Zhuljana Jorganxhi rrëfen prapaskenat e festivaleve

950
Sigal

INTERVISTA/ Flet poetja e veçantë e femrave shqiptare Zhuljana Jorganxhi: Në Festivalin e 16-të, më hoqën këngën e Agim Krajkës

                “Ti jo, mos u gëzo, kur unë dëshpërohem!

                 Ti, mos u pasuro, kur un’ varfërohem!”

Miqtë e shkollës dhe të jetës

Natasha Lako, të ndriturin Faik Ballanca, Pandeli Koçi, Shefqet Tigani, Kiço Blushi, Zija Çela, Emine Sadiku, Hatixhe Reka, Ludmilla Pajo, Arshin Xhezo, Shaqir Rexhvelaj, Ahmet Shqarri, Vladimir Grillo, Ylli Pepo, Petro Lati, Shyqyri Skënderi, Sherif Merdani, Sedat Brahja, Xhevat Mustafa, Kujtim Gjonaj, shkrimtari Shefqet Tigani.

Një grua fisnike, plot elegancë dhe mjaft komunikuese. Fjala e mirë është në fillesën e çdo fjalie të saj. Ajo mbetet një nga emrat më të njohura të poezisë shqiptare, Për shumë vite në Itali lidhjet e mia me të janë nëpërmjet e-mail-it. Zhuljana në këtë ditë, u paraqit denjësisht, ashtu si e kanë njohur në vite shqiptarët në ekran, radio, intervista, apo në krijimtari, e thjeshtë, elegante, krenare, e sinqertë, pa teprime, një grua e vërtetë shqiptare, nga ajo raca e rrallë e pastër e gjakut të Teutës, që aq shumë i mungojnë Shqipërisë në këtë kohë të mjegullt me qiell gri.

 

Cila është ngjarja më e hidhur që ke përjetuar kohët e fundit?

 

Para pesë muajsh më 9 qershor të këtij viti përjetova dhe po përjetoj një dhimbje të madhe, se humbëm për gjithmonë kunatin tim të ndritur Kostandin Leka, që për 30 vjet ka qenë pedagog i parë në UT., një nga krijuesit e apasionuar dhe drejtuesit e konkurseve të para shkencore në RTVSH, një bashkëpunëtor i hershëm dhe i vazhdueshëm plot sukses në emisionet e Rado- Tiranës dhe emisioneve të para shkencore në Tv. Ai ka botuar një novelë fantastiko- shkencore për fëmijë “Udhëtim në zemër të hidrocentralit”, një roman fantastiko -shkencor “Si u bëra i padukshëm” (këtë e botoi italisht dhe këtu në Itali), një libër me ese dhe artikuj shkencorë popullorë “RRËFIME SHPIRTI” dhe një libër të fundit, që e botoi në maj dhe do të paraqitet nga shtëpia OMSCA në Panairin e librit “Një jetë në shtjelljet e krijimtarisë”. Ka shkruar shumë artikuj shkencorë popullorë qysh në vitet ’50 dhe deri kohët e fundit. Pra ishte një personalitet i shkencës dhe i masmedias. Për mua ishte një udhëheqës shpirtëror në gjithë krijimtarinë time. Humba një vëlla të madh të vyer.

 

Cili është botimi juaj i fundit?

 Më 2009 botova një vëllim me tregime “…edhe ata pinin çaj” tregime që flinin për vite të tëra brenda meje.

 Zhuljana dhe jeta shkollore?

Ndoshta do veçoj dy vitet e gjimnazit: të parin dhe të fundit, maturën. I pari, sepse është ai kalim nga adoleshenca në rininë e hershme dhe ajo se di pse në kujtesën e saj ai vit ka mbetur si një stinë pranvere. Viti i fundit i gjimnazit është ndoshta ai kur njeriu e ndjen se ka lënë prapa fëmijërinë, adoleshencën dhe hyn në një moshë plot vrulle dhe pasione, siç është rinia. Atë vit filloi të shkruaj poezi dhe nuk e harroj që botimi i poezive të para në gazetën “Drita” ka koinçiduar me mbrëmjen e maturës, 28 qershor 1964. Një mbrëmje karakteristike mbushur plot imagjinatë.

Ëndrrat në shkollë dhe ambientet televizive?

