200 pensionistë dhe invalidë në Komunën Gjergjan, mbeten pa pensione

    352
    Sigal

    Prej 2 javësh presin t’u vijnë lekët nga Sigurimet Shoqërore

    Rreth 200 pensionistë dhe invalidë në fshatin Gjergjan të Elbasanit, kanë mbetur pa lekë, pasi  pensionet dhe pagesat e tyre mujore kanë mbi 2 javë që vonohen. Ibrahim Nipolli pensionist dhe invalid u shpreh për “Telegraf” se: “kemi disa ditë që ngrihemi qysh ora 5 të mëngjesit dhe zëmë radhën tek zyrat e komunës për të pritur ardhjen e lekëve tona, por deri sot kemi vetëm premtime, na lodhën dhe vetëm na mashtrojnë, njerëzit duan të hanë dhe kalojnë ditët me ato para”. Pensionisti Nipolli tha se: “ky avaz është çdo muaj me ne, nuk e kuptojmë shkakun e kësaj vonese, pasi edhe përgjigjet nga dega e Sigurimeve Shoqërore janë mashtruese, jo sot dhe jo nesër, nuk po çelet fondi, nuk po lëvron thesari”. Të njëjtin fat kanë edhe invalidët e këtij fshati që gjendet jo më larg se 12 km larg Elbasanit, të cilët prej janarit kanë marrë vetëm lekët e tre muajve, dhe presin kur t’u çelet fondi nga dikasteri dhe paratë t’u mbërrijnë në zyrat e komunës. Ndërkohë zyra pritëse e parave të pensionistëve në komunën e Gjergjanit, kontakton pothuajse  çdo ditë me degën e Sigurimeve Shoqërore në Elbasan, por përgjigjet janë thjesht  pa sqarime  “nuk ka para, ju njoftojmë ne”. Komuna e Gjergjanit, është një zonë fushore, e cila i lejon fshatarët e saj të merren me blegtori dhe bujqësi, por mungesa e tregut të shitjes së produkteve të tyre, ka krijuar situata të rënduara ekonomike për qindra familje. Pagesa e një pensionisti në  Gjergjan nuk i kalon 8500 lekët e reja, ndërkohë që ajo e invaliditetit jo më e madhe se 3400 lekë të reja në muaj. Pensionisti Nipolli thotë se: “prej vitesh jetoj me gruan pasi 5 fëmijët e mi ndodhen jashtë me familjet e tyre, ashtu si qindra djem të komunës tone, këtu jetesa është e vështirë, por sikur të mos mjaftonte kjo na vonojnë edhe lekët e pensioneve”. Ndërkohë burime nga dega e Sigurimeve Shoqërore Elbasan thanë se “vonesa është jo e qëllimshme dhe shumë shpejt pensionistëve të Gjergjanit dhe zonave të tjera rurale do t’u dërgohen lekët, shpresojmë që situata të tilla të mos përsëriten”. Por edhe dje, pritjet e gjata dhe të lodhshme të pensionistëve në sportelet e komunës, mes diellit përvëlues për të marrë lekët që u takojnë ishin pa bereqet, pasi  sërish ata nuk i morën. Pensionistët e komunës Gjergjan  i bëjnë apel qeveritarëve, ministrit të Financave të mos luajë me lekët e tyre, pasi ato janë mjeti i vetëm me të cilën ata mbajnë gjallë frymën, pasi nuk kanë të ardhura të tjera. Vonesat e pensioneve dhe pagesave të invalidëve, është kthyer në diçka normale prej disa muajsh, jo vetëm në zonat rurale por edhe në qytete, fenomen i cili streson këto shtresa të shoqërisë, të cilat çdo qeveri i kujton gjithmonë në fushata elektorale.