Alida Hisku: Partia ime e vërtetë është Shqipëria

511
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur Alida Hisku

Edhe pse 24 vjet larg Shqipërisë, ajo jeton çdo ditë me atdheun. Kur shkel në atdhe, sapo vë këmbën në tokën amë, loton, edhe pse jeton në një shtet me ekonominë më të konsoliduar, Gjermani. Sa herë ka aktivitete, ajo do të marrë avionin dhe do të marrë pjesë. Është një ndër gratë më aktive shqiptare në emigracion, kur bëhet fjalë për veprimtari patriotike. Dhe pse me bashkëshort gjerman dhe pse fëmijët e saj kanë ikur fëmijë, ata e dinë shumë mirë gjuhën shqipe dhe thonë me plot gojën se jemi shqiptar. Si artiste, Alida është e ndjeshme për ecurinë e punëve në atdhe. Ajo pyet gjithmonë dhe kurrë nuk ndalon kritikat ndaj çdo qeveria, kur qeverisja bie ndesh me interesat e popullit të saj.

 Shumë kohë në Gjermani, afërsisht 24 vjet, a njihet Shqipëria në Gjermani, këtu flas për miqtë e tu…

 Jo vetëm për miqtë e mi, por dua të them se, tashmë Shqipëria është bërë e njohur kudo në Europë. Ndërsa miqtë e mi në të gjitha takimet që bëjmë më pyesin shpesh për Shqipërinë. Pyetjet janë nga më të ndryshmet, që kanë të bëjnë për politikën, për zhvillimet e fundit, për qeveritë, por edhe për turizmin pasi dihet që vendi ynë është një vend turistik që ka shumë det por dhe shumë ditë me diell, plot 305 ditë diel si një nga vendet e rralla në botë.Është demokrate me shpirt por kjo s’do të thotë që simpatizon ndonjë parti të veçantë politike. Partia e saj e vërtetë është Shqipëria.

 Çfarë të thonë miqtë dhe të njohurit gjermanë në këto takime?

 Të them të drejtën, në shumë raste diskutohet përse vonohet Shqipëria të hyjë në BE. Sipas tyre Shqipërisë i takon të hyjë më shpejt se vendet e tjera të Ballkanit si Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ky është një mendim standard i tillë për vetë pozicionin dhe historinë e Shqipërisë.

 Si i ke ndjekur zgjedhjet e fundit?

I kam ndjekur me shumë interes, madje, familjarisht. Mund të them se dhe bashkëshorti im gjerman është bërë pjesë e zgjedhjeve të 23 Qershorit në Shqipëri. Ne i kemi ndjekur të gjitha fushatat elektorale, mënyrën e ndërtimit të fushatës nga secila parti politike thuajse sikur ishim në Shqipëri. Shyqyr zotit që fushata u zhvillua me kulturë, me dinjitet, pa asnjë incident. Kjo i bëri përshtypje dhe bashkëshortit. Pra në zgjedhje shkuam kokë lart. Por edhe ditën e zgjedhjeve, edhe në ditët më pas ne ndiqnim çdo zhvillim në Shqipëri.

  Ju për cilën forcë politike do të votonit n.q.s do të ishit në Shqipëri?

Vota është e fshehtë, por mund të them se do votoja për progresin, për përparimin, për të renë, për atë që mendon për gjithë Shqipërinë.

 – A mendoni se qeveria e re ka më shumë afrimitet me emigrantët?

