Bashkim SALIASI/ Mashtrimi i avokatit që na mori paratë dhe nuk hapi asnjë proces gjyqësor

530
Sigal

Historitë nisin të thjeshta dhe pasi marrin udhë ndodh që bëhen legjenda. E tillë është dhe historia e kthyer në legjendë për krijimin e “Fshatit turistik” mbi Sizmikun, Qesarat, e miratuar nga Komuna Dajt më, 28. 06. 1995. Jo vetëm që nuk u bë “Fshat turistik”, sikundër u studiua dhe u investua në ato vite, por kodra tashmë është mbushur me pallate shumëkatësh.

Mirë pallatet që u ndërtuan, po, lejen e ndërtimit kush ua ka aprovuar?!

Pak fjalë për lindjen e kësaj historie:

Komuna Dajt, Këshilli i Rrethit, Tiranë, me vendim të KRRT-së, së rrethit Tiranë  Nr. 25 datë 19.06.1995  dhe vendim të Komunës Dajt Nr. 52, datë 8.12.1994, na pajis mua dhe tim vëlla, me leje ndërtimi me afat 6-mujor, në studimin e kryer nga Komuna dhe aprovuar nga KRRT e rrethit Tiranë.

Por gjatë kësaj kohe ne, unë dhe im vëlla, nuk arritëm të zbatonim afatin e lejes së ndërtimit për arsye se:

-Studimi u realizua në dy faza dhe pengesat për ndërtim nga dita e dhënies së vendimit ishte e pa mundur nga pjesëtarët që bënin pjesë në këtë studim (sidomos në pjesën e sipërme të kodrës), pasi midis palëve pati kontradikta dhe pa saktësi në piketim e cila çoi palët disa herë në komunë të cilët ndërhyn për të sheshuar mosmarrëveshjet.

-Mungonte rruga, uji i pijshëm dhe kanalizimet, të cilat ishin parashikuar në studim dhe nuk u realizuan asnjëherë, pavarësisht se u paguan faturat pranë ndërmarrjeve përkatëse.

-Vit pas viti realizuam punime në hapjen e themeleve, por ndërtimi qe shumë i vështirë.

Deri në vitin 2002 nuk patëm asnjë sinjalizim nga Komuna Dajt për të na hequr të drejtën e ndërtimit..

Në momentin që ndërmorëm nismën për të ndërtuar, pengohemi nga pretendentët e truallit të ish-pronarit Dalip Bastari.

Nuk kemi asnjë kundërshtim me pretendimin e familjes Bastari, por me qeverisjen vendore, e cila, jo vetëm që nuk na kish sinjalizuar për mos zbatimin e vendimit, por nuk ndërhyri të zgjidhte kontradiktat në kohën e duhur edhe pse ishte në dijeni të pagesës së gjithë detyrimeve në shtet.

Pyetjet që na lindnin ishin të pa fundme:

-Si ka mundësi që, e njëjta sipërfaqe toke nga ne që e morëm truallin dhe mbyllëm lekët në ndërmarrjen pyjore, kjo sipërfaqe toke kishte vlerën mbi njëqind mijë lekë të reja për person dhe, për pretendentët e pyllit dhe sipërfaqes truall që kishim ne, ata paguan vlerën 2000 të reja në ndërmarrjen pyjore?!

-Për sipërfaqen në fjalë, ku do ndërtohej “Fshati turistik” u investua studimi jo vetëm nga ne qytetarët që morëm shesh ndërtimi, por dhe nga shteti që kreu studimin disa vjeçar dhe për një spital italian, i cili ndërtoi dhe rrugën nga poshtë, por spitali mbeti në letër.

Këtu nis dhe odiseja jonë. Mbi bazën e të gjitha dokumenteve që disponojmë, bazuar në faturat e paguara në hartimin e projektit, pagesat në ndërmarrjet përkatëse dhe atë të dëmshpërblimit të ndërmarrjes pyjore vendosëm t`i drejtohemi gjykatës. Nga viti 2002 dhe deri në vitin 2008, avokati që ndoqi gjyqin nuk arriti të ndërtoi drejtë ankesën dhe humbi proceset gjyqësore.

U detyruam të marrim një avokat tjetër, që njihte procedurat e kodit civil.

Në datën 14. 07. 2008, në prani të noterit Robert Koli firmosëm prokurën e posaçme me anë të së cilës caktonim përfaqësues tonin në mbrojtje të interesave tona të ligjshme Av. Hajdar Noka, Anëtar i Dhomës Avokatisë Tiranë,  me licencë nr. 1788, me NIPT K 81803025V, për të na përfaqësuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe në të gjitha shkallët e tjera të gjykimit, në çështjen civile me objekt: Mbrojtje të të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të tjera që lidhen me sipërfaqen prej 550 m2 dhe 450 m2, të ndodhur në Qesarakë, mbi Sizmikun. Avokati në fjalë, që punonte në Ministrinë e Drejtësisë nga viti 2008 deri në maji të vitit 2013, nuk hapi asnjë proces gjyqësor veçse sajonte dhe na gënjente kohë pas kohe. Mashtrimi i radhës qe sidomos kur dosjet tona ia kaloi një avokateje që punonte në afërsi të stadiumit Dinamo. Kur avokatja u bind që nuk fitonte sepse lekët i kishte ngrënë Hajdari pranoi të dorëzonte dosjet me pretendimin se nuk kishte interes të merrej me kthimin e detyrimeve që na kishte sjell Komuna neve gjatë këtyre viteve. Në takimin që patëm me Av. Hajdarin i kërkuam që të na justifikonte shumën e parave që i kishim dorëzuar. Pretendimi i tij për mos kthimin e parave qe aq absurd sa në një moment u shpreh:“Kur polici i merr shoferit gjobën dhe nuk i pret  faturë, ai nuk ia kthen më ato lekë shoferit,edhe sikur ai të fitojë të drejtën”? “Ç’ thua more, kjo është vjedhje që i bën polici qytetarit!  A i lejohet një avokati të sërës sate të vjedh klientët e tij?

-Unë para nuk kthej, dhe të përgjigjem qoftë me thikë, grusht apo çfarë të duash ti, -tha avokati i zemëruar.

-Po flas me një avokat, – i them, – me një njeri të ligjit, apo me një rrugaç?! Ne jemi qytetarë të denjë te Republikës dhe do i drejtohemi përsëri ligjit, por edhe shtypit të shkruar që opinioni publik ta marri vesh se kush je ti. Të paktën të mos bien pre e mashtrimeve të tua edhe qytetar të tjerë.

-Nuk ke se çfarë të më bësh, fundja do më heqin nga puna dhe gjë tjetër nuk kanë se çfarë të më bëjnë! – ma ktheu me nerva të ngritura dhe me fodullëk.

U habita me qëndrimin dhe logjikën e këtij avokati dhe pyesja veten se ku e gjente gjithë këtë kurajë. Jo vetëm që të vjedh ashiqare por edhe punon në dikasterin ku populli e di se ai është institucioni ku triumfon drejtësia dhe jo matrapazët e mashtruesit!