Alban Tafaj: “Ndihemi të braktisur!”

618
Sigal

Trajneri i bardhebluve lëshon akuza: “Duhet ta mbrojmë emrin e Tiranës. E mirëkuptoj protestën e tifozëve”

 Pesë ndeshje pa fitore; dy humbje rresht; vendi shtatë dhe tetë pikë larg nga Skënderbeu kryesues, kur janë luajtur vetëm nëntë javë nga sezoni aktual i Kategorisë Superiore dhe thuajse i eliminuar në Kupën e Shqipërisë. Kjo është Tirana! Trajneri Alban Tafaj- i treti që e drejton Tiranën në këtë fillimedicioni, pas Hulian Rubios dhe Artur Lekbellos – ndihet më i dëshpëruar se kurrë. Humbja 2-1 me Kukësin në tempullin e kryeqytetit, protesta e tifozëve: “Ju nuk keni Tirona!” është sinjali më i qartë se, Tirana dhe këtë vit do ta ketë shumë të vështirë të luftojë për titullin kampion. “Ndihemi të braktisur”, – tha Tafaj për gazetën “Telegraf”. “E mirëkuptoj protestën e tifozëve. Duhet ta mbrojmë emrin e Tiranës”.

 – Zoti Tafaj, një tjetër humbje për Tiranën në kampionat, kësaj radhe me Kukësin. Si do ta komentonit?

 – Më vjen keq që, ndeshja u përcaktua nga vetëm dy episode. Të dy golat i pësuam në momentet më të mira tona. Vuajmë shumë përpara portës, çka na shqetëson jo pak. Krijuam shumë volum loje, por megjithatë qëndruam larg golit.

 – Duket se skuadra nuk po çlirohet nga ngërçi psikologjik?

 – Po, më duhet ta pranoj se jemi ende në një shok psikologjik. Po mundohemi të japim maksimumin, por duket se të tjerët i kanë kthyer shpinën, por ne jemi këtu për ta çuar sa më lart këtë Tiranë.

 – Kujt i referoheni?

 – Nuk ka rëndësi të përmend emra.

 – Si do ta konsideronit protestën e tifozëve?

 – I mirëkuptoj. Kisha folur me ata më përpara.

 – Sulmi zhgënjeu ndaj Kukësit, ndërkohë që ju vetë keni qenë në dilemë gjatë javës për të zgjedhur midis Çotës dhe Abilaliajt…

  – Të dy sulmuesit shfaqen të njëjtën formë gjatë lojës. Gjithsesi, unë vazhdoj t’u besoj këtyre lojtarëve. Pres të japin maksimumin në ndeshjet e tjera. Sidomos ata, që janë zëvendësues duhet të japin më shumë.

 – A keni vërejtje për gjykimin e Jorgjit?

 – Nuk jam marrë ndonjëherë me gjykimin, por besoj se moviola televizive do të tregojë se kush ka pasur të drejtë. E theksoj, nuk është në natyrën time. Ndoshta, kur kam qenë lojtar kam qenë më nevrik ndaj gjyqtarëve, por tani ia besoj delegatit të ndeshjes të japë vlerësimin e tij për arbitrat. Këtu i referohem penalltisë që, na o mohua.

 – A ka më objektiva kjo Tiranë?

 – Është shpejt, për të thënë se e kemi mbyllur sezonin dhe është akoma më larg, për të thënë se nuk kemi më objektiva. Do të vazhdojmë të punojmë, por më duhet ta them se, nëse më parë besoja të objektivat, tani shpresoj në to.

 – Mos Tirana po vuan lëvizjet në merkaton e verës?

 – Unë mendoj se, tani duhet t’i marrim 100 përqindëshin këtij grupi që kemi. Do të ketë ndryshime në formacion.

 – Të mërkurën do të jetë ndeshja e Kupës, a besoni se mund ta përmbysni humbjen e parë 4-0 me Kukësin?

 – Kthesa duhet të vinte me fitoren në kampionat. Por, tani…

ARMANDO CUNGU: “Ç’KËNAQËSI TË MUNDËSH TIRANËN!”

Trajneri i Kukësit, shkodrani Armando Cungu, ishte në “qiellin e shtatë” pas fitores dramatike 2-1 ndaj Tiranës, në “Qemal Stafa”. Në fakt, ishte një fitore e dyfishtë pas asaj 4-0 në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, të zhvilluar dhjetë ditë më parë. Por, për Cungun, fitorja në kampionat është më e rëndësishme, edhe për faktin se ishte suksesi i parë në transfertë në nëntë javët e para. “Dëshiroj ta theksoj se, kjo ndeshje ishte më e rëndësishme se ajo e Kupës. Kjo fitore kishte vlerën e tri pikëve, prandaj është shumë më e veçantë se ajo në Kupë. Ne kemi punuar gjithë kohës, sidomos nga ana psikologjike. Ekipi ynë ka lojtare me eksperiencë, të aftë për të dalë nga çdo situatë dhe për të kthyer rezultatin në favorin e tij. Fituan me meritë ndaj një ekip si Tirana. Pavarësisht, se ne jemi Kukësi, unë dua të theksoj se kemi me të vërtetë një skuadër cilësore. Është në kondicionin e duhur, kemi forca për më shumë dhe nuk besoj se tani mund të konsiderohemi si një ekip surprizë”, – tha Cungu për gazetën “Telegraf”. Kukësi e ruajti të paprishur kolonën “zero” të humbjeve, duke qenë të vetmit që shoqërojnë në këtë tregues kampionët në fuqi dhe liderin e kampionatit, Skënderbeun.