  Ëndrrat e mia gjatë viteve të shkollës kanë qenë: e para, ta mbaroja atë me rezultate sa më të mira, të më jepej e drejta e studimit në degën që unë dëshiroja dhe kjo degë ishte gjuhë-letërsi. Kam studiuar gati dhjetë vjet piano, sepse jam rritur në një familje me tradita të hershme muzikore, që nga stërgjyshi, im at Gaqo Jorganxhi “Artist i Merituar”, solist i grupit “Lira” për 65 vjet me rradhë,  vëllai i madh Rikardi, i cili është dirigjent orkestre simfonike dhe kompozitor, motra Rozmari, dirigjentja e parë shqiptare dhe mexosoprano që këndoi për 30 vjet në TOB. E rritur pra në këtë ambient muzikor, ku edhe vëllai i vogël Edmondi studioi gjashtë vjet violinë, u zhvilluan prirjet e mia për muzikën. Ishte muzika ajo që më çoi tek poezia. Kur unë isha në shkollën e mesme në Korçë, ende në qytetin tim nuk kishte një stacion televiziv, kur dihet që dhe ai i Tvsh-së, ishte ende një stacion eksperimental, kështu që nuk kam pasur fatin që të kem qenë në ndonjë ambient televiziv në vitet e shkollës.

Studente dhe ëndrrat për jetën…

Vitet studentore kanë qenë vite të bukura, me gjithë mungesat që ka pasur brezi im i viteve ‘60. Ato vite më kanë dhënë shumë mikesha dhe miq. Kam ende një miken time të shtrenjtë të atyre viteve dhe miqësinë me të e kam po aq të shtrenjtë. Ajo quhet Madalena (Ujka) Baci, nga Shkodra. Gjithashtu, ato vite më kanë dhënë miq, shumë nga të cilët sot janë poetë, shkrimtarë, kritikë, gazetarë, këngëtarë të njohur si: Natasha Lako, të ndriturin Faik Ballanca, Pandeli Koçi, Shefqet Tigani, Kiço Blushi,  Zija Çela, Emine Sadiku, Hatixhe Reka, Ludmilla Pajo, Arshin Xhezo, Shaqir Rexhvelaj, Ahmet Shqarri, Vladimir Grillo, Ylli Pepo, Petro Lati, Shyqyri Skënderi,Sherif Merdani, Sedat Brahja, Xhevat Mustafa, Lulëzim Veisiu, të ndjerin Viktor Qurku, Qemal Sakajeva, Kujtim Gjonaj, shkrimtari Shefqet Tigani, etj.. Kur filluam studimet asnjë prej nesh nuk e mendonte, se do të “mbeteshin” në Tiranë, por atëherë kishte nevojë për gazetarë dhe shumë nga ne menjëherë pas studimeve filluam punën nëpër gazeta, Radio “Tirana”, në televizion, në Kinostudio dhe në revista të ndryshme. Kështu them, se nëse puna në një revistë, gazetë, Radio -Tirana dhe televizion për ne ishte një ëndërr e largët, kjo u bë shumë shpejt realitet. Unë kam punuar si gazetare shtatë vjet (1968-1975) në ish- revistën “Shqiptarja e re” së bashku me miken time të shtrenjtë, poeten Natasha Lako dhe me piktoren e mirënjohur Eleni Laperi.

 Poezia e  parë?

Poezia e parë e ka qenë një vjershë dashurie. Atë nuk ia kam kushtuar askujt. Ka qenë ndoshta ndikimi i poezisë ruse, i poetëve si Pushkinit, Ljermontovit, Esenini a e poezisë shqipe në ato vite. Sa kisha mbushur të 17-tat dhe ai frymëzim e ka gjetur papritur. Erdhi poezia tek unë dhe  shkrova vjershën: “Mirëserdhe dashuri!”

Ndoshta ishte ajo moshë kur të gjithë bëhen poetë…

Idhujt në letërsi?

Kam pasur shumë idhuj letërsie në moshën e rinisë. Nga letërsia e huaj do të veçonte si poetë: Uitmanin, Ricosin, Pushkinin, Ljermontovin, Eseninin, Majakovskin, Brehtin, Miskieviç, Petëf, Emineskun etj.. Në prozë: Çehov, Gogolin, Shollohov, Remarkun, Drajzerin, Londonin, Pirandelon, Morgan, Tarle, Moravia, Gorsuorth, Mensfilld, Man etj.. Nga letërsia jonë: Naimin, Çajupin, Asdrenin, Nolin, Lasgushin, Migjenin dhe nga letërsia e kohës: I.Kadarenë, D.Agollin, Dh.Shuteriqin, P. Marko, Dh.Qiriazin, Dh.Xhuvani, N. Prifti, H. Kadare, D. Shapllo,V. Koreshin, etj.. Tani më vjen shumë keq që në rininë time nuk kisha mundësi të njihesh me veprat e Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ernest Koliqit dhe shumë autorë të tjerë të viteve ’30, po kështu dhe me autorë të huaj kontemporan.

