Agim Shehu/ Për artin dhe erotikën…

    381
    Sigal

    (Fjalë të urta)

     Shkrimtari dhe studiuesi Agim Shehu nga përvoja e tij e pasur dhe e gjatë ka krijuar në mërgim ‘1000 fjalë të urta’ (Proverba) përmbledhur… Ato përfaqësojnë 5 hapësira jete të tij: Atdhetarizmi, demokracia, shoqërore, artin dhe erotikën. Po botojmë disa prej tyre…

    Erotike:

    -Nën hijoren (ombrellën) e një vajze pikat e shiut kanë zëra zogu.

    -‘Po’-ja e vajzës shpesh është si drita e yjeve, është nisur, por do kohë të arrijë.

    -Burrat hijerëndë me pushtet shpesh pushtohen nëpërmjet grave të tyre, ashtu si lisi pushtohet nëpërmjet hardhisë rrotull tij.

    -Nusja qan kur kali a taksia e shpie te dhëndëri; nëse do ta kthenin pas do vinte ulërimën.

    -E dashura që ka vendosur të të ikë i ngjan erës:  nuk ke nga e kap për ta rikthyer.

    -Në këshillat mbi ‘moralin’, më shumë e ngrënë zërin ato që presin rastin ta shkelin moralin.

    -Në tërësi martesat e dyta janë si gjellët e ri ngrohura, lëshojnë ujë.

    -Po u grinde me shtetin ke humbur të sotmen, po u grinde me gruan ke humbur të nesërmen.

    -Lëvizjet e femrave në valle, sidomos kur kanë pirë dhe pak, u ngjajnë lëvizjeve të tyre në shtrat.

    -Femrat që ndjejnë largimin e moshës shpesh u ngjajnë fiqve të pjekur shumë: pak t’u fryjë era, këputen e bien.

    -Mosha e re çel lulet, mosha e mesme lidh kokrrat, pleqëria i vjel.

    -Prostitutat shqiptare humbur nëpër botë janë nderi i humbur i shtetit.

    Arti

    -Vepra më e mirë e një shkrimtari është ajo të cilën ende s’e ka shkruar, e ndoshta do ta marrë me vete.

    -Ndodh që poetët e dobët bëhen prozatorë të mirë, ashtu si vajzat e zakonshme bëhen bashkëshorte të mira.

    -Në çdo vepër të mirë arti, mendimi dhe ndjenja kanë harmoni si deti me valët.

    -Nëse mitologjia është trupi i qiririt, historia është flaka e tij.

    -Kur artisti flet shumë për veprën e vet, do të thotë që vepra u flet pak të tjerëve, ose u ka folur keq.

    -Talenti i shquar është si kali me revan të bukur: nuk shahet për pluhurin që lë pas.

    -Poetët u ngjajnë zogjve: fluturimin e kanë përpara, këngën e lënë pas.

    -Shkrimtarët që zhurmojnë rreth vetes harrojnë se dasma nuk matet me sazet përjashta por me ‘trapezin’ brenda.

    -Pasi mbaron veprën, artisti ndjen një lodhje të ëmbël lehone.

    -Zgjatjet në arte u ngjajnë thonjve: kur priten nuk të dhëmbin.

    -Gjetjet e bukura të talentit të kujtojnë atë që, shumë barinj shkelin mbi mineral, por gjeologu i aftë i gjen.

    -Të shkruash kujtimet e fëminisë është njëlloj si të shkruash në ajër me një meteor.