Afatet e sakta për dëmshpërblimin e të gjitha kësteve për të burgosurit politik

    372
    Sigal

    INTERVISTA/Flet kreu i institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, për dëmshpërblimet

     Mbyllja e të gjitha kësteve të dëmshpërblimit për të përndjekurit politikë do të bëhet në vitin 2017. Një fakt të tillë e bën të ditur për “Telegraf”, kreu i institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka. Ky është afati i përcaktuar edhe më parë dhe dhënia e dëmshpërblimit po shkon sipas parashikimeve të bëra. Sipas zotit Miraka, deri më tani dëmshpërblimet po ecin sipas parashikimeve dhe planeve të bëra. Brenda muajit dhjetor 2012 do të mbyllet kësti i dytë për personat që janë gjallë dhe në fillim të vitit tjetër do të jepet kësti i dytë për trashëgimtarët.

     -Zoti Miraka, para pak ditësh patët një takim me ministrin e Drejtësisë, kur do mbyllet dëmshpërblimi për të përndjekurit?

    -Po para pak ditësh ne zhvilluam një takim me ministrin e Drejtësisë zotin Halimi dhe në takim ishte edhe kryetari i shoqatës mbarëkombëtare zoti Allçi. Aty u paraqitën kërkesat për punësim sipas kritereve, po ashtu në atë takim u fol edhe për projektligjin ku janë bërë disa kontestime për disa nene në këtë projektligj. Është bërë një kontestim i ligjit të dëmshpërblimit, i cili gjatë tërë kohës ka pasur përmirësime. U hartua një projektligj, i cili kaloi në Komisionin e Ligjeve dhe ne kërkuam që të përshpejtohet kalimi i tij në Parlament. Kështu që ne presim që deri në fund të vitit të ky projektligj të kalojë në Parlament.

     -Më konkretisht çfarë përmban ky projektligj që prisni të kalojë në parlament dhe çfarë pritet që të ndryshojë?

    -Po në këtë projektligj përfshihen disa propozime tonat që kanë të bëjnë më dhënien e përparësisë për dëmshpërblim për personat mbi 85 vjeç dhe personat me raport mjekësor. Më konkretisht një nga nenet është që personat mbi 85 vjeç të marrin të gjitha këstet e dëmshpërblimit dhe t’u zbritet kësti i parë. Njëkohësisht flitet edhe për nenin 64 dhe 67 ku këto nene u kanë ulur vitet e burgut për shkak se veprat e tyre janë quajtur vepra terroriste dhe për këtë arsye u janë zbritur vitet e burgut ose i kanë lënë jashtë dëmshpërblimit. Ndërsa në këtë projektligj që kemi përgatitur ne këto do të quhen vepra politike dhe do të futen në dëmshpërblim. Kështu pra të gjithë të burgosurve që u janë zbritur vitet për shkaqet që unë u thash më lart do tu jepen lekët për vitet e zbritura. Njëkohësisht që në këtë projektligj janë përfshirë edhe vendimet e komisionit trepalësh. Punësimi sipas kritereve dhe miratimi i projektligjit në parlament janë dy pikat që ne kërkuam nga ministri i Drejtësisë. Dhe besojmë që projektligji do të kalojë në Parlament brenda vitit 2012.

    -Realisht në çfarë faze është dhënia e dëmshpërblimit për këstin e dytë për personat që janë gjallë, a do të mbyllet për këtë vit?

    -Ashtu siç jeni në dijeni edhe ju është caktuar një buxhet prej 30 milionë dollarësh dhe është parashikuar që të mbarojë kësti i dytë. Por unë mund të ju them që kësti i dytë është mbyllur pothuajse për personat që janë gjallë. Ndërsa për trashëgimtarët që janë me raporte mjekësore kanë një përparësi në marrjen e dëmshpërblimit për këstin e dytë. Ndërsa kësti i dytë për trashëgimtarët do të hapet në janar kur të hapet buxheti dhe do të mbyllet po brenda atij viti.

    -Sa është afati i përgjithshëm kohor i përcaktuar për mbylljen e të gjitha kësteve?

    -Afati i parashikuar në ligj është për tetë vjet. Pra në fatin kohor prej tetë vitesh duhet të mbyllen të gjitha këstet e dëmshpërblimit të përndjekurve politikë. Dëmshpërblimi ka filluar në mars të vitit 2009 dhe do të mbyllet mars të vitit 2017.

    Dosjet me mangësi

    Dosjet me mangësi janë dosje, në të cilat postohet dokumentacioni, dosje me dokumente të fotokopjuara të panoterizuara, ose ato me certifikata të fotokopjuara, të cilat nuk kanë vlerë pa u noterizuar, ose me numra llogarie, të cilat janë të hapur në monedhë të huaj – dhe kjo është e papranueshme vijojnë që të paraqiten shumë. Por dosjet me mangësi mund të jenë edhe ato ku mungojnë mjetet e identifikimit të personave që do të tërheqin paratë. Të gjithë personat që kanë depozituar dokumentacionet për të përfituar dëmshpërblim financiar, për shkak të viteve të burgut gjatë regjimit komunist, se çdo dosje që dorëzohet, duhet të bëhet sipas nenit 14, nr. ligjit 19831.