(Mendo që në vitin 1967, në fakultet, për letërsi kineze, kam dhënë në provim veprën e 4-t a të 5-të të Mao Ce Dunit!!!)

 Dashuria e vërtetë, si do ta përkufizonit?

Dashuria është ndjenja më sublime dhe më e bukur, që Zoti i fal njeriut. Pa dashuri bota vdes! Nuk mund të thuash dashuri e vërtetë, apo e pavërtetë. Dashuria është një dhe ekziston. Çdo njeri e ka një dashuri dhe kjo është e vërtetë, ajo jeton edhe kur duket se ka ikur diku!

 Dita më e bukur si krijuese dhe dita më e vështirë?

Kam shumë ditë të bukura si krijuese. P.sh: Botimi i poezisë së parë, botimet e librave: “Net Provimesh” (poezi viti 1969), “Rritje” (poezi dhe poemë, viti 1974), “Fëmijët e teto Nastës” (tregime për fëmijë, 1975), “Lule në pemën e lirisë” (poezi dhe poemë,viti1982), “Gaqo Jorganxhi dhe grupi Lira” (monografi latrare, viti 2005) dhe së fundi dita e promovimit të dy librave  me poezi “Dhembje e ndaluar” dhe “Dhembje e bukur”, më 27 prill, ditën e Pashkës së Madhe për orthodoksët 2008! Gjithashtu, ditë të bukura kanë qenë dhe ato kur poezitë e mia janë botuar në Holandë, Greqi, Rumani,Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Ditët më të vështira si krijuese ka qenë kur për hir të çensurës të hiqeshin poezitë ose tekstet , që i kishe më për zemër, ato liriket, sepse erdh’ një kohë që, nuk lejoheshin më shumë se dy poezi të tilla në një vëllim, ose jo më shumë se dy këngë dashurie në festival. Kjo ka ndodhur sidomos në vitin 1982 në vëllimin “Lule në pemën e lirisë” dhe kur në festivalin e 16-të më hoqën këngën e A. Krajkës dhe këtë herë e kishin me kompozitorin. Po kështu në një festival tjetër, hoqën një këngë shumë të bukur të A. Balliçit kënduar nga K. Dushi, me tekstin tim, një tekst dashurie. Nuk mund të harroj se si na hoqën një këngë përsëri shumë të bukur me nipin tim Gjergjin të kënduar nga motrat Libohova (dilnin për herë të parë) dhe një djalë i ri. Ishte një trio e shkëlqyer. Titulli ishte “Jetën dashuro!”. Disa “inkuzitorë” të artit na thanë, se ishte në frymën e grupit “ABA”, sepse kënga ishte e një fryme të re.

Politika dhe Zhuljana?

S’jam marrë ndonjëherë me politikë dhe as ka qenë ndonjëherë anëtare e ndonjë partie. Kjo ka qenë një porosi e të ndjerit atit të saj, por edhe vetë asaj nuk i ka pëlqyer angazhimi politik. Tjetër gjë është simpatia politike. Jam demokrate në shpirt, sepse me demokracinë fitova atë liri, që mungoi sa fillova të shkruaj. Brezi im e ka vuajtur shumë politizimin dhe indokrinimin në art, censurën dhe autocensurën.

Çfarë i mungon politikës së sotme shqiptare?

E larguar prej shumë vitesh nga Atdheu e kam zor t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Po do të desha më shumë kulturë dhe profesionalizëm nga politikanët tanë. Duhet të kenë më shumë dhembshuri dhe dashuri për këtë popull dhe për këtë vend të shumëvuajtur. Në festivalin e fundvitit 2005 me mjeshtrin e madh të këngës Luan Zhegun dhe këngëtaren e mirënjohur Albëri Hadërgjonaj çoi me tekstin këtë mesazh:

                “Ti jo, mos u gëzo, kur unë dëshpërohem!
Ti, mos u pasuro, kur un’ varfërohem!”

Çmimet në festivale?

