Shpresa Leka: Pallati i Kongreseve, Muzeut Historik Kombëtar, objekte me cilësi dhe standarde botërore

649
Projektimet shqiptare kanë njohur disa faza. Në sistemin monist kishte disa institute ku punonin inxhiniere, arkitekte, urbanistë, teknicien të të gjitha fushave që lidheshin me hartimin e projekteve të banesave objekteve social-kulturore, shkollave, objekteve të shërbimit, pallateve të kulturës. Nga pikëpamja e qëndrueshmërisë konstruktive banesat dhe ndërtimet kishin sigurinë maksimale. Pas rënies së sistemit monist shumë gjëra ndryshuan. Për të folur në këtë fushë për “Telegraf “ ne zhvilluam një intervistë ekskluzive me arkitekten Shpresa Leka.
Çfarë pasqyronin objektet që ndërtoheshin në sistemin komunist?
Duke bërë një vlerësim retrospektiv në arkitekturën e kohës pavarësisht materialeve të përdorura si në pamjen e jashtme të objekteve ashtu dhe në atë të brendshme mund të themi se:Objektet e banimit pasqyronin nevojën e kohës për strehim dhe nivelin e dobët të ekonomisë së vendit. Banesat duhet të projektoheshin duke respektuar normat e projektimit në fuqi si m2 ndërtim për fjetje për një person dhe m2 ndërtim për shërbim për familje me një ,dy, tre e me shumë anëtarë. Nuk kishte asnjë tolerance në këtë drejtim dhe nëse projektuesi i kalonte normat mund të shkonte i ndëshkuar për edukim në një sektor tjetër të vështirë. Ky ishte realiteti i kohës. 
Po nga ana e qëndrueshmërisë si ishin objektet e asaj kohe?
Nga pikëpamja e qëndrueshmërisë konstruktive banesat kishin sigurinë maksimale. Suvatimi i jashtëm i tyre ishte një luks i kohës dhe pjesa me e madhe nuk suvatoheshin nga jashtë. Vlen te theksohet se banesat bëheshin jo me shume se 4-5 katëshe dhe kryesisht shfrytëzoheshin hapësirat e lira në lagjet e banimit me banesa të ulëta. Banesat e ulëta ishin ato që mbizotëronin në mënyre masive por megjithëse ishin të bëra nga vetë banorët apo të trashëguara nga e kaluara ato nuk kishin statusin publik të shquheshin si pronë private.
Si mund të cilësohej atë kohë prona private?
Koncepti PRONE PRIVATE ishte një herezi e kohës dhe aq e vërtetë ishte kjo saqë problemet e marrëdhënieve me hipotekën ishin pothuajse të ngrira dhe procesi i shitblerjes apo i lëvizjes së kësaj pasurie ishte nul. Në atë kohe dhe legjislacioni në lidhje me ndërtimet private ishte i ndaluar dhe ligji lejonte ndërtime individuale vetëm në “raste te rralla e te domosdoshme” të cilat konsideroheshin kryesisht për familje që kishin njerëz te sëmurë psikike apo diçka e tillë. Ndërtimi i banesave shumë familjare planifikohej që në fillim me procesin e përgatitjes së dokumentacionit tekniko-ligjor që në fazën e sheshit të ndërtimit, që për hir të së vërtetës shikohej me kujdes në të gjitha drejtimet si problemi i infrastrukturës inxhinierike të furnizimit me ujë, kanalizimit te ujërave te zeza si dhe ne rastet e prishjeve të ndërtimeve të vjetra dhe shpronësimi.
Si kryhej shpronësimi në atë periudhë?
Shpronësimi fillimisht bëhej për objektin, truallin dhe më vonë duke u bërë zhvlerësimi i pasurive të paluajtshme si një koncept “kapitalist” shpronësimi bëhej vetëm për pemët. 
Për objektet e tjera social-kulturore, tregtare, të shërbimit etj, tregohej një kujdes për anën estetike të tyre diçka më shume se banesat. 

Po objektet e Hotel turizmit në çdo qytet a ishin bashkëkohorë, a ishin të nivelit evropian?
