A do ta humbë Ohri statusin e qytetit të UNESCO-s!?

    344
    Sigal

    Ekipi investigues i UNESCO-s, është jashtë syve dhe veshëve të gazetarëve

    Përfaqësuesit e UNESCO-së, gjatë ditës së 12 dhjetorit kanë filluar vizitën e paralajmëruar në qytetin e Ohrit, që është nën mbrojtjen e UNESCO-s. Natyrisht, sipas paralajmërimeve të mëparshme, destinacion i parë ka qenë Pllaoshniku (Imareti), ku ata kanë hyrë në objektet që janë nën ndërtim prej konstruksioneve dhe elementeve preh beton-armesë, si objekte të tipizuara objekte të forta, që janë në ndërtim me intensitet të vrullshëm, në këtë lokalitet të vlerësuar dhe të publikuar si lokalitet arkeologjik me vlera të larta e të lashta të kulturës materiale. Këto objekte që janë në ndërtim e sipër, sipas projektit, janë pjesë e rindërtimit të Universitetit të Shën Klimentit ndaj, ekipi investigues i UNESCO-s, me vete kanë ftuar edhe persona specialistë të fushave të nevojshme, të cilëve u janë bashkëngjitur edhe specialistët e Muzeut të Ohrit. Qëndrimi dhe lëvizjet nëpër objektet dhe lokalitetet që do t’i vizitojë ekipi investigues i UNESCO-s, është jashtë syve dhe veshëve të gazetarëve, ose thënë thjeshtë është nën “embargo” të pranisë së gazetarëve dhe të  publikimeve, gjatë vizitës së tyre në Pllaoshnik (Imaret) dhe kanë bërë të ditur se nuk do të ketë deklarata për mediume para se të formulojnë Raportin e tyre zyrtar që do t’i dorëzohet UNESCO-s me të gjitha karakteristikat që ata do t’i evidentojnë dhe do t’i shënojnë. Sipas projektit të miratuar dhe punimeve të filluara, aty duhet të ndërtohen dhjetëra objekte të forta, ku do të vendosen disa institucione arsimore. Ekipi investigues i UNESCO-s ka vizituar edhe qendrën e qytetit të Ohrit, që viteve të fundit është duke u kritikuar ashpër  për shkak të ndërtimit enorm të objekteve që devijojnë nga parametrat e parapara dhe të definuara me normativë ligjorë për ndërtim në atë pjesë të qytetit. Këto dhe disa veprime të tjera që kanë të bëjnë me ndërtimet e ngjashme, Ohri rrezikon ta humbë statusin e qytetit të mbrojtur nga UNESCO, kanë pohuar opinionistët e specializuar. Ndërkaq, sa i përket ndërtimeve në Pllaoshnik (Imaret), ato janë ndër kritikat më të ashpra nga mbarë opinioni. Ky delegacion i UNESCO do të takohet edhe me Kryetarin e Komunës së Ohrit, Nikolla Bakraçeski, me të cilin do të bisedojnë rreth vizitës dhe vlerësimeve të delegacionit për shkeljet urbanistike në Ohër. Cilat do të jenë rezultatet e këtij kontrolli të ushtruar nga ekipi i UNESCO-s, duhet pritur kur ata ta bëjnë publike këtë, por dihet mirëfilli se shumë vende në botë e kanë humbur statusin e mbrojtjes nga UNESCO për shkak të shkeljeve të normave dhe dispozitave për të gëzuar statusin e UNESCO-s.  (Mehmet Latifi)