Në gjithë festivalet që kam marrë pjesë, kam marrë 7 çmime të para dhe 4 çmime të para në koncertet “Kur vjen pranvera” dhe “Këngët e stinës”. Gjithashtu, kam marrë shumë çmime të dyta dhe të treta.

Unë kam bashkëpunuar me plejada kompozitorësh, nga më veteranët deri tek më të rinjtë sot. Bashkëpunime të suksesshme do të quaja këngët: “Vajzat e fshatit tim” (me kompozitorin E. Shëngjergji), “Shoqet tona ilegale” (me të madhin A. Prodani), “ Gonxhe në pemën e lirisë” (bashkëpunim me poetin e ndritur R. Shvarc dhe kompozitorin L. Dizdari), “Koha nuk pret” (me mjeshtrin e madh të muzikës, të ndriturin F. Deda), “Dashuria jonë”, “Pragu i vegjëlisë”, “Eja!”, “Emrin kush s’ta di”, “Në sytë e tu”, “Lumturia s’është dhuratë”, “Fjalë lumturie” ( me mjeshtrin e madh të këngës Flamur Shehu) “Jon”, “Bunkerët”, “Jeto dhe jetën time”, “Pranvera me një lule s’vjen” ( me kantautorin e mirënjohur A. Gjebrea), “Mirësi” (me kompozitorin Sh. Saraçi), “Vala dhe shkëmbi, “Kambanat e shpresës” ( me të madhin K, Laro), “Në duart e nënës”, “Për ty, baba!”, “Bashkëmoshatarëve” ,”Ne bijtë e lirisë” etj. ( me nipin tim, kompozitorin Gj. Leka), “Këngët e rinisë”, “Nuk jam vetëm”, “Jetoj”, “Shoqja ime”, “Nuk e harroj” (me kompozitorin e madh A. Krajka), “Se kënduam let it be” (me mjeshtrin e muzikës L. Zhegu), “Zemërzjarrta, moj” (me kompozitorin H. Zaharjan), “Kthehu për vete për mua”, “Gjysma ëndërr je , o grua” ( me mikun tim të shtrenjtë kompozitorin G. Mullahi), “Prehri yt, o nënë!” (të kompozitorit A. Balliçi) e shumë e shumë të tjera.  Nuk mund të mos përmend këtu bashkëpunimin me ata bilbila të këngës sonë si hyjneshat e këngës shqiptare Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, këngëtaret profesioniste me një talent të rrallë si Ema Qazimi, Alida Hisku, Irma dhe Eranda Libohova, Liljana Kondakçi, Myfarete Laze, Parashqevi Simaku, Afërdita Zonja, Lindita Theodhori, të madhin Gaqo Çako, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Frederik Ndoci, Kozma Dushi, Pëllumb Elmazi etj..

I ndërroni shpesh veshjet, mos vallë gjithë rroga shkon për veshjet?

Cila rrogë? Unë ende nga Shqipëria, për gjithë atë aktivitet që kam bërë, marr një pension minimal prej 105 mijë lekë të vjetra! Por, kam familjen e motrës sime Rozmari dhe kunatit tim Kostandin Leka, të cilët përveç ngrohtësisë familjare, atmosferës së shkëlqyer artistike që më kanë krijuar, më kanë krijuar të gjitha kushtet për të jetuar shumë mirë dhe në veçanti ato për të krijuar.

Veshjen e ndërroj sa herë sipas stinëve. Jam tip që pëlqej veshjen “sportive”.

Në rini dëshiroja të vishesha sipas modelit të të rinjve të botës, atyre të viteve ‘60-‘70, por nuk u lejohej. Kisha shumë qejf pantallonat alla kauboj, por as që mund të ëndërroja t’i vishja, as minifundi jo e jo! Ishim edhe në veshje të “standardizuar”, si gjithë jeta jonë e bunkerizuar.

Zhuliana Gaqo Jorganxhi u lind në qytetin e Korçës më 14 gusht 1946, në një familje me tradita muzikore. Mësimet e para dhe ato të mesme i mbaroi në qytetin e lindjes më 1964-n. Më vonë vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi pranë Fakultetit të Shkencave Juridike, kursin e gazetarisë, duke u diplomuar njëkohësisht si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe si gazetare. Menjëherë, pas mbarimit të studimeve ka punuar për gjashtë vjet si gazetare në revistën “Shqiptarja e Re” dhe nga viti 1975-1981, si redaktore letrare dhe poete e këngës në Redaksinë e Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore pranë Radiotelevizionit Shqiptar.