Kozma GJINI/ Rri dhe duku nga pak, zonja “Pak”

583
Sigal

(Drejtuar Doris Pack)

 Dy dekada më parë, kur ish-kryeministri i vendit jepte alarmin se depot e shtetit kishin edhe dy ditë bukë, (një analogji me deklaratat e sotme për arkën bosh), njerëzit iu sulën dyqaneve për të siguruar ndonjë kothere e për të shtyrë jetën dhe ca ditë. Në atë kohë, më 22 qershor 1991, në sheshin “Skënderbej” u mbajt një miting madhështor. Erdhi e foli sekretari i Shtetit z. Bejker, i cili “preu” shiritin e demokracisë. Mileti që “kërkonte” bukë, mbeti me gisht në gojë, kur z. Bejker tha se, Amerika kishte hallet e veta…dhe se ai kishte ardhur jo për t’u dhënë një peshk shqiptarëve sa për të ngrënë një hoft, por për t’i mësuar ata që të zinin vetë peshk. Shkurt, na mësoi proverbin tonë: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”.

E nisa kështu opinionin, jo thjesht për hir të fabulës së shkrimit, por si një konstatim që ia vlen të sillet në kujtesën qytetare për këdo dhe në veçanti për liderët e politikës sonë. Përfaqësuesit diplomatikë, gjithmonë, në plan të parë kanë devizën që “çdo shtet t’i dalë zot vetes”. Është fakt se ndryshimi i sistemit tek ne pritej, sepse ishin krijuar kushtet e brendshme se do të bëhej përmbysja, (si dhe Lindja), por ja që donte edhe një shtysë nga jashtë të tipit “Ra hoxha nga xhamia, por donte edhe një pak nga duart e mija”. Ndikoi influenca e Amerikës? Sigurisht. Gjithsesi, vitet e para të ndërrimit të regjimit, Amerika, nëpërmjet ambasadorit të saj mund të bënte “mësuesin” e paanshëm të demokracisë, duke na dhënë një leksion të përhershëm, të palëkundur. Ç’dua të them me këtë? Amerika nuk është e pagabueshme. Ambasadori i viteve  ‘91-94, E. Ryerson, ndoshta nga që s’e njihte realitetin e “brumit” shqiptar (apo kishte frikë se mos nuk ndodhte përmbysja e komunizmi mund të ringjallej), në mitingjet elektorale u duk jo një herë ekraneve televizive si mbështetës i së djathtës. Kështu ai shfaqi një opinion të dyzuar, në një kohë kur çdo shqiptar e di që diplomati nuk bëhet palë në zgjedhje. Sikur të majtët nuk e kishin kapitalist programin(!). Në tranzicionin tonë të tejzgjatur, shpeshherë jemi akuzuar se nuk jemi të aftë të bëjmë shtet. Ende ka një tendencë e besueshmëri të madhe te Europa e më tej, që ajo të na trajtojë si fëmijën, e të na “vërë në gjumë me përralla”, por edhe të na qëndrojë me shkop në dorë që, në rast se s’e ngulitim në kokë përrallën, të na e shkulë veshin. Delegacionet e shtetit shqiptar, kur shkojnë jashtë, sjellin këtu me pompozitet mbështetjen që i bëhet popullit shqiptar, por edhe mësimet e diplomacisë botërore se nuk duhet të bëhemi qaramanë e për çdo gjë të kërkojmë ndihmën të huajve. Këtë këshillë ia dha edhe zonja Doris Pack, kreut të qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit, kur ai foli në PE. Zonja “Pak” i tha zotit Rama se, “ju shqiptarët duhet t’i zgjidhni vetë problemet  tuaja”. Bukur. Ka ndonjë gjë të re këtu? Tamam ashtu siç tha edhe 22 vjet më parë z.Bejker “u mësova si të zini vetë peshk”. Pra, mbetemi te: “i zoti e di ku i pikon çatia”. Mirëpo për “ustallarë” u besojmë vetëm të huajt. Aktualisht ndodhemi përpara një paradoksi post zgjedhor e ku ndryshimet në administratë “duhet të bëhen pa u zgjatur, por edhe pa u nxituar”. Hajde ta gjesh vijën e mesit të artë!Të djathtët s’duan të largohen nga posti drejtues, të majtët (presin te dera) e kritikojnë qeverinë për ngadalësi. Po lidershipi? Nga njëra anë Rama i qendron idesë që të mos përsërisë gabimet e Berishës, nga ana tjetër Basha  i bën presion  se po spastrohet administrata. E keqja është se ky dualitet zhvillohet në një situatë kritike, kur duhet që gjërat të shihen drejt në sy e të bëhen të bazuara në ligj. Do të “trembet” gjë z.Rama nga deklaratat e evropianëve? Do ta bëjë ai reformën në administratë edhe pse e ka deklaruar se nuk do të bëjë gabimet e qeverisë së kaluar? Askush nuk dëshiron që të përsëritet e shkuara, por edhe avashllëku, nëse duhet lëvizur apo jo “X” person që e “ka mbushur kupën”, bëhet i padurueshëm për palën tjetër. Çdo kolektiv e di fort mirë nëse drejtuesi i tyre i ka përdorur si “levë” punonjësit apo jo. Nuk duhet të ndodh që njerëzit të shkojnë “sa me u duk në punë” e t’ia varin asaj se drejtori “i ka  këmbët në ajër”. Shkrehja e punës rëndon mbi fëmijët tanë. Shtrohet pyetja, veç konkurrimit me tregues pedagogjik-shkencorë e moralë, po kolektivi a do të pyetet për lëvizjen e drejtuesit? Po drejtuesit nga e djathta që kanë treguar nivel, cilësi dhe e kanë model shkollën a do të përfillen në konkurs? Pse zvarritet kaq shumë konkurrimi për drejtuesin e Drejtorisë Arsimore të qarkut Fier? Le të kthehemi te evropianët. Ne e kuptojmë që ardhja ose dalja e tyre (dhe e kujtdo) në ekran mbart me vete shqetësimin dhe ngjyrat miqësore për ta bërë këtë vend. Si popull, ne duhet të ndërrojmë mentalitet e të mos u japim argument të tjerëve se s’jemi në gjendje të merremi vesh. Më të përgjegjshëm, më të përmbajtur, më komunikues, më realizues, më bashkëpunues dhe më operativ. Është për të ardhur keq, por po krijohet mendimi se kemi më shumë besim te të huajt, se sa te njerëzit tanë, te inteligjenca jonë shkencore,kulturore,artistike e sportive e cila edhe në arenën botërore po ia ngre imazhin këtij vendi. Pra, këtu zonja “Pak”  ka të drejtë të na quajë qaramanë. Gjithsesi edhe pse e dimë që kemi nevojë për këshilltarë të huaj, edhe pse e dimë që i zoti e nxjerr gomarin nga balta, edhe pse e dimë që ofertat e pranimi  formal në organizmat evropiane (qoftë edhe i kandidimit në BE) duhen përligjur me veprime të prekshme, progresive, liderët tanë  e kanë të vështirë të  heqim dorë nga këshillat e “Nënëmadhes Europë”. Ambasadorët e delegacionet e huaja vijnë e ikin. Ne jemi dhe mbetemi këtu. Mirëpo, druhem se prapë do të na dalë ndonjë “kleçkë” që sërish të shtrijmë dorën e të kthejmë kokën nga deti…. Atëherë s’na mbetet gjë tjetër veçse të themi: “Rri dhe duku nga pak, znj.“PAK”!