Do të ishte çmenduri që qeveria e Edit të mos ketë nxjerrë mësim të dobishëm nga gabimet fatale të Sali Berishës. Shpresoj se ajo qeveri i la emigrantët jo vetëm pa atdhe, por edhe pa identitet duke i mohuar dhe duke i injoruar në vlerësimin e tyre për zgjedhjet demokratike në Shqipëri. Vijmë aty dhe nuk shohim veten në lista “24vjet të mos kesh të drejtë për votë…nuk gjej një arsyetim logjik në këtë pyetje. S’di çfarë përgjigje të jap.  24 vjet është një jetë jetime nëpër rrugët e botës…. Një lulëzim pa rrënjë. Emigrantët në këto 24 vjet kanë ikur pa ditur se, ku, kanë lëvizur pa orientim dhe pa mbështetje. Dhe pse i kanë dhënë atdheut shumë të ardhura ekonomike dhe pse i kanë dhënë shumë emër me punën. Djersën dhe performancën në art, kulturë, sport, kanë marrë nga atdheu një heshtje totale. Mund të them se, janë dy  breza, të cilat i ndau emigrimi dhe i vodhi rrënjët. Të mos harrohet lufta e pa emër që u bë në vitin ‘97, ku shumë e shumë njerëz të pafajshëm u vranë në emër të absurdit, u mbytën në dete, në lumenj, u vranë nga kapuçonët e zinj. U vra populli i thjeshtë kur përgjegjësinë e kishin politikanët, qeveritarët që gënjenin për lekë të pastra në firmat piramidale… Populli këtë nuk duhet ta harrojë kurrë, ashtu sikundër duhet të marrë vesh se sa janë pasuritë e politikanëve nëpër banka që dalin jashtë vendit, si dhe shumë marrëveshje nën tryezë pa ndjekur ligjet dhe normat e një shteti demokratik dhe pa transparencë me popullin që i voton.

 Pra nuk je aspak dakord me këto 23 vjet qeverisje?

 Aspak. Në këto 23 vjet nuk është qeverisur, por keqqeverisur, pra është vjedhur, ku disa hanë me lugë të florinjtë, të tjerë s’kanë bukë të hanë. Mendoj se janë bërë shumë pisllëqe gjatë 23 vjetëve demokraci, shumë pisllëqe, të cilat duhet të  qartësohen të bëhen transparente. Mendoj se, qeveria e re “Rama” duhet të fillojë së shpejti punën për zbardhjen e shumë aferave korruptive, kjo qeveri e re t’i pastrojë të gjitha ato që kanë sjellë këtë fukarallëk për popullin. Populli ynë po mbytet nga fukarallëku.

 Si artiste çfarë të veçante ke parë në qeverisjen e politikanëve tanë?

 Qeveritë politike 23-vjeçare, postkomuniste, mund të them se bien në ujdi, apo kanë rënë në ujdi me njëra-tjetrën, pasi e kanë akuzuar shumë njëra-tjetrën, por nuk kanë marrë asnjë masë ndëshkuese. Të gjitha kanë thënë luftë kundër korrupsionit, por asnjëherë nuk kanë çuar në bankën e të akuzuarve asnjë. Pra ata janë në miqësi të heshtur me njëri-tjetrin.

 Çfarë i uron qeverisë së re?

 Unë i uroj qeverisë së re të fillojë sa më shpejt punën në forcimin e organizimin e masës, të zhduket përçarja të çojë në vend votën e shqiptarëve. Të forcohet shteti, policia, të vihet në vendin që i takon artit, kulturës, se pa art, kulturë nuk ka komb, nuk ka përparim.  Vetëm kështu fitohet besimi. Të shtohet prodhimi në vend e të fillohet me eksportin, i cili të mbulojë fazën e parë të punës…

Vendi të mos copëtohet nga firmat e mëdha, të cilat kanë fuqi deri në udhëzimin politik, por çdo gjë të bëhet e hapur ku t’i jepet përparësi biznesit të vogël dhe të mesëm. Problemet janë të mëdha. Por ashtu duhet të jetë dhe puna për të ecur përpara.

 Po çfarë të shqetëson mes emigrantëve në Gjermani?

Më shqetëson shumë disa herë ndarja që vërehet mes jugut dhe veriut. Pra kjo është një përçarje e madhe. Vjen një qeveri me Kryeministër nga jugu apo nga veriu dhe fillon përçarja. Jo përçarjes. Populli ynë është një nga veriu në jug. Ne kemi një gjuhë, një atdhe, një traditë, ndaj s’duhet të ndikohemi nga politika e ditës për t’u përçarë. Qeveria e re duhet të punojë shumë në këtë drejtim.