regjim stallor. A e beson ti se sot gjysma e tokës së Holandës është tokë kullote? Lopët kullosin në natyrë. Pra kosi del nga qumështi, si të hajë lopa ashtu del qumështi. Ç’ha goja tregon boja thotë populli. Pra me  çfarë ta ushqesh atë kualitet do të kesh. Më parë kam njohur barinj që kur pinin qumësht, apo hanin mish apo djathë të thonin se nga cila krahinë ishte. Pra sipas shijes përcaktonte kullotën. Ata  e dini  se ku mund të dilte qumështi me era trëndelinë, apo me erë të  tjerë. Unë do të them një kuriozitet interesant.

     Me se ka të bëjë?

    Me bulmetin në vitet 1450 -1900.  E ëma e Sulltanit, Valideja,  në pasuritë e saj kishte dhe Delvinën. Gjithë prodhimi i djathit në zonën e Delvinës shkonte në Stamboll dhe Valideja hante vetëm këtë lloj djathi, sepse kullotat e Delvinës, Sarandës, Ksamilit, Vrinës, kanë qenë shumë të famshme. Imagjino që blegtorët e Pindit, kur u bë ndarja e kufirit me Greqinë, kërkonin të vinin me Shqipërinë vetëm e vetëm për kullotat e ushqyeshme që ishin tek ne. Kullotat dimërore ata i kishin ën Sarandë dhe në Delvinë, në ultësirat bregdetare. Atëherë blegtoria ishte aktivitet kryesor i njerëzve për të jetuar.

     Sot ka dhe një problem tjetër se nuk dihet, në këtë kos është qumësht origjinal, apo ka shtesa, si p.sh, qumështi pluhur që e bën kosin si mastiç dhe pa asnjë lloj shije. Qumështi pluhur ka shumë lloj përbërës kimik që i përfarohen qumështit por kurrsesi nuk janë si qumështi natyral. Madje në shumë vende ky qumësht është ndaluar të përdoret. Por mund ti hidhet kosit edhe amidon, niseshte, që është shumë i dëmshëm, pasi kështu rritet dhe sasia e prodhimit të djathit.

    Po në kohën e regjimit a bëheshin këto lloj makinacionesh për të rritur prodhimin dhe për të ulur koston?

    Atëherë s’të linin të luaje me cilësinë. Atëherë vetëm qumështit i hiqej yndyra. Pra vinte qumështi i lopës me 3.5 për qind yndyrë i hiqej dy për qind dhe ngelej me 1.5 për qind yndyrë, pra i bëhej një ndarje mekanike. Kush të linte atëherë të luaje me cilësinë.  Nuk të shkonte ndërmend. Apo me koservantë. Sot edhe qumështit edhe kosit i hedhin konservantë që të rritet data e skandencës. Pra rritet periudha e skadimit. Kam dëgjuar nga teknikë kur kam qenë jashtë: Më përpara vinin boted  me qumësht dhe dilnin kamion me produkte, ndërsa sot vijnë kamionët me thasë, koncentrat, pluhur dhe dalin botet me qumësht.

    A është bërë ndonjëherë merak qeveria për mishin?

     Vetëm njëherë, pas një  kritike që i kishte bërë Enveri,  Mehmet Shehut, për mishin ai na thirri. Na thirri në Tiranë, në zyrën e tij. Atëherë isha kryespecialist në Roskovec, nuk isha bërë ende Drejtor. Mbajti qëndrim shumë të rreptë, por kur ne i sqaruam gjithçka ai na besoi. P.sh nëse një kooperativë kishte në plan 40 dosa, ai i çonte ushqim sa t’i mbante gjallë, sepse nuk e kritikonte  njeri për planin e mishit, por a realizove planin e drithërave të bukës. Buka ishte kudo.