Tefta Radi: Në emisionin e parë zemër më dhanë Elsa Xhai, Viron Noti, Kiço Fotjadhi, Virgjil Kule

831
Sigal

Tefta Radi, ikona që i mungon ekranit shqiptar: Radio mbetet një nga studiot më të dashura

Ka disa muaj që ka dalë në pension, por asaj ende nuk i besohet. Çohet çdo mëngjes në të njëjtin orar dhe pa dashje këmbët e çojnë tek ai institucion, RTSH, që ka kaluar pjesën dërrmuese të jetës. Njerëzit nëpër rrugë e përshëndesin si më parë dhe ajo u dhuron atë buzëqeshjen karakteristike që jepte dikur nga ekrani. Vitet s’e kanë lodhur, pasi me punë njeriu gjen forca të ecë dhe të ketë ide për të parë vetëm përpara. E lidhur prej një jetë me ekranin shqiptar gazetarja e njohur Tefta Radi mbetet një nga ikonat e këtij televizioni. Zëri i saj i ëmbël, delikatesa, mënyra e përçimit të lajmit, komunikimi, veshja, një sërë elementesh që do t’i kishte zili çdo gazetare dhe lajmëse e ekranit, e kanë bërë Teftën një ikonë potente të TVSH-së.

 Si nisi rrugëtimi…

Rrugëtimi i saj në këtë televizion i ngjan një tregimi, ku janë të ndërthurura në një të vetme, e vërteta me të pabesueshmen (jo e marrë si element artistik), për vetë faktin, se nga ky televizion, fidanishte e televizioneve shqiptare, janë përhapur lajmet më sensacionalë të Shqipërisë në kohërat e shumë-diskutueshme ndërmjet dy sistemeve, atij monist dhe sistemit demokratik. Në ekranin e tij janë bërë publike vdekja e ish- Kryeministrit Mehmet Shehu, vdekja dhe rënia e bustit të Enver Hoxhës, lëvizjet studentore 1990, krijimi i Partisë Demokratike, ngjarjet e çuditshme të viteve ‘91-‘92, apo ato të viteve 1997-‘98. Në gjithë këto ngjarje, Tefta ndoshta ka qenë e vetmja folëse ekrani që ka qenë përçuese dhe memoria e gjallë e TVSH-së. Korrekte, simpatike, e sigurt, fytyra më e njohur e ekranit shqiptar duket se ndër vite ka krijuar një lidhje të pazgjidhshme, që nuk është tronditur kurrë as nga oferta e shumta që ajo ka patur për të kaluar në televizione private. I ka qëndruar besnike Televizionit, ku u formua figura e saj si profesioniste. Një profesion i bukur, që i ka kërkuar sakrifica të mëdha, sakrifica që i ka përballuar falë ndihmës së madhe të bashkëshortit, këngëtarit të njohur Françesk Radi me të cilën ajo ndan jetën. Është nëna e dy fëmijëve tashmë të rritur, është bërë gjyshe dhe freskia dhe gjallëria e saj janë për tu admiruar. Vazhdon të ketë energjinë e zërit dhe të mendimit që është pjekur me kalimin e viteve.. Por ja, vjen një moment që ajo del në pension. Koha ka bërë të sajën megjithëse ajo mbetet po ajo punëtore, korrekte, largpamëse dhe me shumë kërkesa ndaj vetes. Vitet e fundit ajo ka realizuar dhjetëra filma dokumentarë, duke e bërë figurën e saj edhe më të konsoliduar.

Gruaja që ka ditur aq bukur të komunikojë nëpërmjet ekranit, që ka mësuar dhjetëra vajza të dinë të shesin lajmin, sot ndjehet paksa e aneksuar. Larg ekranit të drejtpërdrejtë, por ajo sërishmi punon me filmin dokumentar.

 Pas studimeve

 Fillimisht ka punuar në fushën e mësuesisë, pasi përfundoi studimet në Gjuhë –Letërsi në Universitetin e Tiranës. Kur nuk e priste mori emërimin në një nga rrethet më veriorë të vendit, në Pukë. Ka punuar kryesisht në Fushë-Arrëz si mësuese në shkollën e mesme. Edhe pse larg Tiranës, jeta i dukej e bukur. Puna me nxënësit si linte kohë mërzisë. Madje, të qënit mësuese ishte një eksperiencë tjetër e bukur për të. Në bisedë  ajo e thotë me plot gojën se në Fushë- Arrëz ka kaluar shumë mirë. Atëherë kanë qenë vitet e rinisë ku flinte me ëndrra, me nostalgji, me forcë fizike dhe me një pasion për mësuesisë. Në Fushë- Arrëz ruan kujtime shumë të mira me mijëra malësorë, me njerëz fisnikë, mikpritës, ku vazhdon akoma të ruaj relata. Shumica e tyre tani janë jashtë shtetit. Por për këtë vend ajo ka dhe kujtimin më të bukur të jetës, atë të njohjes me njeriun e jetës Françesk Radi.  Ajo e përcjell jo pa ngazëllim atë moment njohjeje. Më parë nuk njiheshin. E kishte njohur vetëm nga ekrani si një zë i njohur në fushën e muzikës. Ai ishte i internuar në Pukë mbas festivalit të 11-të. Në atë vend u njohëm më mirë dhe nga viti 1975 e deri tani jemi bashkë.