Rreth viteve 70-75 u ndërmor një nismë për projektimin e hoteleve të turizmit në qytetet kryesore dhe të kësaj periudhe janë hotele e turizmit të Sarandës, Pogradecit, Korçës, Beratit, Shkodrës, sepse hotel turizmi i Gjirokastrës i projektuar nga Skënder Luarasi ishte bërë më parë, sikundër hotel turizmi ne Durrës, Vlore, etj. Vendndodhja e këtyre hoteleve u bë si një zonë atraktive në qendrat e qyteteve për faktin se këto duhej te ishin ne qendër të vëmendjes, me funksione të vëzhguara dhe për këtë arsye edhe për arkitekturën e jashtme të tyre pati një interesim dhe një vëmendje të veçantë. Personat që u morën me ndërtimin e këtyre hoteleve sigurisht ishin të zgjedhurit e kohës dhe te vlerësuar gjithashtu. Në këtë periudhe u ndërtuan dhe shumë terrene sportive dhe fusha futbolli të shoqëruara me komplekset e tyre të shërbimit dhe pallatet e sportit apo salla për aktivitete sportive te mbyllura. U ndërtuan dhe një numër i konsiderueshëm spitalesh,ambulancash dhe qendrash shëndetësore në të gjithë vendin.
Po për shkollat çfarë projektesh u zbatuan?
Ndërtimi i shkollave ishte në rendin e ditës dhe në këtë periudhë u ndërtuan në të gjithë Shqipërinë shkollat 8- vjeçare dhe të mesme si dhe shume qendra të tjera kulture, ndërtesa administrative, shtëpi pushimi etj. Vlen të theksohet se dokumentacioni i projekteve të këtyre objekteve ruhet në gjendje shumë të mirë në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit (AQTN), në arkivat lokale dhe është një pasuri me vlere e historisë se vendit tone. Ndërtimi në përgjithësi në këtë periudhe ishte një mbështetje e konsiderueshme për ekonominë e vendit duke patur parasysh se gjithçka qe përdorej për të, sigurohej me materiale që gjendeshin në vend.
-Për ndërtimet a importoheshin materiale speciale?
Rastet e materialeve që importoheshin ishin vetëm për ndërtimet elitare me interesimin e nivelit të lartë të qeverisjes së kohës.
Të kësaj periudhe janë dhe ndërtimi i Pallatit te Kongreseve, Muzeut të E. Hoxhës, Muzeut Historik Kombëtar të cilët, duke përjashtuar anën ideologjike të kohës janë objekte me cilësi dhe standarde si në vende të tjera në rajon dhe ndoshta edhe me cilësore. Kjo tregoi se niveli i ekspertëve të urbanistikes dhe arkitekturës në atë kohë jo vetëm ishte shumë cilësor por dhe i konkurueshëm.
Si do ti cilësonit këto projekte kaq moderne dhe cilësore?
Shkolla shqiptare e arkitekturës në atë periudhe u vu në provë se dhe në kushtet e izolimit total ishte e aftë për të përballuar dhe zgjidhje të vështira teknike si në arkitekturë dhe urbanistikë. Pavarësisht këndvështrimit kritik të kohës së sotme në fushën e urbanistikës mendoj se piketimet dhe linjat e para të zhvillimeve urbane në atë kohe kanë qenë shumë korrekte dhe në çdo rast kanë bazamentin teorik dhe praktik të mirë studiuar, në harmoni të plotë të formave dhe volumeve duke filluar që nga pozicionimi i territoreve për zhvillime urbane, zhvillimi dhe kriteret e zhvillimit të lagjeve të banimit, elementet kryesore volumentrike dhe funksionale të qendrave të qyteteve, arteriet kryesore rrugore rajonale e lokale etj.etj, të cilat i kanë rezistuar kohës dhe në shumicën e rasteve nuk kanë patur asnjë alternative tjetër. 
Pore me ndryshimin e sistemeve, rikonstruksionet, apo ndryshimi i projekteve i pa studiuar çfarë solli?
Për më tej edhe në rastet kur janë rishikuar ndërtimet e mëparshme i kanë dëmtuar rëndë ato. Dëmtime të kësaj natyre ndodhën në periudhën e tranzicionit rreth viteve 90-95 megjithëse statuset e këtyre zonave ishin qartësisht të përcaktuara në planet urbanistike ne fuqi . Mund të përmendim ndërhyrjet në Tiranë në bllokun “Partizani” përballë fakultetit të inxhinierisë, një lagje model në konceptin urban dhe procesi i “rikualifikimit “ urban beri një masakër të vërtetë në atë lagje. Po e njëjta gjë ndodhi dhe ne zonën e Tiranës së Re, në zonën e ish bllokut, në zonën e vilave në rrugën e Elbasanit e në shume raste të tjera. Kjo gjë ndodhi në një masë më të vogël dhe në shume blloqe në qytete të tjera por për këtë gjë do të flasim më vonë.
Sigal