Elona ZHANA/ Mitizimi i rrezikut dhe ç’mitizimi i demokracisë

546
Sigal

Nëse do të donim të bënim një studim sociologjik korrekt në lidhje me fenomenin e «JO- shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri», puna do ta donte që ky fenomen të ndahej në dy segmente.

Ai i pari, dhe realisht i vetmi, që mund të studiohet gjer diku me objektivitetin që e lejojnë shkencat jo-ekzakte, do të konsistonte në studimin e rrezikut apo benefitet që një sipërmarrje e tillë do t’i sillte Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në stadin e sotëm të zhvillimeve, fakti që shteti i dytë më i fuqishëm në Europë, i cili për më tepër nuk shquhet fare për qasje pro-amerikane, më të gjitha gjasat do të kontraktojë sipërmarrjen në fjalë, do të thotë që çështja e rrezikut duhet të ketë qenë një mistifikim. Sa për benefitet, në këtë rast të humbura nga ne, flitet për një buxhet që e trefish-kalon buxhetin e qeverisë shqiptare në totalitetin e aktivitetit të saj, pa llogaritur edhe krijimin e ndonjë ngërçi të përkohshëm e të pjesshëm, le të shpresojmë, me aleatin tonë historik.
Segmenti i dytë, po aq i rëndësishëm sa i pari është mobilizimi popullor. Pavarësisht të gjitha kushteve, apo para-kushteve, atyre reale apo të skicuara, vullneti i shqiptarëve ishte i pakontestueshëm. Për më tepër shqiptarët jo vetëm që shprehen vullnetin e tyre, por edhe morën kujdesin që ky vullnet të respektohej. Kjo e fundit përben një risi në historinë bashkëkohore të Shqipërisë.
Politikëbëresit dhe mediat, siç ndodh rëndom në Shqipëri, arkitekturojnë një katrahurë sociale duke u përpjekur të gjejnë “fajtorë” (për humbjen e një rasti të volitshëm ) apo “fitues e heronj” për shpëtimin nga e keqja. Çështja çalon që në shtrimin e problemit: nuk ka as fitues e as fajtorë! Shqipëria funksionon sipas rregullave të veta të bazuara në arsye që vetëm shqiptarët i njohin, madje edhe kjo puna e “të njohurit” duhet marrë me rezervat dhe distancën e një analize kognitive. Shqipëria është krenare, kokëfortë dhe tokë pasioni. Ka qenë, është dhe me sa duket nuk është e nxituar të ndryshojë shpejt!
Ajo që është shqetësuese sa në studimin e fenomenit edhe në studimin e këndvështrimit të analistëve dhe opinionformuesve shqiptarë, është mungesa e sjelljes në kujtesë të opinionit publik, të raporteve që një shtetas duhet të ketë me demokracinë.
Demokracia, në të gjitha format e saj, edhe pse ne shqiptarët njohim vetëm dy: atë përfaqësuese dhe atë direkte, nënkupton respektimin e së drejtës ligjore dhe shtetit. Në zhargonin popullor do të përkthehej: i kë dhënë votën filan fistekut, atëherë lëre të punojë për aq kohë sa ai nuk del nga roli që i referon ligji.
Fenomeni i “JO-armëve kimike në Shqipëri” nuk ngre çështjen e zbulimit në u bë mirë a keq!  As kush kishte të drejtë e kush jo. Ky fenomen flet më shumë në lidhje me raportet që ekzistojnë mes shtetasit shqiptar dhe besim/ mosbesimit të tij në demokraci. Carl Devos (i qendrës së majtë), dekan i shkencave politike në Universitetin e Gentit, i cili ka botuar së fundmi një studim mbi krizën e demokracisë në Europën perëndimore dhe që raportohet në best seller-at e këtij viti për lexuesin holandisht folës të Belgjikës, do të fliste për një shndërrim të nocionit demokraci në folje të zgjedhimit të parë.