  Drejt një ëndrre

  -Ishin vitet 1979-80 kur ajo do të ngjitej në shkallët e Radio Tiranës. Arriti të fillojë në RTSH pas një konkursi kombëtar që u bë për folës.

Në atë kishte një komision artistik që vendoste dhe konkurrenca ishte e fortë. Konkurrentë kishte shumë, por ajo fitoi me merita dhe kjo qe edhe arsyeja e tërheqjes nga mësuesia. Në atë vit ishte e vështirë të shkëputeshe nga veriu dhe të ktheheshe përsëri në Tiranë. Ka qenë RTSH-ja,  ajo që, e shkëputi nga Fushë-Arrëzi. Kërkesat të hyje në godinën e shenjtë ishin të forta. Është normale. Kishte shumë kërkesa artistike që duhej t’i plotësoje, zëri radiofonik, qartësia. Ajo fillimisht ka punuar në Radio -Tirana. Më vonë filloi paralelisht edhe në Televizion sepse kishte nevojë për folës. Kërkesa e llogarisë nga ana profesionale kanë qenë shumë e fortë.

 Emisioni i parë

E kujton sikur të jetë sot. Me të drejtë. Pak janë pikat kulmore në jetë, të cilat njeriu i kujton me nostalgji dhe i ruan si thesare brenda vetes.

“Ka qenë një ditë e enjte vjeshte, muaji tetor. Kam qenë nga natyra një tip i qetë, jo shumë emocionuese që mua më ndihmoi shumë në atë kohë që të dilja në ekran apo mikrofon. Kam ditur ta përmbledh veten. Gjakftohtësia më ka shoqëruar në të gjitha transmetimet e mia. Kjo më ka bërë që të jem më e sigurt. Ky emision ka qenë në vitin 1979 në Radio- Tirana”. Radio për të ka qenë një shkollë e madhe. Të gjithë folëset që kanë kaluar nga radio kanë qenë shumë të mirë në shumë aspekte. Radio mbetet një nga studiot më të dashura të cilën ajo vazhdon ta dojë, por ana televizive ishte diçka tjetër ku emocioni ishte më i madh sepse duhej të punoje paralelisht me lajmin, logjikën, transmetimin, paraqitjen vizive. Në këtë rast mendja të shkon në shumë gjëra si flokët, veshja, si dukem, është një kompleksitet gjërash, ndërsa në radio mund të rrish në çdo pozicion dhe mund të flasësh më lirshëm. Televizioni kërkon tjetër impenjim, tjetër prezencë. Të mendosh regjimin ku çdo gjë ishte strikte, ku lapsuset ndodheshin dhe tërhiqej vëmendja edhe për një të tillë. Është normale që kishte emocion. Në ditën kur dha emisionin e parë e kanë pritur mirë të gjithë si në shtëpi, familje, edhe kolegët që nga Elsa Xhai, Viron Noti, Kiço Fotjadhi, Virgjil Kule, etj..

 Nga radio në ekran

Pas një viti, pikërisht në vitin 1980, ajo kalon nga Radioja në televizion.

