Enalda Gjoni: Arma më e fortë e femrës, butësia dhe zgjuarsia

182

INTERVISTA/ Flet flautistja e parë e TOB-it, Enalda Gjoni: Më shumë përshtypje më ka lënë muzika e Puçinit

Mësimet e para në muzikë i ka nisur në moshën 7- vjeçare për piano. Duke dëgjuar koncertet e ndryshme  që jepeshin në TV të mërkurave e tërhiqte një tingull i veçantë për  të, ai ishte tingulli i flautit dhe kështu vendosi të kaloj për flaut në klasën e pestë në liceun artistik “Jordan Misja”. Muzika është pasion dhe nuk ka nevojë për nxitje, kur ndërthuren dëshira dhe talenti thekson Enalda.

 Kush ju përkrahu në këtë rrugë?

 Përkrahësit e mi të përhershëm kanë qenë familja ime. Ata kanë bërë të mundur që mos të më mungonte asgjë për të arritur qëllimin tim duke e ditur që në profesionin e muzikantit shpenzimet janë të mëdha.

 Kur konkurruat në akademi, çfarë programi luajtët dhe cilët pedagogë ishin në juri?

 Programi për t’u pranuar në Akademinë e Arteve është  i detyrueshëm. Mbaj mënd që në konkurs kam luajtur   “variacione F.Shubert”  “Sonata J.S.Bach”

 Kush ishte pedagogu juaj në akademi dhe në çfarë aktivitetesh u angazhuat gjatë studimeve?

 Pedagogu im  ka qenë Elvis Rudi, i cili me ndoqi dhe gjatë studimeve master ne Universitetin e Arteve. Gjatë viteve të studimeve kam qenë flaut i parë në orkestrën e akademisë dhe orkestrën “Giovani solisti di Tirana” të drejtuar nga Matthieu Mantanus  me të cilën kam performuar brenda dhe jashtë vendit si në Milano Lugano etj..

 Si e fituat të drejtën për të hyrë në orkestrën e T.K.O.B  si flaut i parë?

 Në vitin 2002 pasi u diplomova me “Medalje të Artë”  në TKOB u shpall konkurs për flaut të parë pranë kësaj orkestre ku unë mora pjesë bashkë me shumë konkurrentë të tjerë dhe fitova me pikët maksimale të jurisë. Për mua ishte një kënaqësi e madhe sepse unë sapo mbarova studimet dhe vija nga bankat e shkollës dhe do të punoja në orkestrën më të lakmuar të Shqipërisë.

 Sa koncerte premierë keni dhënë ?

 Prej 11 vitesh që unë jam në TKOB janë realizuar mbi 100 vepra premierë, Opera, Simfoni, Balete vepra në të cilat flauti është një instrument solist brenda orkestrës  d.m.th një përgjegjësi e madhe dhe sadisfaksion personal për këtë bagazh muzikor që e dëshiron ç’do muzikant. Aftësitë tona më së shumti vihen në pah kur bëjmë koncerte recitale dhe unë kam bërë  shtatë të tilla në sallën e Universitetit të Arteve dhe në hollin e TKOB.

Kur jeni ndjerë më keq?

 Ah, keq jam ndjerë kur nuk munda të festoj 100-vjetorin e pavarësisë sepse duhej të isha në krye të detyrës.

 Cilat janë veprat më të vështira që keni luajtur dhe cilat ju kanë lënë më shumë përshtypje?

 Kam luajtur vepra të Poulench, Prokofiev, Bach, Debussy, Frank, Beethoven,Verdi, Rossini, Mozart etj., por më shumë përshtypje më ka lënë muzika e Puçinit.

 Po jashtë shtetit në cilat skena keni luajtur?

 Skenat, ku kam luajtur janë shume e nuk I kujtoj dot të gjitha por mund të citoj ato më të rëndësishmet sipas mendimit tim.  Në Itali në Konservatorin “Giuseppe Verdi” të Milanos, Salla e koncerteve “bozart” në Bruksel , në Paris katedralja “Saint Clotilde” etj..

 Femrat shumë herë shihen për sharm, herë si modele apo balerinë.Ponë flaut ka shumë femra instrumentiste?

 Mund të them pa dyshim që në vendin tonë ka shumë femra që luajnë në flaut dhe në raport me meshkujt jemi në maxhorancë dërrmuese.

 Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

 Butësia dhe zgjuarsia mendoj.

 Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

 Pabarazia në shoqërinë tonë.

 Mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur?

 Nuk mund të thuash se ke zgjedhur profesionin e duhur. Ne nuk mund ta dimë se si mund të ishte jeta jonë n.q.s do kishim zgjedhur një profesion tjetër është në natyrën e njeriut që të kënaqet me profesionin që ka zgjedhur dhe të mundohet të arrijë majat e tij.

 Një përkufizim për dashurinë?

 Dashuria nuk tregohet, por jetohet.

 Kur dhe si të ka propozuar Eltoni, si jeni ndjerë?

 Jam pak xheloze për kujtimet e mia dhe ato më të bukurat mundohem t’i kem vetëm për vete.

 Cilat janë arsyet e shumta të vrasjeve që ndodhin me femrat shqiptare sot?

 Një nga arsyet  kryesore është mentaliteti i shoqërisë, problemet ekonomike, etj..

 A mund të përballojë një femër problemet e drejtimit të një institucioni po aq sa një mashkull?

 Pa dyshim që po madje, kemi dhe raste konkrete si p.sh Kancelarja e Gjermanisë Merkel apo Presidentja e Brazilit etj..

 Në fakt një femër harxhon sot dyfishin e shpenzimeve të një mashkulli, pi duhan, pije alkoolike, bizhuteri. A nuk janë këto shpenzime të tepruara që irritojnë disa meshkuj?

 Të them të drejtën unë nuk e di sepse përveç bizhuterive të tjerat nuk hyjnë në shpenzimet e mija, por mendoj se emancipimi i shoqërisë do bëjë të mundur që edhe ata meshkuj që irritohen ta kalojnë këtë stad.