Ditët aty ishin të bukura për të pasi kur ndihesh mirë me punën, sigurisht, njeriu gjen bukurinë e çdo gjëje. Ditë të bukura quhen edhe ato që përcjell një lajm që vërtetë është i bukur,që i bën njerëzit e lumtur dhe të tilla kanë qenë jo pak ashtu edhe kur në një ditë të trishtuar kur arrin të japësh një lajm tragjik. Një jetë në ekran në përgjithësi ka qenë e saktë. Nuk ka gabuar edhe pse në atë kohë nuk ishte teknologjia që është sot. Sot folësit e kanë materialin dhe e lexojnë në një ekran të madh, që i bën më të pavarur dhe të zhdërvjellët në të shprehur. Ato përpiqeshin të lexonin me shkrimin e makinës së shtypit herë me bojë e herë pa bojë, herë dukeshin germat dhe herë nuk dukeshin, me fjalë që shkruheshin edhe me shkrim dore. Kushtet e leximit në atë kohë kanë qenë më të vështira se sa sot. Sot për të media është luks, përsa i përket folësve dhe jo në aspektin e gazetarit. Sot të jesh folës nuk është aq e vështirë sa ishte në atë kohë kur ajo ishte në ekran. Veshjet janë më ndryshe. Në atë kohë veshjet i kishin të kufizuara. Para viteve ‘90,  zakonisht visheshin me xhaketa, me uniformë, me xhaketa blu, të errëta, pa shumë tualet, pa shumë bizhu. Kur punonin në terren kërkonin të nxirrnim gjërat ku jo gjithmonë përputheshin me realitetin, ku të intervistuarit të visheshin bukur, kur mos të kishte ndonjë mur të gërvishtur mbrapa të intervistuarit, të mos kishte barseta, pra të përfaqësonte njeriun e kohës. Ndërsa sot është tjetër liri dhe tjetër mundësi për të punuar. Sot po deshe të bësh një gazetari të mirëfilltë, ke mundësi ta bësh, thekson Tefta.

Dita më e bukur e jetës

Kur flet për këtë ditë ajo qesh, por edhe mbush sytë me lot. Është një ditë që njeriu i kalon kufijtë e imagjinatës. Dita më e bukur ka qenë dita e kurorëzimit. Nuk ishte e lehtë që të merrte Françeskun. Ajo vinte nga një familje me një tjetër traditë, me një baba ushtarak që nga viti ‘74 edhe pse ishte i përjashtuar nga partia këmbëngulte që ajo të merrte një njeri me biografi të mirë. Nga ana e familjes së Françeskut kishte pjesëtarë të pushkatuar. Françesku kishte një xhaxha të nënës që u dënua. Ai ishte një njeri me dije të mëdha, ishte shkolluar në Austri, ishte shkrimtar, por u burgos dhe u kalb burgjeve të politikës, pa asnjë motiv. Ai kishte një xhaxha, Lazaratin që kishte marrë “Medalje Ari” në Romë dhe nga monizmi u akuzua për shumë gjëra. Ai pas daljes nga burgu i internimit ka qenë model për të. Ai e mësoi se si njeriu duhet të punojë, se si njeriu fal, të mësojë në jetë. Dhe shpirtmadhësia njerëzore tek ai njeri i vuajtur tërë kohën ishte virtyti kryesor i jetës. Njerëz të tillë janë të rrallë në jetë. Nëse ka një idhull sot është Lazarati, nga i cili ka mësuar shumë gjëra.

Mentaliteti për folësat

 -Sot ka ndryshuar mentaliteti. Në atë kohë folësi së pari duhet të kishte zërin radiofonik dhe televiziv. Duhet të kishin prezencë. Sot duket se gjërat kanë ndryshuar meqë edhe koha vetë ecën përpara. Spikeri nuk është më aq pozant. Sot gazetari mund të punojë në një televizion, edhe kur nuk i ka këto mendësi, arrihet të dalë. Megjithatë, mirë është që t’i ketë, që të jetë një figurë morale, të jetë një figurë e besueshme të ketë një lloj pjekurie. Nuk mund të jetë i besueshëm një i ri 18-19 vjeç në ekran. Atij i mungon prezenca, i mungon logjika,i mungon zëri etj.. Mirë është të merren parasysh edhe disa elementë që i plotësojnë figurën e të qqnurit folës-gazetar, thekson Tefta. Ndër folësit e shquar në vite ajo thekson: “E kam të vështirë t’i ndajë sepse kemi pasur shumë që nga Haki Bejleri,Vera Zheji, Nevzat Dibra, Kiço Fotjadhi, Elsa Xhai, Viron Noti, Dhimitër Gjoka, Virgjil Kule, ku për mua akoma është i paarritshëm, është një figurë model, i kompletuar në çdo drejtim. Sot tentohet për të qenë gazetar dhe folës bashkë. Nuk janë më ato nocionet e një folësi klasik. Sot njerëzit duan thjeshtë për të marrë lajmin. Sot edhe regjimi i jetës është ndryshe dhe e folura është ndryshe. Koha ecën edhe gjërat ndryshojnë. “Po t’i hedhim një sy të shkuarës sonë, unë kur kam filluar spikere kam pasur një tjetër të folure nga paraardhësit e mi. Po të krahasojmë dhe të dëgjojmë folësit e viteve ‘50 qoftë edhe në dokumentar të Kinostudios ka qenë një e folur në funksion të ideologjisë së kohës me nota lart për të nxjerrë atë madhështinë e sistemit. Ishte ideologjia e diktaturës së vet”. Ndërsa sot dëgjuesit të thjeshtë i intereson të marri lajmin.